E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: “Kreditimi i ekonomisë, në parametra normalë”



Ngërçi i vënë re muajt e fundit në kreditimin e ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë është tejkaluar. Këtë pohim e ka bërë vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve bankare dhe financiare në qytetin e Elbasanit. Ai ka dhënë garanci të plota se kreditimi i ekonomisë do të vazhdojë në parametra normale, kjo falë stabilitetit financiar dhe imunitetit të sistemit bankar shqiptar.”Ne nuk kemi lejuar që biznesi shqiptar të kreditohet me para të ardhura nga jashtë dhe kjo nuk i ka kontraktuar bankat tona në raport me bankat mëmë. Bankat tona kanë marrë garancinë se do të ndihmohen nga bankat mëmë”, - ka deklaruar guvernatori Fullani. Ai ka kërkuar nga bizneset të jenë më të vëmendshme ndaj sinjaleve të Bankës Qendrore, për të shmangur humbjet e shkaktuara nga luhatjet në kursin e këmbimit. “Kur Banka e Shqipërisë të thotë që mos merr kredi në euro, atëherë ji më i vëmendshëm për të mos vuajtur më pas pasojat e pozicionimit të kundërt”, - tha më tej guvernatori. Sipas tij, ekonomia shqiptare ka filluar të ndiejë efektet e krizës globale dhe kjo vihet re në rënien e kreditimit të ekonomisë, uljen e dërgesave nga emigrantët dhe ngadalësimin e import-eksporteve. Për të frenuar një impakt negativ të kësaj krize, guvernatori ka kërkuar kontributin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në treg.

Qeveria miraton privatizimin e paketës së aksioneve shtetërore të Albtelekomit

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për shitjen e paketës së aksioneve shtetërore prej 24 për qind, pranë shoqërisë së telefonisë fikse në vend “Albtelekom”. Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë se, "praktika tregon se është një mendësi tejet e tejkaluar aksionerizimi i qeverisë. Ndaj, pas një procesi shumë të suksesshëm me AMC-në, duhet të presim një proces tjetër të suksesshëm me shitjen e aksioneve të qeverisë në Telekom". Albtelekom është licencuar nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve për ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse që prej vitit 1992, ndërsa me 16 shkurt 1999, kompania u emërtua "Albtelekom" me statusin e shoqërisë anonime. “Albtelekom” është operatori publik me veprimtarinë më të madhe në telefoninë fikse në vendin tonë që ofron shërbimet në të gjitha zonat urbane të vendit, ndërkohë që përmes marrëdhënieve të interkonjeksionit me operatorët e tjerë ruralë shtrin shërbimet e telekomunikacionit pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Aktualisht, kompania ka filiale në qendrat kryesore të vendit, nga ku mundëson të gjitha shërbimet. Aktiviteti kryesor i saj është i përqendruar në shitjen e shërbimeve të telekomunikacioneve, në trafikun telefonik, dhënien me qira të linjave dhe kapaciteteve të transmetimit, si dhe në ofrimin e interkonjeksionit për të gjithë operatorët publikë të licencuar nga ERT-ja. Kontrata për privatizimin e “Albtelekom”-it u ratifikua nga Parlamenti Shqiptar, ndërsa “Çalik” dhe “Turk Telekom” u bënë pronare të 76 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë fikse, “Albtelekom”. Rreth 10 për qind e vlerës së privatizimeve do të përdoren si fond shtesë për kompensimin e ish-pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›