Spitalet zvarrisin procedurat për sigurimin e barnave në kohë
25/07/2011 Propozohet zgjatja në kohë 1-3 vite e afateve të furnizimit për grosistët që fitojnë tenderat
Pjesa dërrmuese e institucioneve spitalore në vend po përballen me mungesa të theksuara medikamentesh që nevojiten për trajtimin e pacientëve, të cilët detyrohen të shkojnë drejt privatit për t’i siguruar. Drejtuesit e spitaleve mungesën e barnave e justifikojnë me vonesat dhe procedurat burokratike në realizimin e tenderave që finalizojnë furnizimin e pavijoneve me medikamentet më të domosdoshme. Por ky pretendim, sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, është vetëm një justifikim. Këta të fundit u kanë kërkuar spitaleve në vend që të kryejnë në kohë të gjitha procedurat e tenderave për sigurimin e barnave, duke lënë mënjanë justifikimet për ndryshimin e ligjit, pasi ndikon në shfaqjen e vonesave për furnizimin e pavijoneve me medikamente. Kundrejt kësaj situate kreu i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero ka pohuar se drejtuesit e spitaleve duhet të tregohen më të kujdesshëm që të lidhin kontratat për medikamentet në afatet e duhura kohore dhe të mos kërkojnë ndryshimin e ligjit të prokurimeve. Kjo pasi në dyert e këtij institucioni gjatë kohëve të fundit kanë mbërritur me dhjetëra ankesa në lidhje me mungesat e barnave që nuk gjenden në farmacitë e spitaleve. Sipas Piperos, nuk duhet të ketë justifikime, pasi ligji është shumë i mirë për kohën, vetëm se drejtuesit e spitaleve e zvarritin zbatimin e tij në kohë. “Duhet rritur përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e autoriteteve apo institucioneve drejtuese dhe jo të shikojmë pse nuk furnizohen spitalet në kohë me ilaçe dhe të themi se është ligji i keq. Përkundrazi, ligji është më i miri i mundshëm për kohën tonë. Është elektronik, transparent, i drejtpërdrejtë dhe i barabartë për të gjithë”, - shprehet Pipero. Më tej ai shton se në këtë rast përjashtim mund të bëhet vetëm për qendrat e mëdha spitalore, frekuentimi i të cilave është masiv, çka kërkon vazhdueshmëri të sigurimit të barnave për të gjitha shërbimet shëndetësore që ofrohen në to. Për të sistemuar këtë situatë është menduar që procedurat e kontraktimit të firmave farmaceutike që sigurojnë medikamentet bazë sipas shërbimeve të bëhet me një afat më të gjatë kohorë. Kjo në mënyrë që të mos ketë intervale kohore ku spitalet të mbeten në krizë, duke mos disponuar edhe barnat më të thjeshta. Për këtë Pipero sqaron se po mendohet që kontraktimi me kompanitë që fitojnë tenderat për medikamente të zgjatet në kohë duke shkuar nga një deri në tre vjet. “Qendrat e mëdha spitalore, siç janë spitalet universitare, që mund të shikohet kontraktimi, por jo të ndryshohet ligji. Pra, nëse një operator farmaceutik fiton tenderin për një medikament kontraktimi, të mos jetë më 6-mujor apo 1-vjeçar, por të jetë më i gjatë. Është propozuar të jetë 1-3 vjet, që tenderi të mos bëhet disa herë dhe spitalet të furnizohen në vazhdimësi”, - shprehet Pipero. Megjithatë, nuk janë të pakta rastet kur vetë grosistët nuk sigurojnë futjen e një sërë barnash për shkak të çmimeve të ulëta. Gjatë viteve të fundit është konstatuar se ka pasur mungesë të disa medikamenteve bazë që konsiderohen të një çmimi të ulët. Zyrtarët e shëndetësisë pohojnë se po punohet për të gjetur mënyra të tjera zgjidhjesh të kësaj situate.