E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Spiunët", ankesë në Strasburg

Reagimet e ashpra ndaj poli
tikës shqiptare nuk kanë të
sosur mbi projektligjin "Për
pastërtinë e figurës". Veç
prokurorëve, dje ka ardhur një
tjetër kundërshti nga Shoqata Kombëtare
e Gjyqtarëve, e cila ka argumentuar
se ligji që pritet të
kalojë sot është një veprim antikushtetues
dhe antiligjor. Shkeljet
flagrante në këtë projektligj janë
argumentuar në një konferencë
për shtyp nga kryetarja e kësaj
shoqate, Manjola Bejleri, e cila ka
përfaqësuar qëndrimin kundër të
gjyqtarëve. Nëpërmjet një deklarate,
Shoqata Kombëtare që ajo
përfaqëson ka shprehur publikisht
mendimin e saj lidhur me disa
çështje që kanë të bëjnë me projektligjin
"Për pastërtinë e figurave
të funksionarëve të lartë të administratës
publike dhe të
zgjedhurve". "SHKGJ, në mbrojtje
të pavarësisë, integritetit dhe krijimit
të shtetit të së drejtës në një
Shqipëri demokratike, ka treguar
se është dhe do të jetë një pjesëmarrëse
aktive e reformës ligjore.
Ligjbërjen e shohim në dy aspekte
kryesore. Pikësëpari ky proces
duhet të jetë në pajtim me parimet
e Kushtetutës së Shqipërisë
në lidhje me pavarësinë e Gjyqësorit
dhe në përputhje me standardet
ndërkombëtare", deklaroi
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Ndërsa në aspektin e dytë për këtë
projektligj, kryetarja e shoqatës,
Manjola Bejleri, ka argumentuar
se ky proces duhet të përmbushë
standardin demokratik të
gjithëpërfshirjes dhe marrjes së
mendimit jo vetëm të të gjitha
subjekteve që trajtohen në këtë
ligj, por edhe të konstitucionalistëve,
të grupeve e organizatave
të tjera të shoqërisë civile. "Gjithashtu,
ky proces konsultimi duhet
të trajtohet brenda një kohe të arsyeshme
e të mjaftueshme", u
shpreh Bejleri. Në këto këndvështrime,
Shoqata Kombëtare e
Gjyqtarëve i ka trajtuar problematikat
që kanë dalë gjatë procesit
që po zhvillohet për reformimin e
sistemit të drejtësisë e atij ligjor në
përgjithësi.
E drejta e mendimit
Më tej, Shoqata Kombëtare e
Gjyqtarëve ka shprehur e indinjuar
shqetësimin e saj në rritje për
mospërfshirjen e gjyqtarëve në
diskutimin e projektligjeve, ku
parashikohet të vendoset lidhur
me organizimin, funksionimin
dhe statusin e tyre. "Kështu ka
ndodhur edhe me këtë projektligj,
i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë
statusin e gjyqtarëve. Tashmë,
kjo mënyrë e të proceduarit
është kthyer në një vazhdë, e cila
po thellohet me shqyrtimin e miratimin
me një shpejtësi të çuditshme
të disa ligjeve të rëndësishme
që kanë të bëjnë direkt me
gjyqësorin", deklaroi shoqata.
Gjithashtu, në konferencë u shtua
se duke mos respektuar asnjë
standard demokratik të së
gjithëpërfshirjes brenda një kohe
të mjaftueshme për diskutimin e
tyre, natyrshëm që vihet në diskutim
qëllimi që synon të arrijnë
dhe marrëdhëniet juridike që
kërkojnë të realizojnë ligjbërësit.
"Ideja e projektligjit për verifikimin
e figurave të pushtetarëve
ka 15 vjet që është në sirtarin e
Kuvendit dhe të të gjitha partive
politike, dhe ky Kuvend nuk gjen
as 15 minuta kohë për ta konsultuar
me pushtetin gjyqësor", ka
ashpërsuar reagimin shoqata.
"Gjejmë rastin që nëpërmjet kësaj
deklarate t‘i kërkojmë qeverisë
dhe politikanëve që, në respektim
edhe të rekomandimeve të organizmave
ndërkombëtare e së
fundmi të Raport-Progresit të vitit
2008 të Komisionit të Komunitetit
Evropian, të hartojnë një strategji
të detajuar e të kujdesshme për
zhvillimin e reformës në drejtësi,
duke respektuar standardin e
gjithëpërfshirjes, të konsultimit,
brenda një kohe të mjaftueshme
për të përftuar mendimin e të
gjitha palëve", deklaroi mbi këtë
argument SHKGJ-ja.
Projektligj
antikushtetues
Duke paraqitur argumente të
tjera për veprimin antikushtetues
të këtij projektligji, SHKGJ deklaroi
se është pro figurës së pastër, integritetit
moral e profesional të gjyqtarit
dhe të çdo nisme ligjore që e
rrit këtë garanci e që ka lidhje të
drejtpërdrejtë me pavarësinë e
pushtetit gjyqësor dhe jo vetëm për
funksionarët e gjyqësorit, por edhe
për të gjithë funksionarët e tjerë të
shtetit, pa bërë asnjë dallim. Por
sipas tyre, nisma të tilla ligjore, siç
është dhe projektligji "Për
pastërtinë e figurave", duhet të jenë
pa diskutim në përputhje me
Kushtetutën dhe pavarësinë e
gjyqësorit. "Në këtë projektligj
parashikohen dispozita të rëndësishme
që kanë të bëjnë me statusin
e gjyqtarit dhe përcaktojnë
kushte për vazhdimin e marrëdhënieve
të tij të punës si
gjyqtar. Kujtojmë këtu se Kushtetuta
ka parashikuar qartë kriteret
dhe kushtet për të qenë gjyqtar
dhe së bashku me ligjet ‘Për organizimin
dhe funksionimin e
pushtetit gjyqësor‘ (niveli i parë
dhe i dytë), të Gjykatës së Lartë
dhe Gjykatës Kushtetuese, ka
parashikuar edhe rastet e lirimit
apo shkarkimit nga detyra të
gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Në
këto dispozita, janë parashikuar
gjithashtu edhe organet kompetente
që vendosin për emërimin
apo shkarkimin e gjyqtarëve. Por
me projektligjin ‘Për pastërtinë e
figurave…‘ tashmë krijohet dhe
një organ i ri, tërësisht politik, i cili
përcakton të qenit ose jo gjyqtar,
që është Autoriteti i Kontrollit të
Figurave, i cili në mënyrë të çuditshme
kushtetutshmërisht, vihet
mbi të gjitha organet kompetente
për shkarkimin e gjyqtarëve", argumentoi
shoqata. Për shkak të
rëndësisë së veçantë që kanë
gjykatat si organe të parashikuara
nga Kushtetuta, statusi, organizimi
dhe funksionimi i gjyqtarëve
është bërë me ligje të miratuara
me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, e
parashikuar nga neni 81/2/a i
Kushtetutës. Ndërsa ky projektligj,
i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë
statusin e gjyqtarit, parashikon
të kalohet për miratim vetëm
me një shumicë të thjeshtë. Sipas
SHKGJ-së, ky fakt, nga pikëpamja
procedurale e miratimit të ligjit, e
bën atë antikushtetues. "Për sa më
sipër, i kërkojmë deputetëve të
Kuvendit të Shqipërisë, që për
problemet që shfaq projektligji
‘Për pastërtinë e figurave‘ në disa
dispozita të tij, e veçanërisht të
atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin,
të mos miratohen", ka përfunduar
deklarimin e saj Shoqata
Kombëtare e Gjyqtarëve.

Bejleri: Pas miratimi të tij, do të ankohemi deri në Strasburg

Ne do të veprojmë me të
gjitha hapësirat ligjore
për të ndaluar shkeljen
e Kushtetutës me anë të këtij
projektligji". Ky është mendimi i
kryetares së Shoqatës Kombëtare
të Gjyqtarëve, Manjola
Bejleri, në një intervistë për "Shqip",
e cila ka rrëfyer se grupi do
të presë reflektimin mbi argumentet
e bëra publike dje.
Si e komentoni këtë projektligj?
Pikësëpari dua të them se ky
ligj është antikushtetues, ashtu
siç e kemi cilësuar edhe në emër
të shoqatës për disa pika. Sipas
mendimit tim, ky ligj, por jo
vetëm ky, po shfrytëzohet për
ndrydhjen e pushtetit gjyqësor.
Kështu mendoj se është bërë
edhe për ligjin për organizmin
gjyqësor, ligjin për administratën
gjyqësore, por edhe me
këtë projektligj. Madje, më kujtohet
një film i vjetër multiplikativ
me ujkun dhe demin, kur
ujku hiqet si piktor dhe pikturon
demin pa brirë, me qëllim që
në fund të arrijë qëllimin. Mendoj
se edhe politika po bën këtë
me ne. Po mundohet të na "zhveshë"
nga mbrojtjet që përcaktohen
me Kushtetutë, me qëllim
përdorimin tonë sipas interesave
të caktuara. Kështu, do t‘i
jepet fund pavarësisë së gjyqësorit.
A e keni lexuar ju projektligjin?
E kam lexuar, por jo zyrtarisht.
Kam arritur të gjej një kopje
të tij, megjithatë si grup interesi
mbi këtë projektligj nuk
jemi njohur, ashtu siç veprohet
në përgatitjen e çdo ligji, apo
vendimi. Për ne, kjo është bërë
në mënyrë të fshehtë, duke mos
paraqitur asnjë mendim, ku janë
të nevojshme. Madje, sipas
mendimit tim, aty nuk ka shkelje
vetëm për gjykatën, por përmendet
edhe KLD-ja e deri te
Presidenti i Republikës. Nuk e
kuptoj sesi mund të miratohet
një autoritet i tillë vetëm me
shumicë të thjeshtë votash, kur
subjektet që përmenda janë
kushtetues dhe duhen të paktat
3/5 e votave të Kuvendit të Shqipërisë
për ta miratuar.
Pse e mbroni?
Personalisht dua të them se
mbrojtja e këtij projektligji nuk
ka të bëjë me ndonjë konflikt
interesi. Unë nuk prekem as nga
periudha që është përcaktuar në
projektligj, pasi jam brez i ri
gjyqtarësh. Por, këtë detyrë e
kam marrë përsipër dhe do të
përpiqem që të mbroj të gjithë
gjyqtarët, sipas të drejtave që ata
gëzojnë me ligj. Ato të drejta që
na jep ligji dhe Kushtetuta nuk
mund të na i shkelë askush.
Nëse miratohet ky ligj, si do
të veprojë shoqata që ju drejtoni?
Nëse kjo bëhet fakt i kryer dhe
mendimet tona nuk merren
parasysh, atëherë mendoj se
këtë çështje do ta dërgojmë në
Gjykatën Kushtetuese, e nëse
nuk mjafton, do ta dërgojmë
deri në Strasburg. Megjithatë,
kjo do të bëhet pas diskutimeve
dhe miratimeve në shoqatë.

Prokurorët për projektligjin: Hakmarrje e politikës ndaj drejtësisë

Dy ditë më parë, projektligji ësh
të "sulmuar" edhe nga
prokurorët, të cilët e kanë vlerësuar
këtë veprim si një hakmarrje e politikës
ndaj drejtësisë. Në një intervistë
për gazetën "Shqip", Pelivan
Malaj, kreu i Shoqatës Kombëtare
të Prokurorëve, shprehu opinionin e
tij për këtë nismë, për të cilën shpreson
të mos bëhet "për inat". "Ne
mendojmë se nuk jemi pjesë e politikës
dhe në këtë kuptim besojmë
se politika shqiptare nuk do ta marrë
‘me inat‘ këtë projektligj, ndryshe
ndërhyrjet e rëndomta të politikës
në pjesën e caktuar të drejtësisë
mund të provokojnë pa dashje
edhe reagime politike të drejtësisë
dhe në këtë mënyrë prishen ekuilibra
të domosdoshëm për një shoqëri
demokratike", pohon kreu i
Shoqatës së Prokurorëve. Ai shton
se është mundësia që duke filluar
nga përcaktimet në ligj, por edhe
në vënien në praktikë të ligjit, të
mënjanohet trajtimi i përgjithshëm i
atyre që kanë kryer detyrën shtetërore
në përputhje me ligjin në
fuqi, së bashku me ata që kanë tejkaluar
për shkaqe nga më të ndryshmet
këtë detyrë, duke përdorur
aq sa ka qenë e mundur torturën,
manipulimin e provave etj., gjatë
hetimit, gjykimit dhe dënimit të personave
të akuzuar për "krime
kundër shtetit". Sipas tij, kjo do të
shmangte karakterin hakmarrës të
ligjit dhe përfshirjen në këtë vorbull
të të gjithë atyre që me ndershmëri
kanë kryer detyrën.

"Spiunët", aleatët kundër PD-së

Ceka dhe grupi i qendrës, kamerdarja e shpëtimit të mazhorancës

Demokratët sigurojnë
formulën për të marrë
sot në Kuvend mbi 71
vota për kalimin e ligjit
për pastërtinë e figurës së zyrtarëve.
Megjithëse drafti i spiunëve
ka sjellë përçarjen e mazhorancës
me votat kundër të PBDNJ-së dhe
PDK-së, kamerdarja e shpëtimit
janë kreu i PAD, Neritan Ceka, por
pritet të jenë edhe deputetët e
grupit të qendrës, ose të njohur
ndryshe si mbështetësit e ishkryeministrit
Nano. Nga ana tjetër,
deputeti i pavarur, Spiro Peçi, ka
konfirmuar votën kundër draftit të
PD-së për dosjet. Në po të njëjtën
linjë janë pozicionuar edhe
demokristianët.
Votat
Duket se edhe këtë herë Partia
Demokratike e ka zgjidhur dilemën
e shifrave në Kuvend. 54 deputetëve
të PD-së, pa përmendur
avokatin Spartak Ngjela dhe Gilman
Bakalli, shumicës parlamentare i
bashkohen edhe ‘besnikët‘ e koalicionit,
republikanët duke i dhuruar
ligjit për dosjet 11 vota më shumë.
Dy votat e agrarëve bashkuar me
votën e Arian Starovës, Genc Pollos
dhe Tritan Shehut e çon numrin total
të mazhorancës në 70. Vota e Kreut
të Aleancës Demokratike, Neritan
Ceka, por edhe e deputetit të
Lëvizjes Demokristiane Nikoll Lesi
do të kapërcejë kufirin e votave minimale
që projektligji i PD-së të marrë
miratimin në Kuvend. E djathta në
total do të ketë në seancën e sotme
të Kuvendit 72 vota pro, por në
shmangie të çdo surprize të mundshme,
demokratët do të ‘lypin‘ edhe
votat e grupit të qendrës për të arritur
në miratimin final.
Qëndrimet
Kundërshtitë e ligjit për pastërtinë
e figurës së zyrtarëve fillojnë
nga brenda mazhorancës. Një pjesë
e aleatëve të koalicionit të djathtë
pozicionohen kundër këtij drafti që
penalizon prokurorët dhe gjyqtarët.
Deputeti Spiro Peçi, njëkohësisht
edhe anëtar i Komisionit të Ligjeve
shprehet hapur kundër projektligjit
të demokratëve. "Jam kundër këtij
drafti, vota ime është kundër",
sqaron Peçi. I njëjti qëndrim do të
mbahet edhe nga ana e Partisë
Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e
cila paralajmëron se nuk do të jap
votën pro këtij drafti. Mëritë e vjetra
mes PDK dhe PD do të sjellin edhe
"hakmarrjen" e radhës së demokristianëve
për draftin e shumëpërfolur
si ligji i dosjeve. Deputeti Nikoll Lesi
paralajmëron votën pro këtij drafti,
duke shtuar se "do të kërkojë të fus
një amendament në Parlament që
dosjet të hapen dhe për pronarët
dhe drejtuesit e mediave".
Seanca
Seanca plenare e ditës së sotme
do të sjellë përveç ligjit të dosjeve
dhe diskutimeve jashtë rendit të
ditës edhe miratimin e kalendarit
të punimeve për periudhën 15 dhjetor
- 24 dhjetor 2008. Në rendin e
ditës janë edhe një sërë vendimesh
të tjera si projektligji për
"aderimin e Republikës së Shqipërisë
në Konventën e Kombeve
të Bashkuara "Për arrestimin e
anijeve, 1999". projektligji "Për ratifikimin
e marrëveshjes së huas
ndërmjet Republikës së Shqipërisë
dhe fondit OPEC-ut për
zhvillimin ndërkombëtar (OFID),
për financimin e projektit të
rrugëve dytësore dhe vendore",
Projektligj "Për disa ndryshime
dhe shtesa në Ligjin nr.8957, datë
17.10.2002, "Për ndërmarrjet e
vogla e të mesme"", të ndryshuar
dhe projektligji "Për gjykimin e
mosmarrëveshjeve administrative
dhe organizimin e drejtësisë
administrative". I përfshirë në rendin
e ditës janë edhe projektligjet
për "një ndryshim në Ligjin
Nr.7811, datë 12.4.1994, "Për miratimin
me ndryshime të dekretit
nr.782, datë 22.2.1994, "Për
sistemin fiskal në sektorin e
hidrokarbureve" dhe "Për disa
shtesa dhe ndryshime në Ligjin
Nr.8116, datë 29.3.1996, "Kodi i
Procedurës Civile i Republikës së
Shqipërisë".

Patozi: Kuvendi do të votojë sot për dosjet

Ligji për pastrimin e figurës
së zyrtarëve nuk ka
kthim prapa për Partinë
Demokratike. Nënkryetari
i PD-së, Astrit Patozi, është
shprehur dje i vendosur se ky ligj
do të kalojë në mbledhjen e sotme
të Kuvendit. E djathta do të votojë
sot në Parlament ligjin për
pastërtinë e figurave. Sipas
nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi,
ky ligj ka mbështetjen e të gjithë
komunitetit dhe spektrit politik të
djathtë. Demokratët konfirmojnë
se Parlamenti është sovran në vendimet
e tij dhe nuk ka synim që të
dëmtojë prokurorët apo gjyqtarët,
pasi drafti ka vite që është paraqitur
në Kuvend kur çështjet "Fazliç"
apo "Durrës-Kukës". "Ligji që do të
miratohet është depozituar në Kuvend
nga PD afro 3 vjet më parë kur
asnjë nga këto çështje nuk ekzistonte
dhe sigurisht ne nuk e kemi
çuar fare ndër mend që të ndryshonin
konceptin apo vizionin tonë
për fatin apo karrierën e disa personave
pavarësisht se në çfarë
pozicioni apo vendi pune ndodhen
ata sot", sqaroi kreu i grupit parlamentar
të PD-së. "Si të gjitha
premtimet tona edhe ky ligj do të
jetë një premtim i mbajtur dhe do
të miratohet nesër nga Kuvendi i
Shqipërisë", deklaroi Patozi.
Një nga pikat e projektligjit është
lënia e funksionit të shumë kategorive
të shtetarëve, nëse ata verifikohen
se kanë qenë në strukturat
më të larta drejtuese të Partisë
së Punës, në strukturat e Sigurimit
të Shtetit apo kanë dënuar në
gjyqe politike kundërshtare të
regjimit. Kjo e fundit do të thotë se
ky nen prek edhe prokurorët e
gjykatësit, përfaqësues të të cilëve
kanë deklaruar se ai është në
kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas tyre, ligji parashikohet të
miratohet me një shumicë të
thjeshtë votash dhe ky fakt e bën
atë antikushtetues. I pyetur për
këtë çështje, Patozi tha se Parlamenti
është sovran në vendimet e
tij. "Një ligj që nuk kursen të gjitha
nivelet më të larta të shtetit nuk
mund të jetë mëshirëmadh me një
grup xhelatësh që mund të kenë
mbetur në administratën tonë",
tha Patozi. Sipas tij, ky ligj që nuk
kursen Presidentin e Republikës,
Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit,
ministrat, deputetët dhe të
gjitha nivelet më të larta të shtetit
dhe të administratës publike,
sigurisht që nuk mund të jetë një
mëshirëmadh". Ligji për dosjet i
është nënshtruar një debati të gjerë
dhe të ashpër sidomos në tre vitet e
fundit me propozime të ndryshme
si nga opozita ashtu dhe mazhoranca
e ndërsa sot, Parlamenti do
të votojë më në fund një projekt
konkret. Më tej Patozi akuzoi, kryetarin
socialist, Edi Rama, se ka
ndërmarrë një nismë për të
kundërshtuar ligjin për dosjet
vetëm e vetëm për të mbrojtur një
grup ekzekutorësh që sipas tij
vazhdojnë të jenë akoma nëpër
institucione të ndryshme kryesisht
në drejtësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›