Spitalet, Dializa falas për 200 të sëmurë
Me fondin prej 25 milionë lekësh që akordoi qeveria për të sëmurët me insuficiencë renale kronike, do të trajtohen falas 200 persona që kanë nevojë për dializë. Konfirmimi nga Zv/ministri i Shëndetësisë.
TIRANE- Me fondin prej 25 milionë lekësh që akordoi qeveria për të sëmurët me insuficiencë renale kronike, do të trajtohen falas 200 persona që kanë nevojë për dializë. Kjo gjë është deklaruar nga zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, i cili ka thënë se "këto fonde do të jepen për rreth 200 persona që vuajnë nga dializa. Nuk ka ndonjë procedurë të veçantë, përveç faktit se personi që vuan nga kjo sëmundje e paraqitet për dializë, atij i jepet fondi". Qeveria, javën e kaluar miratoi vendimin për një shtesë fondi prej 25 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2008, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë, për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin me dializë të një numri të sëmurësh me insuficiencë renale kronike. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, "Për Buxhetin e shtetit, të vitit 2008", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, në artikullin "Shpenzime për mallra e shërbime", t'i shtohet fondi 25.000.000 (njëzet e pesë milionë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin me dializë të një numri prej 200 të sëmurësh me insuficiencë renale kronike. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Ky vendimi hyn në fuqi menjëherë. Në fakt, të sëmurët me dializë janë një kategori të cilët janë prekur shumë nga kriza që po përjeton sistemi ynë shëndetësor. Jo pak herë ata kanë kërkuar që të kenë më shumë mbështetje, si dhe kanë kërkuar që të subvencionohet transporti, kjo pasi pjesa më e madhe e tyre vijnë nga rrethet për t'iu nënshtruar dializës në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Rruga për në spital dhe sidomos pas dializës, shpeshherë shoqërohet me rënie të tensionit, rënie të sheqerit apo probleme të ndryshme dhe si pasojë, udhëtimi me mjete publike nuk përballohet nga të sëmurët. Kjo kategori të sëmurësh ka ngritur edhe problemin e infeksioneve që marrin nëpërmjet gjakut. Në jo pak raste, së bashku me gjakun ata kanë marrë edhe hepatitin B e C.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)