E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet në Veri, për faqe të zezë

Pacientët në Veri të vendit, veç problemeve parësore, kanë edhe më shumë shqetësime të tjera nga zonat e tjera. Pothuajse të gjitha qendrat shëndetësore në Veri kanë probleme thelbësore.

Shqetësimet dhe mangësitë e sistemit shëndetësor i ka vendosur në dukje edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, përgjatë një vizite në qendrat kryesore në Has, Kukës, Tropojë.

Këto spitale, përveç se nuk kanë infrastrukturë, shkalla e shfrytëzimit është nën normale kanë edhe probleme të tjera.

Në spitalin e Hasit, Kukësit, Tropojës, nuk ka mjek, nuk ka mjete, nuk ka pajisje shëndetësore diagnostikuese, nuk ka infrastrukturë, në disa raste nuk ofrohen as shërbimet kryesore.

Në spitalin e Hasit, ministrja Godo takoi drejtuesit dhe mjekët e këtij spitali. Si problem kryesor u shtrua ai i burimeve njerëzore. Si një spital me 70% të përdorimit të shtratit, ky spital shihte emergjente nevojën e infermierëve, si edhe aparaturat për sallën e lindjes.

Ministrja Godo, pasi u njoh me problemet dhe foli nga afër me stafin për ecurinë e reformës spitalore, shprehu gatishmërinë për plotësimin e nevojave të këtij spitali.

"Jam e bindur që vjeshta do t‘i gjejë spitalet e rajonet jashtë krizës dhe të mbuluar më së miri. Do të doja edhe mbështetjen tuaj si për ecurinë e reformës ashtu edhe për të rikthyer marrëdhënien e mrekullueshme mes pacientit dhe mjekut. Le të kujtojmë të tërë betimin që kemi bërë, për të shpëtuar e mbrojtur jetë me çdo kusht", tha ministrja Godo.

Gjatë një vizite në spitalin rajonal të Kukësit, ministrja e Shëndetësisë, Godo, ka njoftuar për një riorganizim total të këtij spitali, duke bashkëngjitur aty edhe shërbimin gjinekologjik, si dhe ndonjë shërbim tjetër në mënyrë që shërbimi spitalor të bëhet më eficent. ‘Këtu kemi një ndërtesë më të madhe nga sa duhet dhe kjo do të thotë harxhim më së koti të ambienteve, por edhe të punës dhe burimeve njerëzore dhe fonde, kështu që do të bëjmë një riorganizim që materniteti të vijë këtu dhe besojmë që puna do të bëhet më eficente", tha Godo. Ajo pa nga afër disa reparte të këtij spitali ku vërejti faktin që në pavijone me kapacitet prej dhjetëra vendesh shfrytëzimi është në përqindje shumë të vogël.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka vizituar dje spitalin e qytetit të Bajram Currit në Tropojë, ku ka pohuar se ka një mungesë të madhe specialistësh dhe mjetesh çka detyron pacientët të ndërmarrin udhëtimet të gjata, shpesh edhe të vonuara, drejt Tiranës apo Prishtinës. Aktualisht me infrastrukturën rrugore të zonës, më shpejt mund të mbërrihet në Tiranë apo Prishtinë sesa në Kukës ku është një spital rajonal dhe ku mund të gjenden shërbime më të specializuara se në Bajram Curr. Por Godo tha se në ditët në vijim, do të zgjidhej të paktën problemi i kuadrit mjekësor, duke i dërguar mjekë nga Tirana, me motivime të pagës së mirë sigurisht, si dhe duke pajtuar me kohë të pjesshme edhe mjekë të spitalit të Gjakovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›