E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i Fierit 3 ditë pa energji, bllokohen analizat për pacientët

Njerëz të shumtë pranë dyerve të spitalit, por një pjesë e tyre nuk mund të marrin shërbimin që kërkojnë nga bluzat e bardha. Mungesa e energjisë elektrike prej tre ditësh në një pjesë të qytetit të Fierit, ka lënë pezull edhe një sektor të spitalit, i cili në të vërtetë është i një rëndësie jo pak të veçantë. Me qindra qytetarë i drejtohen spitalit çdo ditë për të bërë analizat e llojeve të ndryshme, por largohen prej aty pa marrë shërbimin e kërkuar, duke u justifikuar me mungesën e energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, qytetarë të shumtë kanë shprehur indinjatën e tyre lidhur me këtë fakt, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e veçantë të qendrave spitalore, në të cilët nuk duhet të mungojë kurrë energjia elektrike. "Është e treta ditë që vij në spital për të bërë analizat, e jam përcjellë duke më thënë se mungon energjia elektrike. Nuk kam para të mjaftueshme për të harxhuar në klinikat private, ku energjia elektrike nuk mungon asnjëherë. Kaq e vështirë është të sigurosh një gjenerator, për të vendosur në punë pajisjet e analizave, e që populli të mos sorollatet sa poshtë e lart. Është e pamundur të kryesh analizat te privati se është shumë i shtrenjtë, por nëse dritat nuk kthehen sigurisht që atje do të shkoj, se nuk do vdes rrugëve të spitalit",  shprehet një e moshuar, e cila ndodhej në mjediset e spitalit të qytetit për të bërë analizat e gjakut.
OSSH: Po punojmë për riparimin e linjës
E ndërsa njerëzit grumbullohen përditë në dyert e këtij spitali, burime brenda spitalit të Fierit bëjnë të ditur se mungesa e energjisë ka ardhur pas një defekti në rrjetin shpërndarës dhe se u është premtuar nga ana e punonjësve të OSSH-së se gjithçka do të riparohet shumë shpejt. Po të njëjtat burime kanë bërë të ditur se fluksi i qytetarëve që kërkojnë këtë shërbim është tepër i lartë dhe se mungesa e energjisë i ka penguar në punën e përditshme. "Nuk mund të bëjmë asgjë pa drita. Jemi komplet të paralizuar, dhe nuk kemi si tju shërbejmë njerëzve që vijnë përditë. E kuptojmë që diçka e tillë po zgjat, por nuk është faji i spitalit. Jemi ankuar dhe nuk po riparohet defekti, duke na lënë që të përballemi me akuzat e komunitetit", është shprehur një punonjëse e spitalit të Fierit, e ndërsa ka theksuar edhe një herë se faji për këtë defekt është i ndërmarrjes elektrike, e cila edhe pas njoftimeve të vazhdueshme nuk ka arritur të riparojë linjën e dëmtuar. Spitali i qytetit të Fierit, edhe pse institucion i rëndësisë së veçantë, vuan prej 3 ditësh mungesën e energjisë elektrike ashtu si shumë lagje të qytetit. Gjithçka vjen pasi linja me të cilën furnizohet ky spital, nuk është e ndarë nga ajo që furnizon me energji elektrike edhe një pjesë të mirë të lagjeve të qytetit. Ndërkohë, përsa i përket problemit në fjalë, punonjës të OSSH-së janë shprehur se janë duke punuar për rikthimin e energjisë elektrike, por ka vështirësi të shumta për shkak të motit të keq dhe erës që ka pushtuar gjithë qytetin. Megjithëse nga OSSH-ja është duke u punuar për stabilizimin e situatës, radhët në dyert e spitalit të Fierit janë gjithnjë e më të gjata. Ndërkaq, stuhia e ditës së djeshme ka lënë pa energji elektrike edhe spitalin rajonal të Lushnjes si dhe disa banesa private rreth tij. Spitali i Lushnjës ka qëndruar plot 12 orë pa energji elektrike duke paralizuar pothuajse krejt punën spitalore. I vetmi operacion i zhvilluar gjatë këtyre 12 orëve ka qenë vetëm një operacion apandesiti i ardhur urgjent gjatë paradites së djeshme, ndërsa janë pezulluar 2 operacionet e planifikuara më parë. E paralizuar ka qenë dhe puna diagnostikuese e lidhur ngushtë me aparaturat, si Grafitë, skaner, eko, analiza. Shkak i kësaj gjendjeje ka qenë stuhia e dy netëve më parë, e cila ka rrëzuar degët e 3 pemëve shumëvjeçare në hyrje të Lushnjës në afërsi të rotondës së fabrikës së plastmasit. Pikërisht këto degë kanë dëmtuar telat e tensionit të lartë, duke shkaktuar dhe defektin që ka zgjatur plot 12 orë.

Email This Klikime: 25

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›