E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Vlorës pa ujë të pijshëm

18/11/2009  Shkak, ndërhyrja në tubacione. Personelit dhe pacientëve u çohet ujë me kova

VLORE- Ndërhyrjet në rrjetin e ujit të pijshëm të spitalit të Vlorës i kanë nxjerrë jashtë funksionit tubacionet, duke bërë që ditët e fundit uji i pijshëm të mungojë gati totalisht në spitalin e Vlorës.

Ujë me kova

Për problemin e ujit në spitalin e Vlorës kanë ndihmuar që nga zjarrfikëset me autobotet e tyre deri te infermieret me pastrueset e spitalit për të mbushur kovat dhe bidonët me ujë, ndërsa këto zgjidhje kanë qenë afatshkurtra problemi vijon të jetë në institucionin shëndetësor. Ata që preken më shumë nga ky problem janë pacientët, të cilët janë të detyruar që të shpenzojnë lekë për të blerë ujë apo ta sjellin nga shtëpia edhe për të kryer nevojat më minimale. Problemi i ujit pranohet edhe nga drejtuesi i ri i spitalit të Vlorës Besnik Elezi, i cili është shprehur se që prej disa muajsh ky problem është vërtet shqetësues, pasi mungesa e ujit vështirëson punën në çdo sektor duke nisur që nga pacientët dhe deri te kirurgjia për sterilizimin e pajisjeve. Elezi është shprehur se pas kontakteve të marra me ujësjellësin është kërkuar një zgjidhje sa më parë edhe pse provizore, për shkak dhe të vet rëndësisë që ka uji i pijshëm, ndërsa, sipas tij, një zgjidhje përfundimtare mund të vij pas rehabilitimit përfundimisht të sistemit të ujit të pijshëm për të gjithë qytetin. Kreu i spitalit shton se i gjithë ky problem është shkaktuar si pasojë e ndërhyrjeve abuzive në rrjet, gjë e cila gradualisht ka bërë që uji i pijshëm mos të jetë prezent në spital. Ndërkohë ata që preken direkt nga kjo mungesë janë pacientët, të cilët më shumë se kurrë në spital kanë nevojë për ujë të rrjedhshëm. Ata shprehen se higjiena është një nga kushtet për përmirësimin e shëndetit të tyre dhe se aktualisht ndodhen në një situatë mjaft të vështirë. Mungesa e ujit u ka përkeqësuar dhe më tepër gjendjen pasi u duhet ti kryejnë nevojat e tyre me bidonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›