E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA përjashton për tetë vjet Pobeban

Klubi maqedonas FK Pobeda është përjashtuar nga kompeticionet e UEFA-s për klube (Kupat e Evropës) për tetë vite me vendimin e Organit të Kontrollit dhe Disiplinës së UEFA-s, ndërsa presidenti dhe një lojtar u pezulluan për jetë dhe nuk do të ushtrojnë role lidhur me futbollin. Gjithçka sepse nuk kanë respektuar principet e integritetit dhe besueshmërisë në Artikullin 5 të rregullores disiplinore të UEFA-s, pasi manipuluan rezultatin e një ndeshjeje.

Ndeshja e trukuar

Ndeshja nën hetim i përket turit të parë eliminator të Champions League, maqedonasve të FK Pobeda e armenëve të FC Pyunik, e luajtur, vajtje dhe ardhje, më 13 e 21 korrik 2004. Atë ditë te "Snai" (agjenci italiane bastesh) e kujtojnë mirë. Më pas e kanë kuptuar se pse aq shumë sllavë ishin vënë në radhë për të vënë baste. Një kuotë astronomike për 2-shin, një 6,50 e bukur, e cila do të pasuronte të mirinformuarit. Dhe kështu përfundoi: një rezultat befasues 1-3, një det me para në xhepat e bastexhinjve. Rreth 2 milionë euro të derdhura vetëm nga agjencitë e Romës dhe përreth. Akuzat kundër Pobedas janë bazuar në relacionet e agjencive të basteve mbi operacione të parregullta dhe mbi deklaratat e shumë dëshmitarëve.

Vendimi i UEFA-s

Ky vendim u mor pas mbledhjes 7-orëshe, gjatë së cilës përfaqësuesit e FK Pobedas janë dëgjuar, së bashku me një ekspert bastesh. Sipas vendimit të Disiplinës së UEFA-s, presidenti i klubit maqedonas, Aleksandar Zabrcanec, është pezulluar përgjithmonë dhe nuk do të zhvillojë më kurrë një aktivitet lidhur me futbollin, ashtu sikurse edhe futbollisti Nikolce Zdraveski. FK Pobeda nuk do të marrë pjesë për tetë vite në kompeticionet e UEFA-s për klube, duke filluar nga sezoni 2009/10. Organit të kontrollit të futbollit botëror në FIFA do t‘i kërkohet ta miratojë këtë vendim për ta bërë të vlefshëm botërisht.

Reagim i Platinisë

Pas vendimit të Disiplinës, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka shprehur opinionin e tij: "E pres me kënaqësi vendimin e rreptë të Disiplinës për të ndëshkuar ashpërsisht çdo klub apo individ, që manipulon një ndeshje futbolli. Ky ndëshkim jep një sinjal të fortë e të qartë dhe thotë se UEFA nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të dyshimtë, që kërkon të influencojë rezultatet e një ndeshjeje". Kjo politikë u shoqërua me vendime të ndryshme, të marra nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, që përfshijnë shtimin e inspektorëve disiplinorë për të hetuar mbi aktivitete të paligjshme bastesh dhe zgjerimin e Sistemit të Kontrollit Frodi në të gjitha kampionatet evropiane të kategorisë së parë dhe të dytë, ashtu sikurse edhe ndeshje e kupave kombëtare. "Askush nuk duhet të ketë dyshim mbi faktin se UEFA do të bëjë maksimumin për të siguruar integritetin e ndeshjeve të futbollit në Evropë dhe se do të aplikojë të gjitha masat e nevojshme", shtoi Platini.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›