Dosjet, prokurorët të katërtit, që ankimojnë në Kushtetuese

Megjithëse ka kaluar disa ditë nga miratimi i ligjit të dosjeve, politika shqiptare dhe diplomacia e atashuar në Shqipëri vazhdon të këmbëngulë në faktin se ky ligj është antikushtetues. Ky ligj është ankimuar nga Partia Socialiste me firmën e 35 deputetëve në Gjykatën Kushtetuese dhe është pasuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Forumi i Avokatëve. Dita e djeshme ka shënuar dje ankimin e katërt në Gjykatën Kushtetuese për ta rrëzuar këtë ligji, si një ligj antikushtetues.
Pas opozitës, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Forumit të Avokatëve, ka qenë Shoqata e Prokurorëve ajo që ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese këtë të mërkurë ankimin për ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë. Bëhet e ditur se Shoqata e Prokurorëve, ankimon ligjin e lustracionit pikat që cenojnë kategoritë e tyre, konkretisht për nenet që bëjnë fjalë për emërimin si dhe shkarkimin e prokurorëve madje dhe balancimin e pushteteve. Në argumentet e paraqitura nga Shoqata e Prokurorëve thuhet se një ligj i miratuar me 3/5 siç është ligji i funksionimit të Prokurorisë nuk mund të shfuqizohet nga një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë siç ishte Ligji i Dosjeve. Padia e dërguar në Gjykatën Kushtetuese ka si objekt të saj, vetëm shfuqizimin e nenit që lidhet me verifikimin e figurës së prokurorëve, duke konsideruar se ky nen bie ndesh me Kushtetutën dhe me të drejtat e njeriut. Për ligjin e dosjeve janë bërë kritika të herëpashershme edhe nga zyrtarë evropian dhe amerikanë, të cilët kanë kërkuar konsensus politik mes forcave. Ndërkohë ditën e hënë, ky ligj është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sipas të cilit theksohet se ligji cenon kushtetutën, më konkretisht nenin 17-të, të Kushtetutës që bën fjalë për rastet e kufizimit të të drejtave të njeriut për interes publik. KSHH shpreh bindjen se Gjykata Kushtetuese do të gjykojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjin Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në RSH. Edhe Partia Socialiste ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese, nëpërmjet deputetit të saj Fatmir Xhafaj, ankimin e ligjit të dosjeve. Sipas tij, ligji i dosjeve do të sjellë jo vetëm pasoja politike, por edhe sociale. Duke e quajtur ligjin antikushtetues, Xhafaj u shpreh se shkelen 28 nenet e Kushtetutës dhe se detyrimi për ta gjykuar buron nga vet Kushtetuta, nga vet ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, por është edhe në precedentët e Gjykatës Kushtetuese. Në një material të gjatë prej 25 faqesh, ekspertët ligjor të PS kanë evidentuar 28 shkeljet të ligjit që u kundërshtuan fort edhe nga aktorë të shoqërisë civile brenda vendit, por edhe nga SHBA-ja, BE-ja, KE-ja. Në kërkesën e tyre socialistët kundërshtojnë ato pika ku flitet për ndërprerjen e mandatit të zyrtarëve të lartë që nga Presidenti i Republikës, deputetët, gjyqtarët, prokurorët ku verifikohet se ata kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të regjimit të kaluar. Që në fillim të kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese ekspertët ligjorë të PS shprehen se procesi i lustrimit ose i pastrimit është një nga mjetet e përdorura nga shoqëritë komuniste për të kaluarën e tyre duke njohur identitetin e tyre nëpërmjet një procesi historik, i cili është një element i transparencës të hapësirës publike dhe një kusht moral për vetëdijen e shëndoshë publike me qëllim për të mbrojtur demokracinë nga reminishencat e totalitarizmit. Gjithashtu, sipas ankimimit, në nenin 4 të ligjit të dosjeve në shqyrtim thuhet se nuk do marrin pjesë në Autoritetin e Kontrollit të Figurave persona në papajtueshmëri me funksionet është i padrejtë, sepse sipas Kushtetutës e drejta përbën bazën e veprimtarisë së shtetit. Edhe Forumi i Avokatëve për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive me përfaqësues, Idajet Beqirin i është bashkuar kërkesës shfuqizimin e ligjit. Edhe sipas këtij Forumi, ky ligj vjen në kundërshtim të hapur me nenet të Kushtetutës së Shqipërisë si dhe me aktet juridike ndërkombëtare, të cilat Republika e Shqipërisë i ka ratifikuar dhe i ka bërë pjesë të legjislacionit të vendit, posaçërisht me Konventën Evropiane Për të Drejtat Dhe Liritë e Njeriut. Gjithashtu, ky Ligj nëpërkëmb në mënyrë të hapur parimet universale demokratike të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit, të ligjit dhe fuqisë zbatuese të tij, të parimit universal para ligjit të gjithë të barabartë dhe të gjithë janë të detyruar të njohin dhe zbatojnë në hapësirë dhe në kohë ligjet në fuqi. Ndërsa ditën e martë ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Ëithers deklaroi se shpreson që qeveria t'i hedhë një vështrim të ri ligjit për pastërtinë e figurave me të njëjtin shqetësim, kushtetueshmëria e kësaj hapësire ligjore.
Email This Klikime: 19
Email This Klikime: 19