E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoritë e shëndetit publik në rrethe do të riorganizohen

Autori i Lajmit: red.
Në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë po riorganizon të gjitha strukturat e shëndetit publik në rrethe. "Të gjitha strukturat e quajtura drejtori të shëndetit publik do të kenë një decentralizim të kompetencave nga qendra në drejtim të drejtorive rajonale, por dhe centralizim të fortë të drejtorive të vogla të rretheve në drejtim të rajoneve", - tha ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në seminarin ndërkombëtar për hepatitet virale, organizuar në fundjavë nga Departamentet përkatëse të Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Tiranës dhe atij të Barit (Itali), në mjediset e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në Tiranë. Sipas saj, në këtë kuadër, të dhënat epidemiologjike nga specialistët përkatës do të jenë shumë të rëndësishme për hartimin e aktiviteteve të këtyre drejtorive. Konsolidimi i kompetencave në nivel rajonal në sistemin shëndetësor është një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas MSH, Drejtoritë e Shëndetit Publik të Qarkut do të jenë përgjegjëse për monitorimin dhe sigurimin e standardeve, cilësisë dhe aksesit në të gjitha nivelet, në sektorin publik dhe privat, indikatorët e shëndetit dhe jo të sëmundjes, si dhe funksionet bazë të shëndetit publik. Drejtoria e Shëndetit Publik të Qarkut është institucion publik buxhetor, profilaktik-kurativ, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo siguron cilësinë e shërbimeve dhe respektimin e normave dhe standardeve të vendosura nga ky dikaster.
Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›