E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët nuk qenkan problemi...

Debati për projektligjin e pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë, përpos të tjerave ka dekonspiruar publikisht një situatë që të gjithë e kishim hamendësuar; akuza e shtetit shqiptar është pothuajse ajo hetuesi që ka masakruar shqiptarët për 45 vite me radhë. Sa herë është tentuar të thuhet kjo, vërtetësia e saj është marrë me dyshim dhe thënësi shihej si ndonjë prej atyre antikomunistëve të izoluar që ende e kanë mendjen tek Enver Hoxha. Ndërsa e vërteta e dhimbshme zbulohet nga po vetë ata, sapo pozitat e tyre fillojnë të kërcënohen. Është krejt legjitim reagimi “anonim” i prokurorëve që terrorizuan shqiptarët përgjatë pushtetit personal të Enver Hoxhës, por është e papranueshme mbrojtja që po u bën atyre opozita e Edi Ramës dhe e gjithë media që mbështillet rreth saj. Mbrojtja e tyre është barasvlershme me mbrojtjen e krimeve të tmerrshme, që ata kanë kryer me kostumin e ligjit. E këtu nuk është rasti për të folur për historikun e tyre, ai është i memorizuar tek të gjithë shqiptarët që përjetuan ato vite tmerri. Problemi është se projektligji i propozuar nga Partia Demokratike kritikohet pikërisht aty ku duhet mbrojtur dhe nuk merret në analizë për problemet reale që ka.

Përkundrazi

Analiza e procesit duhet bazuar në tre pika kryesore; Së pari, anomalia e debatit që po shoqëron miratimin e projektligjit dhe arsyet e kësaj anomalie; principi mbi të cilin po ndërtohet ky projektligj dhe a përmbushet ky princip, si dhe mundësitë teknike të zbatimit të këtij ligji.

Debati mbi këtë çështje duket qartazi që udhëhiqet nga interesa të ngushta politike, duke mënjanuar parimin që synon të përmbushë ky ligj. Opozita, përfaqësues të prokurorisë dhe përfaqësues të gjyqtarëve kanë tentuar ta shesin në publik këtë ligj si një përpjekje të Kryeministrit, për të larguar nga detyra personat që po trajtojnë disa të ashtuquajtura skandale. Një pretendim i tillë duket qesharak, për vetë faktin se Kryeministri i vendit nuk ka asnjë mekanizëm ligjor për të bërë emërim prokurorësh apo gjyqtarësh, pasi të jenë larguar ekzistuesit. Pra, pretendimi i tyre bie, pasi do të jenë Prokuroria e Përgjithshme, KLD-ja dhe Presidenti i Republikës, të tre institucione jo dhe aq dashamirëse ndaj Kryeministrit, të cilët do të bëjnë zëvendësimin e funksionarëve që do të preken nga ligji për pastërtinë e figurës. Madje, edhe sikur qëllimi i Kryeministrit të ishte largimi i këtyre funksionarëve, do të ishte legjitim në këndvështrimin e publikut. Shpesh herë, nga qëllime të këqija përmbushen parime të mëdha. Pasi, shqetësimi i personave që janë nën hetimi, na rezulton i drejtë, pasi shumica e prokurorëve paskan lidhje të forta kriminale me sistemin komunist dhe nga këto persona nuk mund të presësh një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Do të ishte në të mirë të vetë hetimeve mbi këto procese të mëdha, që persona të tillë të largoheshin sa më shpejt dhe hetimet të mos jenë të paragjykuara nga ana e opinionit publik.

Pyetja tjetër që shtrohet në këtë rast është: ky projektligj, a e përmbushë parimin mbi të cilin po ndërtohet? Debati duhet të fokusohet në këtë drejtim, pasi pikërisht parimi përplotësohet në mënyrë të cunguar. Krimet e komunizmit nuk mund të dënohen vetëm duke miratuar ligjin e pastërtisë së figurave, duke ndaluar të marrin pjesë në jetën publike ata njerëz që mbajtën në këmbë një regjim kriminal, por me një sërë masash që do t’i krijonin mundësinë shoqërisë shqiptare, të dënoje me ndërgjegje të plotë atë që ndodhi për 45 vite radhazi në Shqipëri. Ligji lypset të ishte pjesë e një strategjie konsensuale që do të bashkëshoqërohej me ndërtimin e me ligj të Institutit për Dënimin e Krimeve të Komunizmit. Andaj dhe opozita duhet të çlirohet nga makthet e të shkuarës dhe të japë konsensusin e saj për të miratuar këtë ligj. Një ligj që vitin e ardhshëm mund të abrogohet nuk i intereson shoqërisë shqiptare. Por mesa duket opozita është pjesë e establishmentit politik që i ka rrënjët ende tek elita komuniste shqiptare, e cila po reagon me forcë për të bllokuar me domosdo, miratimin e një ligji që do të nxirrte jashtë funksioneve të rëndësishme shtetërore një makineri të tërë të trashëguar nga sistemi komunist.

Përpos këtyre projektligji ka një problem që gjenerohet për shkak të tij. Kjo është pamundësia e zbatimit të ligjit pa miratimin e opozitës. Projektligji ka dy aspekte; miratimi, i cili mund të bëhet edhe në mënyrë të njëanshme dhe zbatueshmëria, e cila në bazë të formulimit të këtij projekti, nuk mund të realizohet. Projekti parashikon ngritjen e një autoriteti konsensual me 2 anëtarë të pozitës, dy të opozitës dhe një konsensual, i cili do të funksionalizojë ligjin. Nëse opozita nuk jep votën për miratimin e ligjit është logjike që ajo nuk do të bëjë propozime për Autoritetin e Pastërtisë së Figurave. Në këtë moment ligji bëhet i pazbatueshëm për shkak të vetë ligjit, pa marrë parasysh këtu rezistencën që mund të vijë nga Presidenti i Republikës dhe Gjykata Kushtetuese. Gjithsesi, ky ligj duhet miratuar qoftë edhe në mënyrë të imponuar, nëse opozita do të vazhdojë të mbetet peng i hijeve të së shkuarës, por duhet gjetur forma juridike që do ta bënte ligjin të zbatueshëm edhe në mungesë të konsensusit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›