E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armitage-Berishës: BB gati projektet për ujësjellësit e vendit

Gjatë takimit të djeshëm që drejtoresha e Bankës Botërore dhe koordinatorja Rajonale për Europën Jugore, Jane Armitage, pati me kryeministrin, Sali Berisha, bëri me dije se po përgatiten disa projekte për përmirësimin e furnizimit me ujë në qytetet kryesore, të shoqëruara me masa për rritjen e performancës së ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizime në ofrimin e shërbimeve. Armitage u shpreh gjithashtu se investimet e bëra në infrastrukturë janë impresionuese, të cilat i kanë dhënë një shtysë të madhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Sipas saj, mbështetja e Bankës Botërore do të vazhdojë në sektorët kyç, si nëpërmjet investimeve ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve menaxhuese të institucioneve. Kryeministri Berisha theksoi se është bërë progres i dukshëm në ecurinë e projekteve në fusha të tilla si arsim, bujqësi, infrastrukturë, reformat ekonomike dhe sociale. Kryeministri përmendi vëmendjen maksimale që i ka kushtuar reformës së menaxhimit të tokës dhe se Task Forca e drejtuar prej tij do të monitorojë në mënyrë rigoroze ecurinë e reformës si edhe të projektit të BB që e mbështet atë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›