E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali Amerikan; Paraqet investimet e kryera në Shqipëri

Spitali Amerikan në Tiranë prezantoi dje shërbimet e reja dhe investimet e kryera në vendin tonë, gjatë një konference për shtyp, ku ishin të pranishëm krahas drejtorit të përgjithshëm, Klodian Allajbeu e kryetarit të bordit të Bedminster Capital Management, z. Ronald Drake, edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. John Withers, ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo dhe ministri i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa.

Dy ministrat e qeverisë shqiptare vlerësuan arritjet e spitalit amerikan në këto dy vitet e fundit dhe theksuan se qeveria shqiptare nuk do të kursejë ndihmën ndaj këtij institucioni që ka sjellë një dimension të ri në shërbimin spitalor dhe ka ulur shumë ndjeshëm numrin e pacientëve që largohen nga Shqipëria për t’u kuruar jashtë vendit.

Ministrja Godo vlerësoi standardet e larta të shërbimit në Spitalin Amerikan si edhe investimet e reja të BCM-së në qendrat satelitore spitalore në qytete të tjera të vendit.

Ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, pasi përshëndeti investimin amerikan, u ndal në arritjet e spitalit kryesisht në kardiologji dhe kardiokirurgji, në 21 departamentet shumë të rëndësishme të sapohapura pranë këtij spitali dhe në projektet ambicioze të kompanisë për të ardhmen.

Spitali Amerikan, i vendosur pranë mjediseve të Spitalit Ushtarak në Laprakë, në një sipërfaqe prej 5000 m2 do t’u shërbejë tashmë qytetarëve shqiptarë në një strukturë moderne, me një staf prej 150 punonjësish dhe në 21 specialitete të ndryshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›