PD ankesë për arsimin
19/02/2005 Partia Demokratike, dega Tiranë, ka reaguar dje për gjendjen e rënduar të shkollave në kryeqytet. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD-në e Tiranës, Aleksandër Biberaj, tha gjatë një konference për shtyp se, me gjithë premtimet qeveritare, gjendja e arsimit po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. "Në rreth 50% të shkollave në Tiranë, mësimi bëhet me 2 turne dhe me orare të shkurtuara, gjë që sjell rënien e kërkesës së llogarisë dhe cilësisë së mësimdhënies. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e rikonstruksionit në kohë të papërshtatshme të rreth 15 shkolla në kryeqytet, të cilat kanë filluar rikonstruksionin e tyre në muajin tetor, ndërkohë që rikonstruksionet mund të bëhen fare mirë gjatë muajve të verës, kur shkollat janë pushim", thuhet në deklaratën e PD-së së Tiranës. Më tej, deklarata shton se në gjimnazet e Tiranës, por edhe në shkollat nëntëvjeçare, klasat janë të tejmbushura, deri në 45 nxënës. Sipas PD-së, në disa lagje të reja akoma nuk janë ndërtuar shkollat dhe nxënësve u duhet të përshkojnë distanca të gjata për t'u arsimuar. "Duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të arsimit, theksojmë se reforma në arsim dhe rritja e pagave të arsimtarëve do të jenë elementë shumë të rëndësishëm të programit elektoral të PD-së, si dhe i qeverisjes së ardhshme të saj", përfundon deklarata e PD-së, dega Tiranë. Ndërkohë, për gjendjen e rëndë të sistemit arsimor dhe nevojën e përmirësimit të tij, janë deklaruar dje dhe krerët e Partisë Lidhja e Legalitetit. Këta të fundit kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar mbi gjendjen e rëndë në sistemin tonë arsimor si dhe shkaqet që e kanë çuar deri në këtë pikë.