E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Shkodrës me fytyrë të re

Autori i Lajmit: red.
Banka e Këshillit të Evropës, CEB me qendër në Paris, (Francë), do të jetë bashkëfinancuese me qeverinë shqiptare në Projektin e Fazës së Tretë të Spitalit Rajonal të Shkodrës. "Projekti synon vazhdimin e rehabilitimit të Spitalit të Shkodrës, në pajtim me planin e përgjithshëm të ndërtimit dhe të rehabilitimit të përmirësuar", bënë të ditur burime nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Sipas të dhënave të MSH, faza e tretë e projektit përfshin reabilitimin e Spitaleve të Psikiatrisë, Pediatrisë, ndërtesës së ndërmjetëse, ndërtimi i godinave të reja për Departamentin e Endoskopisë, pavijonit të pacientëve për sëmundje akute mendore, kuzhina, lavanderia, zgjerimi i mjediseve teknike). Gjithashtu, projekti perfshin dhe ndërtimin e mjediseve të përshtatshme për pacientët akutë dhe kronikë të psikiatrisë gjatë vitit të parë të zbatimit, integrimin e poliklinikës në zonën spitalore (me rreth 15-17 shërbime), organizimin e një rrjedhe të logjikshme të punës si dhe përmirësimin e regjistrimit dhe menaxhimit. Sipas MSH, kostoja e përgjithshme e parashikuar e projektit është 10.5 milionë euro (pa përfshirë TVSH), prej të cilave, 6 milionë euro janë financim me kredi me terma të buta nga CEB bashkë me 150.000 euro grant, si dhe 4,331 milionë euro, kontribut i Qeverisë shqiptare. Zbatimi i Projektit përfshin periudhën 2008-2010 dhe data e përfundimit të tij është 31 dhjetor 2010. Mbyllja e fazës së tretë të rehabilitimit dhe ndërtimit të Spitalit Rajonal të Shkodrës, pritet të përmirësojë aksesin e kujdesit shëndetësor për banorët e qarkut të Shkodrës dhe të rrethinave, si dhe do të garantojë një sistem kujdesi shëndetësor të efektshëm dhe të qëndrueshëm.
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›