E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, zbardhet rritja e pagave për 11 mijë punonjës

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-09-2011 12:44

Mbi 11 mijë punonjës të spitaleve në mbarë vendin do të përfitojnë rritje page. Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), ka miratuar rritjen e pagave për mjekët e spitaleve, e cila arrin në 15% për mjekët e qendrës më të madhe spitalore universitare, asaj “Nënë Tereza” në Tiranë. Rritja është bërë bazuar në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave për shërbimin spitalor, për vitin 2011, dhe pas përllogaritjeve ISKSH ka detajuar pagat e reja për të gjitha kategoritë e mjekëve të sistemit spitalor. “Këshilli Administrativ i ISKSH-së ka miratuar ditën e mërkurë rritjen e pagave për mjekët e spitaleve, të cilat arrijnë deri në 15% rritje page në QSUT, duke u bazuar në përparësitë e përcaktuara nga qeveria. Rritja e pagave nis që prej 15 korrikut 2011 dhe efektet financiare mbulohen nga ISKSH. Efektet financiare mujore arrijnë në rreth 25 milionë lekë ose deri në fund të vitit 2011 arrijnë shumën 115 milionë lekë”, - sqaron drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana. Sipas saj, nga kjo rritje page përfitojnë 11 888 punonjës të spitaleve në mbarë vendin. Mbështetur në tabelat e pagave rezulton se rritjet në vitin 2011 krahasuar me vitin 2010 variojnë sipas kategorive. Kështu, për personelin e QSUT, Materniteteve nr.1 dhe nr.2 dhe Sanatoriumit: për shefat e shërbimeve rritja është 15% ose në vlerë absolute 12 000 lekë në muaj, duke shkuar në rreth 830 mijë lekë për mjekët me vjetërsi pune 25 vjet; për shefat e reparteve rritja është 10.6%-11.3% ose në vlerë absolute 7600 lekë në muaj; për mjekët rritja është 10.5% deri në 11.2% ose në vlerë absolute 6500 lekë në muaj; për personelin e infermierëve, rritja për kryeinfermierët është 2.9% deri në 3.1% ose në vlerë absolute 1500 lekë në muaj; për infermierët rritja është 2.7%-3.2% ose në vlerë absolute 1100 deri 1150 lekë në muaj; për personelin tjetër deri në 4- 5% ose rreth 1100-1400 lekë në muaj. Për personelin e spitaleve të tjera rritja është: shefat e shërbimeve, 5.51%-5.85% ose 3750 lekë në muaj; për shefat e reparteve, 5.61%-6.15% ose 3200 lekë në muaj; për mjekët, 5.61%-6.15% ose 3200 lekë në muaj; kryeinfermierë, 2.44%-2.94% ose 1100 deri 1500 lekë në muaj; infermierë, 2.42%-2.91% ose 1100-1150 lekë në muaj; për personelin tjetër deri në 5% ose rreth 1100-1400 lekë në muaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›