Vendimi i BSH-së, rritet transparenca dhe sigurohen depozitat deri në 2.5 milionë lekë
Ervin Koçi
Kriza financiare ndërkombëtare ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të tregohet energjike në marrjen e masave për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë ndaj produkteve bankare, si dhe të marrë masa për sigurimin e kursimeve të tyre. Burime zyrtare pranë BSH-së bënë të ditur dje se në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u mor vendimi për garantimin e 100 për qind të kursimeve të shqiptarëve për shumat deri në 2.5 milionë lekë. Kjo do të thotë që në rast se të gjithë klientët që kanë kursime nën 2.5 milionë lekë janë 100 për qind të sigurt. Ndërsa për ata që kanë kursime më shumë se 2.5 milionë lekë, kompensimi mbi këtë shifër do të jetë në përqindje. E njëjta shumë do të jetë e garantuar edhe për kursimet në euro ose dollarë. BSH-ja miratoi dje edhe projektrregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore për individët”, e cila ishte një paketë masash transparente që synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe klientëve të bankave private ndaj të gjitha produkteve bankare. Me anë të kësaj projektrregulloreje, BSH-ja synon që të stabilizojë tregun e kredimarrjeve dhe ta bëjë atë sa më transparent me qëllim që klienti të njohë përfitimet, por dhe detyrimet që i takojnë, si dhe se sa ai duhet të paguajë për një kredi bankare.
Depozitat
Kriza globale financiare, që ka përfshirë shumë banka të mëdha në botë, e ka detyruar Bankën Qendrore që të kërkojë ndryshimin e kufirit minimal të garantimit të depozitave të klientëve. Sipas projektit të BSH-së, klientët, depozitat e të cilëve janë deri në 2.5 milionë lekë, duhet të garantohen 100 për qind. Ndërsa për klientët, depozitat e të cilëve janë mbi këtë shumë, BSH-ja ka kërkuar që sigurimi i tyre të jetë në bazë të përqindjes, si p.sh 70 ose 80 për qind e shumës. Por ende nuk është vendosur përfundimisht se sa do të jetë masa e kompensimit për këto nivele depozitash. E njëjta gjë vlen edhe për depozitat në euro apo dollarë. Në ligjin aktual të sigurimit të depozitave është e parashikuar që për depozitat në vlerë deri në 350 mijë lekë, garantimi i tyre është 100 për qind. Ndërsa për depozitat deri në 700 mijë lekë, shuma e kompensimit, në rast falimentimi të bankës, është 80 për qind. Në fakt, kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë vjen pas vendimit të marrë nga shumë banka europiane, të cilat, si pasojë e krizës, rritën kufirin e sigurimit të depozitave të klientëve.
Kriza
Gjatë vitit të kaluar, shumë klientë të frikësuar nga kriza botërore u drejtuan drejt bankave për të tërhequr paratë e tyre. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë deklaratës së politikës monetare për 6-mujorin e dytë të 2008-s. Megjithatë, sipas guvernatorit, këto tërheqje parash nuk ishin në shuma të konsiderueshme. “Muajt e fundit të vitit 2008 u shoqëruan me tërheqjen e një pjese të vogël të depozitave nga sistemi bankar, si pasojë e paqartësisë që shkaktoi në shtresa specifike të popullsisë situata financiare globale. Në terma relativë, këto tërheqje kanë përbërë një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare dhe nuk kanë ndikuar në treguesit e shëndetit të sistemit bankar apo cenuar aftësinë e tij për të kryer rolin e ndërmjetësit financiar”, - ka deklaruar guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
12 Shkurt 2009