E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi për qendrën e Durrësit, zbardhen gjurmët e konfliktit të interesit



Habjon Hasani

Tiranë - Konkursi për projektin mbi qendrën “Iliria” të qytetit të Durrësit ka ngritur dyshime te disa konkurrentë pjesëmarrës në të, pasi ata kanë vërejtur se ndryshe nga sa parashikonin rregullat e konkursit, ka pasur konflikt interesi mes anëtarëve të jurisë dhe disa subjekteve konkurruese. Ky konkurs përfundoi (etapa finale) më datën 31 janar të këtij viti dhe fitues u shpall projekti me moton “Folding”, e studios së arkitekturës “Mikele Kro” nga Roma. Kjo studio drejtohet nga zoti Mikele Kro. Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit shpalli që në fillim se do të ishte Instituti Italian i Arkitekturës (INARK) ai që do të supervizonte dhe do të jepte garanci. “INARK do të ketë rolin e një drejtuesi dhe garanti për cilësinë dhe rezultatet e punës së jurisë”, - shkruhet ende sot në faqen elektronike të kësaj bashkie. Por, gazeta “Albania” disponon sot dy letërkëmbime elektronike mes dy konkurrentëve të tjerë pjesëmarrës në garë dhe nënkryetarit të Bashkisë, Adrian Çela (përgjegjës i konkursit). Në këto e-mail-e, të cilat u janë ridërguar dhe konkurrentëve të tjerë, përfaqësuesit e dy firmave artikulojnë habinë e tyre mbi lidhjet e hershme të punës ndërmjet përfaqësuesit të INARK-ut (Institutit që do të supervizonte jurinë), zotit Luka Zevi dhe firmës fituese “Mikele Kro”. Pasi u njoh me këto pakënaqësi nga ana e dy firmave të sipërpërmendura, “Albania” kontaktoi nënkryetarin e Bashkisë Durrës, zotin Adrian Çela, dhe i dërgoi atij në rrugë elektronike disa pyetje që lidheshin pikërisht me këto lidhje, që rezultojnë në kundërshtim me rregullat e konkursit. Nga ana e tij, zoti Çela refuzoi të kthente përgjigje me e-mail, duke e ftuar gazetën që të paraqitej pranë Bashkisë dhe të verifikonte nga afër dokumentacionin që ky institucion disponon për këtë konkurs. Zoti Çela refuzoi kategorikisht mundësinë e ekzistencës së një konflikti interesi, duke këmbëngulur se nuk janë shkelur rregullat dhe nuk është favorizuar asnjë konkurrues nga ana e jurisë, duke i konsideruar edhe letërkëmbimet mes tij dhe dy konkurrentëve të pakënaqur si jodomethënëse. Zoti Çela i tha gazetës “Albania” se ishte i gatshëm të bënte çdo argumentim dhe shpjegim të nevojshëm lidhur me interesimin tonë në dritën e fakteve dhe dokumenteve zyrtare që disponon Bashkia, dhe jo nëpërmjet kthimit të përgjigjes ndaj pyetjeve të gazetës me e-mail. “Albania” gjithsesi ngelet e hapur që Bashkia e Durrësit të thotë fjalën e saj lidhur me këtë çështje, në çdo moment që kjo bashki do ta shohë të arsyeshme.
Letërkëmbimi
Studioja italiane “Pinjati”, e cila u kualifikua si e treta nga juria, i dërgoi pas konkursit një letër elektronike nënkryetarit të Bashkisë, Çela. E njëjta letër iu dërgua për dijeni dhe konkurrentëve të tjerë në konkurs. Presidenti i kësaj studioje, zoti Pinjati, ndër të tjera shkruante në këtë e-mail: “Për fat të keq nuk mund të mos mendoj se ky konkurs përfundoi me një hije dyshimi. Edhe pse e dija që në fillim, dje, nëpërmjet internetit, konfirmova se firma fituese ‘Mikele Kro’ kishte bashkëpunuar ndër vite në konkurse projektimi me Luka Zevin (përfaqësuesin e INARK-ut, supervizues i jurisë). Theksoj se Mikele (presidenti i firmës fituese) ngelet një person shumë serioz dhe i besueshëm, por ja që ngelet ky dyshim që s’mund të neglizhohet kollaj. Si arkitekt italian më vjen shumë keq që ne eksportuam edhe në Durrës nivelin tonë të ulët të menaxhimit të konkurseve, sepse ju e dini se në Itali shpeshherë anëtarët e jurive janë të lidhur në shumë mënyra me konkurrentët”. Ekzaktësisht në këtë kontekst e ka shprehur shqetësimin e saj dhe studioja konkurruese angleze “3W”, projekti i së cilës u rendit në vendin e dytë.
Rovigati
Konkursi për qendrën “Iliria” u zhvillua në dy faza. Faza e parë ishte në mesin e vitit 2008, ku u paraqitën 36 studio projektimi, nga të cilat konkursi përzgjodhi pesë projektet më të mira. Faza e dytë u zhvillua më 31 janar 2009, ku u shpall dhe fituesi. Juria kishte përbërje të larmishme, ndërsa përpos jurisë ishte dhe “Komisioni i Vlerësimit Shkencor dhe Teknik”, i përbërë nga Adrian Çela, Ina Xhakoni dhe Piero Rovigati. Ky i fundit ishte pajtuar si përgjegjës i adresarit shkencor të konkursit. Por, nga shqyrtimi i të dhënave, rezulton se zoti Karlo Poci, një tjetër përfaqësues studioje, konkurrent deri në fazën e parë (ku konkurruan 36 firma), ka bashkëpunuar pikërisht me zotin Rovigati për masterplanin e qendrës së Durrësit. Sipas të dhënave kjo firmë u skualifikua në fazën e parë, megjithatë, pjesëmarrja e saj deri në fazën e parë duket se sjell sërish në vëmendje një tjetër konflikt interesi. Madje një tjetër element i veçantë lidhet me vetë zotin Rovigati. Ai, pasi u njoftua me e-mail lidhur me pakënaqësitë që shprehën dy firmat konkurruese (Pinjati dhe 3W), nga ku më pas u ktheu atyre një përgjigje tejet interesante, ku ndër të tjera i këshillonte se “është më mirë për të gjithë ne që t’u japim fund këtyre diskutimeve.... dhe të mendojmë për të ardhmen e qytetit të Durrësit”. Një përgjigje paksa e çuditshme nga zoti Rovigati, që ishte anëtar i “Komisionit teknik dhe shkencor”, i cili, ndër të tjera, hartoi dhe rregullat e konkursit, ku që në fillim kërkohej përjashtimi i menjëhershëm i firmave dhe anëtarëve të jurisë me konflikt interesi, ose të paktën vetëdeklarimi paraprak i këtyre lidhjeve të hershme nga firmat ose anëtarëve të jurisë.

Procedura e vlerësimit dhe juria e konkursit

Kriteret e vlerësimit të fazës së parë dhe të dytë. Juria do t’i zgjedhë projektet duke u bazuar në cilësinë, risitë dhe përputhshmërinë me temat e konkursit të përcaktuara në pikën 8. Juria e fazës së parë dhe të dytë do të përbëhet nga ekspertë me famë internacionale, që u përkasin sektorëve të ndryshëm në lidhje me temat e shpalljes. Juria paraprihet nga kryetari i Bashkisë të Durrësit dhe më pas pjesëtarë të tjerë, si: përfaqësues të Ministrisë të Punëve Publike, Instituti Kombëtar i Monumenteve dhe Arkeologjisë të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësues të universiteteve shqiptare. INARK do të ketë rolin e një drejtuesi dhe garanti për cilësinë dhe rezultatet e punës së jurisë. Rezultatet e konkursit të të dyja fazave do të publikohen në sitin zyrtar të Bashkisë të Durrësit dhe atë të konkursit.

BOX
Organizatorët e konkursit për sheshin “Iliria”

Supervizimi dhe përgjegjësit
Bashkia Durrës, INARK – Instituti Nacional i Arkitekturës

Përgjegjës i konkursit:
Inxh. Adrian Çela, nënkryetari i Bashkisë Durrës

Sekretaria e konkursit:
Ina Xhakoni, Zyra e Urbanistikës, Bashkia Durrës

Konsulentët shkencorë për përpilimin e shpalljes:
Prof. Piero Rovigati, Universiteti i Kietit dhe Peskarës, Fakulteti i Arkitekturës, DART

Pesë projektet konkurruese për sheshin “Iliria”

Projekti që u shpall fitues, me moton “Folding” e studios së arkitekturës “Michele Cro” nga Roma. Kjo studio, e drejtuar nga Michele Cro dhe bashkëpunëtore me studion “Idea Verde”, ka punuar projekte sheshesh publike dhe godina të ndryshme në Romë, Venecia, Barcelonë etj. Ky projekt parashikon disa rreshta pemësh në anën lindore si një vend pushimi i ndarë nga rruga e makinave, në pjesën perëndimore një shëtitore dhe gjithçka përfshihet në një shtresë gjigante të mbuluar në disa pjesë me bar, kalldrëme, gurë, mozaikë etj.

Projekti me moton “Sun Dial” i studios së arkitekturës “3W Architecture Limited” nga Britania e Madhe. Kjo studio, që ndodhet në Londër, ka projektuar një sërë sheshesh dhe objekte private e publike në Londër, Bristol, Venecia, Dublin etj. Studioja drejtohet nga arkitektët Christian Coop dhe Thoma Papa. Ky projekt ambicioz parashikon ndërtimin e orës solare më të gjatë në botë, që do të jetë një kullë çeliku në qendër me lartësi 70 metra dhe nga pasqyrat e saj do të reflektohen pamjet e objekteve kryesore në shesh. Projekti parashikon edhe shëtitore për këmbësorë, shëtitore arkeologjike, lulishte me palma dhe pjesë ujore (në formë minipishinash) në shesh.

Projekti i studios italiane të arkitekturës “Ottopignatti Studio Associato”, me moton “Con Shesh Temporary”. Kjo studio, me qendër në Romë, ka kryer shumë projekte sheshesh publike, porte dhe ndërtime të tjera në Romë, Verona, Peruxhia, Ankona etj. Kjo studio drejtohet nga arkitektët Lorenzo Pinjati Morano dhe Otone Pinjatti. Ky projekt parashikon një shesh të boshatisur nga funksionet e tjera, përveç atij të grumbullimit të njerëzve për festa apo aktivitete të veçanta në qendër, parkun arkeologjik dhe lulishten në pjesën perëndimore dhe vendin e aktiviteteve, teatër, skena spektaklesh e tij në pjesën lindore.

Projekti me moton “Linea D’Ombra”, nga studioja e arkitekturës portugeze, e quajtur “Da arquitectos”. Kjo studio projektimi me qendër në Lisbonë ka eksperiencë në sheshe publike e godina banimi dhe drejtohet nga arkitektët Ivan de Sousa dhe Ines Antunes. Kjo studio ka projektuar disa sheshe publike në Lisbonë, Romë, Granada, Milano etj. Ky projekt parashikon ndërtimin e një shkallare të gjatë në pjesën perëndimore, që arrin kuotën e xhamisë dhe lulishtes, duke e integruar këtë pjesë në shesh, një shëtitore të mbuluar në pjesën lindore si dhe një godinë të re të lartë sa ndërtesa e Prefekturës, ku parashikohet të vendoset biblioteka etj.

Projekti me moton “Suoli Sensibili”, i studios italiane të arkitekturës “Mascino e Agnoletto”. Kjo studio, që ndodhet në Venecia, drejtohet nga arkitektet Laura Mascino, Barbara Agnoletto, Giulia Lobba dhe Anna Paola Pola. Kjo studio ka projektuar sheshe dhe vepra të tjera private e publike në Venecia, Romë, Milano, Japoni etj. Ky projekt parashikon një shesh të pakalueshëm në rrugë makinash, por ku do të kryhen shumë aktivitete. Ai është i bazuar në theksimin e rruginave të këmbësorëve, theksimin me bordura zbukuruese të institucioneve, lulishte në qendër të sheshit etj.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›