Masterat, ndarja e 15 mijë kuotave dhe tarifat sipas universiteteve
Miratohen kuotat e pranimit dhe tarifat e studimit për Masterat Shkencor dhe Profesional, për vitin e ri akademik, në universitetet publike. Sipas vendimit të miratuar dje edhe nga Këshilli i Ministrave, 15 mijë studentë do të kenë mundësi të ndjekin masterat për këtë vit. Kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë, Master Profesional, për vitin 2011-2012 do të jenë 8 898. Këto kuota do të ndahen si më poshtë vijon: kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit Master Profesional, 8608; kuotat për programe të dyta studimi, 100; kuotat për transferimin e studimeve, 100; kuotat për të huajt, 50; kuotat për të verbrit, 20; kuotat për romët/ballkano-egjiptianët, 20. Nga kuota totale e pranimeve të reja për programet e studimit Master Profesional, 8 200 do të jenë për kandidatët brenda vendit, dhe 408 për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit. Kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë, “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura”, për vitin 2011-2012, do të jenë 6676. Këto kuota do të ndahen si më poshtë vijon: kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Shkencave”, 6386; kuotat për programe të dyta studimi, 100; kuotat për transferimin e studimeve, 100; kuota për shtetas të huaj, 50; kuotat për personat që nuk shikojnë, 20; kuotat për romët/ballkano-egjiptianët, 20. Nga kuota totale e pranimit për Masterat Shkencorë, 6082 do të jenë për aplikantët brenda territorit të vendit dhe 304 për aplikantët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit. Tarifa totale e shkollimit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, “Master Profesional”, si dhe për ato “Master i Shkencave”, do të paguhet e njëjtë, si në rastet kur kohëzgjatja normale e programit të studimit është 1,5 vite akademike për Masterin Profesional, apo 2 vite akademike për Masterin Shkencor, ashtu edhe në rastet kur programi i studimit zgjat më shumë, pasi është ofruar me kohë të pjesshme. Pagesa e tarifës do të bëhet me këste të përcaktuara nga universiteti, ndërsa pas përfundimit të kohëzgjatjes së paracaktuar të programit të studimit, studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës, paguajnë vetëm tarifën për kredit të lëndëve të prapambetura. Kandidatët që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, “Master Profesional”, “Master i Shkencave”, në institucionet publike të arsimit të lartë, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë, apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve e rënë për shkak të detyrës e të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Ndërkaq, në çdo program studimi Master Profesional studentët e vitit të parë që kanë përfunduar me Medalje të Artë ciklin e parë të studimeve dhe studentët e vitit të dytë që kanë përfunduar shkëlqyeshëm vitin e parë, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik 2011–2012. Po ashtu, në çdo program studimi të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, studentët e vitit të parë që kanë përfunduar me Medalje të Artë ciklin e parë të studimeve dhe studentët e vitit të dytë që kanë përfunduar shkëlqyeshëm vitin e parë, nuk paguajnë tarifën e shkollimit për kredite, të llogaritur për të gjitha lëndët/provimet, pjesë e programit, në vitin akademik 2011-2012.