E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë; Topalli, negociatore në emër të Kuvendit me Topin



Në mënyrë krejt të papritur, deputetët e PS-së i kalojnë Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, një kompetencë të rëndësishme, edhe pse grupi parlamentar socialist ka kërkuar tri herë shkarkimin e saj. Debati i fundit mbi çështjen e Rregullores së Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve ka përfunduar me konsensus. Ndryshimi që përbëri lajm, ishte fakti që Kryetarja e Kuvendit Topalli do të ketë të drejtën që në emër të 140 deputetëve të negociojë me të gjithë krerët e shtetit që propozojnë emra anëtarësh institucionesh për t’u miratuar në Kuvend

Socialistët kanë pësuar një çoroditje politike. Ndonëse në sirtarët e Kuvendit pritet të vijë mocioni i tretë radhazi për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, nga grupi kuvendor i PS-së, ky i fundit ka pranuar që Kryetares Topalli t’i shtohet një kompetencë e re. Në rast se Komisioni i Ligjeve has gjatë punës së tij që ndonjë kandidaturë për të qenë anëtar i ndonjë institucioni që kërkon pëlqimin e Kuvendit, ka probleme ligjore ose nuk mbush kriteret e ligjit, atëherë Kryetarja e Kuvendit Topalli ka të drejtën që në emër të 140 deputetëve të negociojë me kreun e institucionit që ka propozuar. Për shembull, në rast se ndonjë kandidaturë për të gjënë anëtar i Gjykatës së Lartë nuk ka kritere të plota ligjore, atëherë Kryetarja Topalli ka të drejtën që të flasë direkt me Presidentin Bamir Topi, në mënyrë ligjore dhe të mandatuar nga të gjithë deputetët. Në këtë mënyrë, socialistët po i besojnë Kryetares Topalli që të zgjidhë çdo ngërç institucional në rast se do të ketë një të tillë në të ardhmen. Dhe madje propozimi erdhi nga socialisti Ylli Bufi. Edhe pse Topi i shmangu negociatat direkte me Kuvendin për këtë çështje, duket se s’do t’u shpëtojë dot negociatave me Topallin pas ndryshimeve në rregullore. Duke bërë publik këtë ndryshim, Neritan Ceka tha: “Çështja më e diskutueshme ishte mënyra se si do të procedojë Kuvendi në rastet e propozimeve që vijnë nga Këshilli i Ministrave, nga Presidenti ose nga KLD-ja dhe gjetëm zgjidhjen që siguron integritetin ligjor të kandidatëve dhe nuk krijon konflikte. Kur komisioni konstaton që kandidati nuk i plotëson kushtet ligjore, kjo kompetencë i kalon Kryetarit të Kuvendit për ta diskutuar me institucionet propozuese, para se të kalojë në seancë plenare”.

Konsensusi

Këshilli i Rregullores së Kuvendit është mbledhur ditën e djeshme me dyer të mbyllura ku ka votuar me konsensus ndryshimet në rregullore të cilat do të votohen unanimisht në Kuvend ditën e hënë. Në lidhje me amendamentin e Bejës ka pasur një ndryshim tjetër në afat, përveç faktit që Kryetarja e Kuvendit fitoi kompetencën e re apo që Kuvendi nuk do të kërkojë nga institucionet e tjera informacione shtesë. Tashmë u vendos se Kuvendi do të ketë 30 ditë afat për të shqyrtuar dekretet nga tri javë që kërkonte Beja në amendamentin e tij. Të njëjtën çështje ka konfirmuar edhe anëtari tjetër i majtë në Këshillin e Rregullores, Besnik Dervishi. “Ndërkohë, janë bërë disa rregullime edhe në nenin 111 të rregullores që kanë të bëjnë me rastet e emërimit që bën Kuvendi në organet kushtetuese dhe në rastet e dhënies të pëlqimit. Këtu u përcaktuan mjaft qartë të tria rastet, në rastet kur Kuvendi e ka kompetencë të vetën si propozimin ashtu edhe emërimin në ato organe, siç është rasti i tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. U përcaktua qartë procedura në rastin e dytë kur Kuvendi emëron anëtarët e këtyre organeve ose institucioneve kur ato propozohen nga institucione të ndryshme”, - tha ai.

Ndryshimet

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë qenë të shumta. Ato kanë prekur disa çështje të tjera, përveç mënyrës së shqyrtimit të çdo dekreti që vjen në Kuvend për të marrë pëlqimin. “U diskutua kryesisht për propozimin e deputetëve socialistë që kanë të bëjnë me rregullimin e procedurave që parashikon neni 177 i Kushtetutës, për nismat për rishikimin e Kushtetutës. Gjithashtu, siç e dini, Këshilli ka diskutuar edhe për rregullimin e neneve të rregullores që iukorrespondojnë ndryshimeve që u bënë disa muaj më parë në Kushtetutë, që kanë të bëjnë me nenet 87, 104 dhe 105 të Kushtetutës dhe që i korrespondojnë neneve 100, 101 dhe 109 të rregullores”, - tha për të gjitha ndryshimet e tjera anëtari i Këshillit, Dervishi.

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit

1- Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës i shqyrton ato dhe harton raportin përkatës.

2- Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën menjëherë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 30 ditëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së raportit të komisionit.

3- Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Në rast se komisioni përkatës, vëren se ndonjëra nga kandidaturat ka probleme me kriteret ligjore, atëherë Kryetarja e Kuvendit ka të drejtën që në emër të Kuvendit të bisedojë me kreun e institucionit propozues, para se të kalojë në seancë plenare. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar.

4- Paraqitja e kandidaturave për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit nga Kuvendi përfshihen automatikisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Seanca zhvillohet me debat nëse e kërkojnë 10 deputetë ose një grup parlamentar.

Topalli takon ambasadorin e ri grek: Shqipëria ka ndryshuar

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është takuar ditën e djeshme me ambasadorin e ri të Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios. Gjatë takimit mes tyre, Topalli informoi ambasadorin grek mbi arritjet e Shqipërisë. “Ne po punojmë fort në prioritetet tona duke pasur si objektiv Bashkimin Evropian. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një vlerësim ndaj reformave, inkurajim për vijimin e tyre, por edhe një kapitull i ri sfidash të cilat jemi të angazhuar t’i përmbushim plotësisht”, - tha Topalli. “Shqipëria po ecën me shumë dinamizëm dhe impresioni është surprizues. Klima dhe atmosfera janë shumë pozitive dhe Greqia e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm në konfigurimin rajonal. Qeveria greke është për një stad të ri dhe forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Edhe bashkëpunimi ekonomik është i shkëlqyer por mund të bëjmë edhe më shumë”, - tha ambasadori Pazios. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke shprehur besimin në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, për zhvillimin ekonomik, shkëmbimet tregtare si dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›