Qëlluan me armë, në pranga dy të rinj
LEZHE – Policia e Lezhës arrestoi dje dy persona që mbrëmjen e së martës qëlluan me breshëri automatike me një armë pa leje në afërsi të hekurudhës në fshatin Ishull Shëngjin. Ernest Lorenci, 24 vjeç dhe Eder Marhila, 26 vjeç, u vunë në pranga rreth orës 11:00 të ditës së djeshme. Sipas policisë, dy të rinjtë rreth orës 23:40 kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip “Benz” nga Lezha në drejtim të fshatit Ishull Shëngjin, ku ata banonin. Sapo janë afruar pranë shinave të trenit, kanë ndaluar makinën dhe pasi kanë nxjerrë nga bagazhi një automatik tip “kallashnikov” kanë qëlluar me breshëri drejt qiellit. E lajmëruar nga banorë të zonës, të trembur nga të shtënat, policia ka shkuar në vendngjarje dhe pak orë më vonë bëri të mundur arrestimin e dy të rinjve, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit. r.n