E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi, “Cosmote” tani pronare e plotë e aksioneve të AMC-së



Kompania “Cosmote Mobile Telecommunications SA” ka blerë për 48.2 milionë euro 12.6 për qind të aksioneve që shteti shqiptar ka në kompaninë e telefonisë celulare “AMC”. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, e konsideroi mjaft të suksesshme shitjen e aksioneve shtetërore pranë “AMC”-së dhe një provë në besimin e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Duke e cilësuar situatën ekonomike të vendit si një moment mjaft të mirë, zëvendësministri Bozdo theksoi: "E gjitha kjo merr vlerë të dyfishtë ndërsa ekonomia europiane, por edhe e disa vendeve të rajonit, po shfaq shenja të recesionit". Bozdo tha se në procedurat e garës u përfshinë kompanitë “Nexus Private Equity Partner”, “Bedminster Capital Management”, “Axos Capital GmbH”, si dhe fituesja “Cosmote Mobile Telecommunications SA”. Procesi i privatizimit për pjesën e mbetur të aksioneve shtetërore prej 12.6 për qind pranë kompanisë celulare “AMC” filloi në korrik të vitit 2008. Për këtë u miratuan aktet nënligjore përkatëse, në përputhje me të cilat u realizuan procedurat e transferimit të kësaj pakete. Ky proces u mbështet nga kompania konsulente “UNICREDIT” nga Zagrebi i Kroacisë, në bashkëpunim me të cilën u realizua procesi i vlerësimit dhe shitjes së aksioneve të mbetura shtetërore në shoqërinë “AMC”. Kontratat e shitjes së aksioneve të “AMC”-së me kompaninë fituese (konsorcium) “Cosmote/Telenor” u nënshkruan në muajin korrik të vitit 2000. Në bazë të ligjit, u krye shitja me tender të hapur ndërkombëtar e paketës prej 85 për qind të aksioneve të kompanisë “Cosmote/Telenor” me një vlerë prej 85,6 milionë dollarësh amerikanë dhe më pas u transferua paketa prej 2,4 për qind për llogari të punonjësve të shoqërisë.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›