Berisha: Tri arsyet që shmangin krizën ekonomike
Politikat fiskale të taksave të ulëta është mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet krizës ekonomike bashkangjitur rritjes së investimeve dhe mbështetjes së qeverisë me kreditim të sektorit të ndërtimeve. Këto janë tri arsyet kryesore që minimizojnë në masë rrezikun e një efekti që mund të japë në ekonominë tonë kriza globale. Duke folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë për gjendjen e ekonomisë shqiptare, Kryeministri Sali Berisha njoftoi se shtylla e mbrojtës anti-krizë janë pikërisht politikat fiskale të taksave të ulëta që qeveria e tij po praktikon prej dy vitesh. Sipas Berishës, Shqipëria po përballet me pasojat e krizës ekonomike, por ajo nuk është e përfshirë prej saj. Ky është perceptimi i qeverisë shqiptare për sa i përket gjendjes së ekonomisë në vend. Kryeministri Berisha kritikoi opozitën e cila, sipas tij, për kolltukun e një njeriu të vetëm i bie trumbetave të krizës në vend. “Sigurisht që pasojat e krizës e kanë prekur dhe do ta prekin Shqipërinë. Shqipëria nuk është ishull, në Mars, por pjesë e këtij territori. Këtë ekonomi kriza e gjeti si vendin me taksa më të ulëta në Evropë. Për çfarë pakete bëjnë fjalë zotërinjtë? Paketën fiskale anti-krizë kjo qeveri e vendosi dy vjet më parë dhe akoma të gjitha vendet përpiqen të vendosin stimuj fiskalë siç kemi vendosur ne; nuk e imagjinojnë dot të zbresin në nivelet që kemi zbritur ne”, - tha Berisha. Kryeministri kritikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë kryesocialistin Edi Rama se po përhap panik në popull vetëm e vetëm që të përfitojë politikisht. “T’u biesh borive të mjerimit vetëm për karrigen tënde, ta ëndërrosh krizën si një mekanizëm për të ndërtuar pushtetin tënd, kjo është në radhë të parë cinizëm ekstrem dhe çnjerëzim maksimal, një mashtrim i turpshëm”, - theksoi Kryeministri. Berisha shtoi se në mënyrë absolute, nuk ka thënë dhe nuk mund të thotë njeri se pasojat e krizës nuk do të mund të prekin Shqipërinë, pasi sigurisht që ulja e kërkesës botërore ka ndikim direkt në eksportet e Shqipërisë. Duke iu përgjigjur pretendimeve të opozitës për mungesën e një pakete konkrete të qeverisë shqiptare në rast krize, Kryeministri bëri të qartë se qeveria shqiptare e ka vënë në zbatim këtë paketë fiskale anti-krizë dy vjet më parë. Kryeministri vuri në dukje se janë 3 arsye të forta që kanë bërë të mundur që Shqipëria të mos jetë në krizë, që janë edhe shtyllat kryesore të kësaj pakete anti-krizë. “Së pari, - përmendi Berisha, - ekonomia shqiptare nuk është në krizë, sepse kriza e gjeti këtë ekonomi si vendin me taksa më të ulëta në Evropë. Për çfarë pakete bëjnë fjalë zotërinjtë e opozitës, kur kjo qeveri, paketën fiskale anti-krizë e vendosi 2 vjet përpara, ndërkohë që ende të gjitha vendet që përpiqen të vendosin sistemin fiskal që kemi vendosur ne, nuk imagjinojnë dot të zbresin në nivelin që kemi zbritur ne në këtë aspekt, pra tek taksa e sheshtë 10 për qind, tek sigurimet shoqërore 15 për qind, tek taksa e biznesit të vogël 1.5 për qind, tarifa doganore e ulur mbi 6 herë”, - tha Kryeministri. “Së dyti, qeveria shqiptare po rrit investimet dhe në vitin 2008 ajo ka investuar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo 32 për qind të buxhetit”, - u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se kjo nismë është një shtyllë kryesore e paketës anti-krizë e qeverisë aktuale. Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria ka ndjekur politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, si element bazë për të rritur fuqinë blerëse. “Le të gjejnë një qeveri të dytë që në 4 vjet ka rritur rrogën mesatare me 68 për qind, ka rritur pensionet në mesataren e tyre me mbi 40 për qind dhe pastaj le të dalin dhe të thonë se unë po mashtroj shqiptarët. A nuk është kjo një rritje e ndjeshme e fuqisë konsumuese të qytetarëve? Askush nuk mund ta mohojë këtë gjë. Edhe kjo është një shtyllë kryesore e paketës anti-krizë”, - vijoi Kryeministri. “Së treti, - argumentoi ai, - qeveria ka mbështetur sektorin e ndërtimit dhe ne vendosëm dhe jemi të gatshëm të kreditojmë 6 mijë apartamente”. Ky, sipas tij, është stimuli më i fuqishëm në histori që i është dhënë këtij sektori, në proporcion me vendin dhe situatën.