E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të drejtat e njeriut, Rama: Qeveria, shembulli i pabarazisë

Kryeministri Berisha: “Progresi është i pamohueshëm, por problemet që ekzistojnë janë të pamohueshme”

TIRANË- Në ditën e përvjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave e Lirive të Njeriut, kreu socialist, Edi Rama, ka theksuar se shqiptarët mbeten ende të pabarabartë përpara ligjit. Rama ka theksuar se qeveria e sotme është shembulli i abuzimit me pushtetin dhe i implikuar në afera korruptive dhe se, përballë ligjit, qytetarët mbeten të pabarabartë, në një kohë që qeveria bëhet strehë e ministrave të pandehur. “Shqipëria mbetet një vend ku njerëzit nuk janë të barabartë përpara ligjit dhe ku qeveria jep përditë shembullin më të turpshëm të promovimit të kësaj pabarazie, duke u bërë strehë ministrash të pandehur, që nuk paraqiten përpara drejtësisë. Shqipëria mbetet një vend ku pabarazia përpara ligjit dhe abuzimi i pushtetit me ligjin bën që të cenohet përditë e drejta e qytetarëve të thjeshtë dhe që përditë klientët e qeverisë të përfitojnë padrejtësisht në kurriz të shtetit të të gjithëve”,- tha Rama. Kreu socialist ka listuar një sërë problemesh të tjera që cenojnë të drejtat e qytetarëve në çdo kohë. Kështu, ai ka kujtuar çështjen e trafikimit të vajzave dhe grave, faktin se puna e zezë skllavëron çdo ditë me qindra njerëz dhe që qeveria nuk ndërmerr asnjë masë. Për përvjetorin e deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ka dalë dje edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili, ndryshe nga Rama, ndan qëndrim të ndryshëm lidhur me garantimin e të drejtave të njeriut. “Progresi është i pamohueshëm, por problemet që ekzistojnë janë të pamohueshme dhe të papranueshme. Përsëri ka qytetarë shqiptarë, që përfaqësuesit e shtetit i keqtrajtojnë, në paraburgime apo burgje, madje edhe i torturojnë. Përsëri standardet në institucionet tona të vuajtjes së dënimit nuk janë ato që duhet të jenë. Përsëri ka jo pak qytetarë që vuajnë dhe nuk arrijnë të gëzojnë pronën e tyre që u takon. Përsëri ka qytetarë shqiptarë që nuk kanë trajtimin e tyre të barabartë siç ua garanton ligji”, - tha dje Berisha në konferencën e djeshme për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›