Greqia: Pas 90 ditësh nisim kërkimet në Jon
Athinë Zv.ministri i Energjisë, Mjedisit dhe Ndryshimeve klimaterike i Greqisë, Yiannis Maniatis, gjatë një interviste për radion ΒΗΜΑ 99,5 (Dhima 99,5) ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e interesuara për kërkimin e naftës dhe gazit në det kanë 90 ditë kohë për të paraqitur dokumentet e tyre për të kryer studimet sizmike në zonën ku mendohet se ka gaz natyror dhe naftë. “ Kërkimet për naftë dhe gaz janë në dy faza të ndryshme. Së pari është studimi sizmik, i cili do të identifikojë se ku dhe sa të arsyeshme janë vendburimet e naftës. Faza e dytë është ajo e shpimit, ku rezultatet e studimeve të para të bëra nga kompanitë e naftës do të vihen në zbatim dhe do të jenë kompanitë e interesuara ato që do të vijnë të investojnë për shpimin e burimeve për të nxjerrë gazin natyror dhe naftën.” – deklaroi Maniatis. Ai shtoi se kërkimet do të bëhen në detin Jon dhe në jug të ishullit të Kretës, duke u shprehur se nuk do të ketë konflikte me Turqinë, por duke mos përmendur në asnjë rast debatin ende të hapur për kufijtë detarë me Shqipërinë. Gjithashtu zëvendësministri deklaroi se zona e kërkimit është praktikisht gjysma e zonës detare të Greqisë, ku kufijtë janë me Shqipërinë, Italinë dhe Libinë dhe se kërkimet ndalen përpara kufijve të Greqisë me Egjiptin. Zëvendësministri i Energjisë, Mjedisit dhe Ndryshimeve klimaterike i Greqisë, Yiannis Maniatis, u shpreh optimist për gjetjen e një sponsori për këto kërkime, duke vënë dhe një herë në dukje me këtë deklaratë situatën e rëndë ekonomike ku është Greqia. “Ne, pas një mungese prej gati 15 vitesh, nisëm punë për kërkimin e burimeve të gazit dhe naftës dhe shumë shpejt do të nisë puna. Realisht shpresoj që deri në fund të vitit do të kemi një sponsor. Pra, deri në fund të verës së vitit të ardhshëm ne do të kemi rezultatet e kërkimeve që dhe do të dimë vendet se ku kemi burime dhe sasinë e tyre.” – mbylli deklaratën e tij Maniatis.