Dështon lista e ilaçeve me bashkëpagesë
Futja e listës së dytë të rimbursimit për ilaçet nuk ka shanse të realizohet këtë vit. Për mungesë fondesh projekti i ISKSH ka dështuar. Por drejtuesit e këtij institucioni janë optimistë se lista me bashkëpagesë do të nisë të aplikohet vitin që vjen. Me anë të kësaj skeme për rreth 133 ilaçe gjysmën e kostos do ta rimbursojë instituti, ndërsa pjesën tjetër vetë pacienti. Në të do të përfshihen medikamente të shtrenjta. Paralelisht do të vazhdojë skema aktuale e rimbursimit të barnave, nga e cila përfitojnë të gjithë personat që paguajnë sigurime shëndetësore. Dje në mbledhjen e radhës Këshilli Administrativ i ISKSH miratoi projektbuxhetin për vitin 2009, i cili krahasuar me këtë vit do të jetë 10% më i lartë. Por drejtoresha e institutit u shpreh se, do të kërkohen më shumë fonde nëse do të merret parasysh propozimi për listën e dytë të propozuar nga ISKSH. "Buxheti do të ndryshojë natyrisht në rast se do të zgjerohet skema, por jemi ende në diskutime lidhur me këtë çështje. Unë kam ngritur një grup pune me ekspertë, të cilët do të japin në fund të shtatorit opsionet për zgjerimin e skemës, të cilat do të bashkëshoqërohen edhe me kostot përkatëse", u shpreh Hana. Gjatë mbledhjes së djeshme ministrja Anila Godo u zgjodh me unanimitet në krye të Bordit Drejtues të ISKSH-së. Godo theksoi se zgjerimi i skemës së sigurimeve është një hap i rëndësishëm dhe po shikohet mundësia nëse do të përfshijmë fillimisht disa spitale rajonale, apo do të shtrihet në të njëjtën kohë në të gjithë vendin. "Mendoj se spitali i Durrësit është një model i mirë për t'u përhapur. Në vizitat e mia në rrethe kam hasur shpesh kërkesën e personelit të spitaleve që duan të bëhen si Durrësi, pra të futen në skemën e sigurimeve, por për këtë ne duhet të studiojmë mjaft mirë situatën e të bëjmë një analizë të hollësishme të gjendjes aktuale", tha Godo. Shumë shpejt Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ISKSH-në do të organizojnë një takim për të kryer një analizë të mirëfilltë financiare të mënyrës së funksionimit të spitalit të Durrësit, në mënyrë që shumë shpejt të merret një vendim se si do të veprohet me spitalet e tjera. "Të dhënat e deritanishme tregojnë se indikatori i shfrytëzimit të shtratit në spitalin e Durrësit është shumë herë më i efektshëm se në spitalet e tjera. Për më tepër në këtë spital nuk ka probleme me medikamentet, ndërkohë që dihet se gjendja është mjaft e vështirë në spitalet e tjera", vijoi drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë deklaroi se, politika që ajo do të mbështesë, është ajo për dhënien e më shumë autonomie spitaleve në menaxhimin e fondeve.