Në Kinë, "pole" për Vetelin
"Energia Red Bull", nuk bëhet fjalë për një spot. Është ajo çfarë u pa në Kinë gjatë provave të garës së tretë të sezonit. Vendi i parë i takon një Sebastian Veteli shpërthyes, i dyti në karrierë pas atij (më befasuesit) të Monzës vitin e kaluar. "Nuk ka qenë e lehtë, pata disa probleme. Por ishim të shpejtë. Gjithçka shkoi mirë edhe për shokun tim të skuadrës, Veber. Jam i lumtur për ‘pole‘-n dhe falënderoj mekanikët", pohon Vetel. Gjermani i tmerrshëm ka lënë pas Renaultin e Fernando Alonsos, i ngarkuar me pak karburant. I kënaqur është edhe kampioni spanjoll: "Ishte një fundjavë e çuditshme. Jemi të lumtur, kemi punuar gjithë natën". Vendimi për vlefshmërinë e difuzorëve duket se i ka dhënë krahë një veture, që vuante si të mëdhatë e tjera. I treti, shoku i skuadrës së Vetel, Mark Veber. Red Bulli, skuadra e përshirë në kontestimin e difuzorëve, ka marrë një rezultat të jashtëzakonshëm. Ky ishte konfirmimi se, projektet e Adrian Njuei janë ende fitues. Dhe sot, nuk është e thënë se festa ka mbaruar. BraunGP dje nuk ka shkëlqyer dhe renditet në vendin katërt e të pestë me Barrikelon e Baton. Të dy pilotët janë parë të qetë sa i përket strategjisë së zgjedhur. Vendi i gjashtë për Tojotën e Jarno Trulit. Më pas është Niko Rosberg me Uilliams dhe më në fund Ferrari i parë, ai i Kimi Raikonen. Pas Kimit, MekLareni i Luis Hemilton. Bëhet fjalë për një tjetër dështim të "Kokë Kuqes". Finlandezi ka luftuar, por nuk ka mundur të bëjë më shumë, edhe pse ka pasur probleme me kambion. Felipe Masa e ka mbyllur i 13-i, gati një sekondë pas Vetelit, që ka bërë kohën më të mirë. Ai ka shpjeguar se "kam bërë një gabim, nuk kam përmirësuar, ndaj dhe u riktheva në bokse. ‘Kers‘-at? Është më vështirë pa to, sepse humbasim fuqi dhe të qindta kohe të vlefshme". Momentin e vështirë te "Cavallino" nuk e fshehin. "Nuk shkoi keq, thotë Raikonen. Tani na mungon shpejtësia. Nuk jam i bindur nëse me ‘kers‘ do të ishim më mirë". Zhgënjyese edhe prova e BMV-së: Heidfeld është i 11-i, Kubika i 18-i. Sot, në orën 09:00, është gara.