E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri Rreth 3 mijë mësues detyrohen të lënë punën

06/03/2009  Sindikata e arsimtarëve kërkon pezullimin e menjëhershëm

Ndërprerja e kontratave të punës, do të mbulohet vetëm nga orët e pakta të dispozicionit

Mësuesit detyrohen të lënë vendet e tyre të punës, për tu shndërruar në mësues dispozicioni. Shkak për këtë gjë është bërë nxjerrja e një udhëzimi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjatë muajit të shkuar, i cili parashikon që rreth 3 mijë mësues të ndërpresin kontratat e tyre të punës, për ti zëvendësuar ato me orë dispozicioni në shkolla të ndryshme ku do të caktohen. Këta të fundit do të paguhen në bazë të orëve mësimore që do të japin sipas një plani të përcaktuar apo nevojave që do të paraqiten. Ky fakt është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme, nga Sindikata e arsimit, përfaqësuesit e të cilës kanë pohuar se ky urdhër i nxjerrë nga MASH, ndëshkon rëndë mësuesit, si dhe nuk është i bazuar në Kodin e Punës. Kreu i kësaj sindikate Xhafer Dobrusha ka pohuar se :“Vendimi merret ne kundërshtim me ligjin dhe me kontratën kolektive të nënshkruar me ne”. Për këtë i është dërguar një letër kreut të MASH, Fatos Beja, për pezullimin e menjëhershëm të këtij urdhri në mënyrë që mësuesit të vijojnë punën e tyre sipas kontratave që kishin.

Urdhri

Rreth tre mijë mësues në të gjithë vendin do të jenë të detyruar që të lëndë vendet e tyre të punës, për të punuar herë pas here vetëm me orë dispozicioni, mbi bazën e të cilave do të marrin dhe pagesën përkatëse. Masa e marr nga MASH që me datën 5 shkurt 2009, tashmë u është përcjellë drejtorive arsimore, të cilat do të zbatojnë vendimin përkatës. Ky ndryshim do të ndikojë në pagesën financiare që do të marrin mësuesit, e cila nuk do të jetë më rrogë bazë siç përcaktohej në kontratën e punësimit, por në bazë të orëve mësimore që do të japin. Reforma e përcaktuar për këtë kategori, tregon që edhe në rastet kur këta mesues do të zëvendësojnë arsimtarë të tjerë që janë me leje lindje, do të përfitojnë pagesën, e cila llogaritet të jetë 250 lekë ora e mësimit. Kështu që mësuesit, të cilët deri më sot kanë pasur një kontratë një vjeçare, duke dhënë mësim në shkolla të caktuara për mbulimin e lejeve të lindjes, sëmundjesh të mësuesve, dhe kur kishin probleme të tjera për të cilat nuk paraqitshin në shkollë, nuk do të trajtohen më me rrogë fikse. Bazuar në urdhrin më të fundit të MASH, do të ndërpritet kontrata për çështje fondesh, por këta mësues do të vazhdojnë ta kryejnë këtë funksion duke u paguar vetëm për orët që do të japin mësim. Ndërkohë që më parë paga bazë, llogaritej së bashku me ditët e pushimit, si të fundjavës, ashtu edhe të festave kombëtare dhe fetare.

Ministria

Ashtu si dhe në shumë raste të tjera Ministria e Arsimit ka vendosur të mos reagojë kundrejt kësaj situate. Burimet zyrtare të këtij institucioni, pohuan për gazetën se ende nuk ka një reagim në lidhje me urdhrin e marrë një muaj më parë për këta mësues.

Megjithatë mësuesit dhe sindikata e tyre, ka shfaqur reagime të ashpra gjatë ditës së djeshme, për shkak të reduktimit të pagesës financiare që do të shpërndahet sipas orëve që do japin mësim. Dobrusha, ka pohuar se urdhri shkel Kodin e punës, i cili legjitimon ndërprerjen e kontratës vetëm kur është kryer ndonjë shkelje apo abuzim nga punëmarrësi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›