E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet ; Kriteret e reja për hapjen dhe mbylljen e tyre



Këshilli i Ministrave dje në mbledhjen e radhës ka përcaktuar kriteret e reja për hapjen dhe mbylljen e spitaleve. Në Republikën e Shqipërisë do të bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Bazuar në VKM kanë të drejtë të hapin një spital personat juridikë, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shërbimit spitalor jopublik. Ata duhet që të kenë parashikuar në aktin e themelimit dhe/ose në statut objektin e veprimtarisë, për ofrimin e shërbimeve mjekësore, spitalore, jopublike, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshjet, për shërbimet shëndetësore transkufitare. Institucionet spitalore jopublie të tyre duhet t’i kenë në harmonizim me planin spitalor shtetëror dhe vendor. Të kenë një plan të shpërndarjes dhe ofrimit të shërbimeve të spitalit, i cili të përmbajë numrin dhe llojet e shërbimeve që do të ofrohen. Ministri i Shëndetësisë jep miratimin paraprak të ndërtimit të spitaleve përpara zhvillimit të procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit, duke vlerësuar kriteret e përgjithshme të licencimit të tyre. Gjithashtu, edhe për mbylljen e një subjekti të tillë, do të jetë ministri i Shëndetësisë ai që shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij, në rastet kur vërtetohet mosplotësimi i kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë. Shkelja e ligjeve dhe e akteve nënligjore, në fuqi. Moszbatimi, brenda kushteve dhe afateve, të detyrave të lëna nga MSH-ja për korrigjimin e shkeljeve. Mosushtrimi i veprimtarisë për një vit nga data e miratimit të licencës. Ankimi kundër urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, për heqjen e licencës, bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative. Spitalet publike, që janë hapur para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdojnë të funksionojnë, nuk i nënshtrohen zbatimit të këtij vendimi.

Mësuesit

Kontrata shtyhet deri në qershor

Një lajm i mirë vjen për arsimtarët e sistemit parauniversitar. Kështu, me vendim të Këshillit të Ministrave shtyhet afati i kontratave të përkohshme të punonjësve në sistemin parauniversitar deri në qershor. Numri i punonjësve mësimorë, me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar do të jetë për periudhën janar-qershor 2009, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, të jetë 3 061 veta. Në këtë mënyrë rrëzohet udhëzimi i para dy ditëve i ministrit të Arsimit Fatos Beja, përmes së cilit kërkohej shkurtimi i 3 mijë punonjësve të arsimit. Ministri Beja pati kërkuar ndërprerjen e kontratave të këtyre punonjësve duke u kërkuar që të dalin jashtë skemës së sigurimeve për të qëndruar në dispozicion.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›