Assad pranon armepushimin per festen e Bajramit
Në një moment ku ishin venitur të gjitha shpresat për një armëpushim, dhe pse të përkohshëm, qeveria siriane ka pranuar armëpushimin gjatë ditës së Bajramit të vogël, apo festës së sakrificës. Lajmi është konfirmuar nga i dërguari ndërkombëtar për paqen Lakdar Brahimi, që ka takuar presidentin sirian Asad vetëm disa ditë më parë. Sipas diplomatit algjerian, deklarata zyrtare nga qeveria siriane për të zyrtarizuar këtë armëpushim do të vijë para së premtes. Ministria e jashtme siriane ka deklaruar se vendimi mbetet ende në diskutim. Festa nis të premten në 26 tetor dhe do të zgjasë katër ditë. Brahimi, i cili sapo ka përfunduar një tur në rajon është takuar dhe me disa grupe rebelësh dhe ka siguruar se pjesa më e madhe e tyre e kanë pranuar idenë e armëpushimit gjatë këtyre ditëve. Por ushtria e lirë siriane e ka bërë të qartë se hapi i parë duhet bërë nga Damasku. Sipas Brahimit kjo është një iniciativë për të pasur një armëpushim dhe më të gjatë në mënyrë që të nisë dhe procesi politik për zgjidhjen e situatës. Deri tani as qeveria siriane dhe as rebelët nuk kanë pranuar asnjëherë idenë e armëpushimit.