E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Albtelekom” ul tarifat për telefoninë e internetin

“Albtelekom” ul tarifat e shërbimeve ndaj abonentëve. Drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom”, z. Mustafa Reshit Akdogan, në një dalje publike njoftoi për uljen e tarifave të telefonisë, si dhe të shërbimit të internetit ADSL. Agdogan tha se tarifat e telefonisë do të ulen si në linjat lokale, ato ndërkombëtare dhe brenda 3-mujorit të parë të vitit 2009 do të ketë internet në çdo vend dhe kjo me një tarifë shumë të reduktuar. Akdogan u shpreh se pas privatizimit, kompania ka realizuar një punë shumë të madhe në kryerjen e investimeve në rrjet. Sipas tij, “Albtelekom” ka realizuar ulje të tarifave të telefonisë fikse për klientët familjar dhe biznesit, ulje të cilat shkojnë deri në 57 %. Po kështu, ulje të ndjeshme janë bërë për shërbimin e internetit ADSL. Më konkretisht çmimet e ADSL janë ulur deri 80%. Nga ana tjetër, z. Akdogan iu përgjigj edhe interesimit të medias për projektet e kompanisë në lidhje me shtimin e kapacitete për telefoninë fikse. “Albtelekom” deri më tash numëron rreth 270 mijë abonentë të telefonisë fikse dhe brenda pak muajsh pritet të rritet ndjeshëm ky numër në Tiranë dhe Durrës. Akdogan tha dje se “në kuadër të projekteve tona për modernizimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e rrjetit, ne sapo kemi firmosur një protokoll edhe me Bashkinë e Tiranës. Brenda javës që vjen do të fillojnë punimet për projektin e zgjerimit të kapacitetit për kryeqytetin dhe zonat përreth, në fund të të cilit kapaciteti do të rritet me 200 mijë numra të rinj. Po kështu dua të shtoj gjithashtu se në fillim të muajit nëntor fillojnë punimet edhe në qytetin e Durrësit. Projekti për këtë qytet parashikonin shtimin e kapaciteteve me 140 mijë numra të rinj, të cilët do të plotësojnë kërkesat në këtë qytet. Pra, në total bëhet fjalë për 340 mijë numra të rinj që do të jenë gati brenda qershorit 2009”. Ai tha se po punohet për përgatitjen e studimeve dhe projekteve të ngjashme për të gjitha qytetet kryesore të vendit. “Qëllimi ynë nuk është vetëm ofrimi i një shërbimi të thjeshtë telefonik, por këtë shërbim ta ofrojmë me cilësi sa më të lartë dhe me çmime të ulëta”, - tha Akdogan.

Telefonia fikse, ulje deri në 57 për qind

Duke nisur nga 15 shtatori, “Albtelekom” është prezent në treg me tarifa më të ulëta në shërbimin e telefonisë fikse, për të gjithë klientët. Kompania ka vendosur uljen e çmimeve deri në 57 për qind. Tarifat e reja që do të aplikohen u mundësojnë familjeve shqiptare që të përfitojnë çmime shumë herë më të ulëta për thirrjet brenda rajonit, ashtu dhe me rajonet e tjera. Për të gjitha kategoritë e thirrjeve, kompania ka planifikuar tarifa më të ulëta se pajtimtarët e tjerë. “Albtelekom” ka menduar dhe për familjet që kanë njerëzit e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë, duke ulur tarifat dhe për thirrjet ndërkombëtare. Për bisedat drejt rrjeteve të tjera ndërkombëtare, ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë, kompania ka ulur çmimet deri në 15 për qind. Klientët tanë do të kenë mundësi të komunikojnë me të afërmit e tyre jashtë vendit me çmime shumë më të arsyeshme dhe ekonomike. Për të lehtësuar komunikimin e klientëve, kompania “Albtelekom” ka ulur ndjeshëm tarifat edhe për thirrje drejt operatorëve celularë vendas. Tashmë klientët tanë do të përfitojnë nga ulja e tarifave deri në 30 për qind për abonentët familjarë. Me tarifat e reja, abonentët tanë do të kenë mundësi të flasin më lirë me secilin prej operatorëve celularë. Gjithashtu, kompania ka ulur dhe tarifat për instalimin telefonik, nga 14 mijë lekë që ishte më parë, në 12 mijë lekë pas datës 15 shtator.

Interneti nga “Albtelekom”, 80% më i lirë

Akdogan veçoi dje faktin se pak kohë më parë, kompania aplikoi një ulje të madhe në tarifat e internetit, ADSL. Pasi u rrit cilësia e internetit, u hodhën në treg disa paketa në të cilat u aplikuan tarifa deri në 80 % më të ulëta. Tarifa e instalimit të ADSL-së pësoi një ulje nga 52 deri 71 për qind, ndërsa tarifat për paketat ADSL pa limit u ulën nga 50 deri 62 për qind. Nga ana tjetër, realizuam ulje të ndjeshme për produktin ADSL PRO, duke menduar t’u japim mundësinë bizneseve shqiptare, për të marrë shërbimin e internetit me çmime deri 80 për qind më të ulëta sesa ofroheshin para privatizimit të “Albtelekom” dhe me një kualitet shumë herë më të mirë.

Tregtia me Greqinë, në 8 muaj, 49.3 miliardë lekë vlera e shkëmbimeve

Shkëmbimet tregtare me Greqinë gjatë tetë muajve të vitit 2008 llogariten në vlerën e 49 miliardë e 301 milionë lekëve. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave Shqiptare (INSTAT), eksportet e Shqipërisë drejt vendit fqinj arritën në rreth 7 miliardë e 265 milionë lekë, ndërsa totali i importeve nga Greqia arriti në 42 miliardë e 36 milionë lekë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë muajit gusht të vitit 2008 importet nga Greqia llogariten në vlerën e 6 miliardë e 739 milionë lekëve, ndërsa eksportet në vlerën 791 milionë lekë. Referuar këtyre shifrave, Greqia vazhdon të mbetet partneri i dytë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë, mbas Italisë, që zë vendin e parë. Eksporti me Greqinë llogaritet në 10.2 për qind të totalit të eksporteve dhe importi në 19 për qind të totalit. Vendin kryesor në mallrat e importuara nga shteti fqinj e zënë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Importi i kësaj kategorie arriti për 8-mujorin e këtij viti vlerën e mbi 16 miliardë e 856 milionë lekëve. Ndërsa në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi "tekstile dhe këpucë". Eksporti i kësaj kategorie arriti për 8-mujorin vlerën e 2 miliardë e 687 milionë lekëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›