Topalli, deputetët e ardhshëm duhet të heqin dorë nga bizneset
19/02/2005 Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, tha dje se deputetët, që do të fitojnë nën siglën e kësaj partie, duhet të shkëputen nga bizneset e tyre private që ata kanë patur para se të fitojnë mandatin. Sipas saj, përpara se çdo kandidat të fillojë fushatën elektorale duhet të plotësojë një formular, i cili më pas do të verifikohet nga një strukturë brenda PD-së, e ngjashme me Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit të Pasurive. "Ata që kanë dëshirë që të kandidojnë për deputet së pari, duhet të kenë të qartë një gjë: politikani nuk mund të jenë njëkohësisht dhe biznesmen. Biznesmeni duhet të merret me biznesin e tij dhe politikani të merret më politikën, që është në funksion të atyre për të cilët është votuar. Që të gjithë ata, ose ato që do të konkurrojnë për forumet e larta të Partisë Demokratike, të plotësojnë formularin, ashtu siç e plotësojnë dhe politikanët, në bazë të ligjit të deklarimit të pasurisë. Natyrisht, kjo kërkon ngritjen e një instrumenti tjetër brenda PD-së për të investiguar për prejardhjen e kësaj pasurie dhe natyrisht përmes kontrolleve të mëvonshme periodike se si shkon kjo pasuri", tha Topalli. Sipas saj, të gjitha këto propozime do të implementohen në statutin e PD-së, dhe së bashku me ndryshimet e tjera do të miratohet në Kuvendin e ardhshëm kombëtar.