Ministria nuk është Zeusi i Kulturës
Padyshim është gjë e mirë dhe për të përshëndetur kur bien kambanat (kambanat e zgjimit), sepse ato janë simbol që paralajmërojnë, që u kujtojnë të gjithëve se jeta duhet mbajtur gjallë, se jeta gjithmonë është e rrezikuar dhe duhen bërë të gjitha përpjekjet për ta ruajtur dhe shpëtuar atë. Aq më tepër është e domosdoshme kur kambanat bien për kulturën, një fushë plotësisht delikate dhe për të cilën sidomos shoqëria shqiptare nuk e ka atë ndjeshmëri që duhet të ketë.
Por veç kambanave të alarmit ka dhe një lloj tjetër kambanash: kambanat që nuk paralajmërojnë, por lajmërojnë vdekjen. Në këtë rast, sidomos ata që janë krijues të kulturës (çfarëdo peshe të kenë dhe çfarëdo rezonance të ketë tingëllimi i kambanës që tundin), duhet ta kuptojnë se kambana ka renë edhe për ta, se dhe ata vetë janë në një farë mënyre viktima, por edhe autorë të kësaj kambane që bie. Në një shoqëri si kjo e jona, ose të paktën në një shoqëri modelin e së cilës synojmë, kultura asnjëherë nuk mund të jetë pronë e ministrisë së kulturës, rrjedhimisht përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm e saj, por e të gjitha hallkave që përbëjnë atë që quhet shoqëri shqiptare dhe që janë të lidhura pazgjidhmërisht me njëra-tjetrën
Nuk është gjë e re që në Shqipërinë tonë bien kambanat e alarmit, madje është gjë pozitive, për kulturën. Por t’u biesh kambanave paralajmëruese apo nxitëse është tjetër gjë dhe t’u biesh kambanave të lajmërimit të vdekjes është një gjë tjetër. (Jam plotësisht i bindur se nuk ka vdekur as kultura, as ministria dhe aq më pak ministri). T’i biesh një kambane të tillë do të thotë të mos lajmërosh vdekjen e një institucioni, qoftë kjo dhe Ministri e Kulturës, por të njoftosh vdekjen dhe shurdhimin e një serë personaliteteve të kulturës shqiptare, e punës së tyre që çmohet dhe vlerësohet dhe ia vlen me të vërtetë të jetë e tillë.
A ka ardhur vërtetë koha që në Shqipëri të tundim një kambanë të tillë, gjë që ta sugjeronin jo pak pasazhe të shkrimeve të botuara në gazetën “Shekulli” të datës 19 dhjetor nën okelion “Debati”? Mua më duket jo vetëm e tepruar dhe nganjëherë tendencioze , por në ndonjë vend nisur nga motive jashtëkulturor dhe që as mund të afrohen as në periferitë e kulturës.
Me dy nga autorët e shkrimeve mua më lidhin shumë gjëra, për të mos thënë edhe intimitete shokësh, të cilat nuk harrohen kurrë dhe as mund të vihen në dyshim nga asnjë shkrim dhe aq më pak nga një shkrim i kësaj natyre. . Unë e mirëkuptoj shumë mirë shqetësimin e tyre, ashtu siç ndaj me ta pikëpamje të kundërta për masën dhe shkakun e këtyre shqetësimeve. Ashtu siç kuptoj se ndonjë shkrim tjetër nuk është nisur nga pikëpamje kulturore, por nga pikëpamje të mirëfillta politike apo interesa grupi dhe vetjake, të cilat Ministria nuk i ka përmbushur. Dhe kjo nuk është gjë e re as në Shqipëri as në botë.
Më konkretisht:në një shoqëri si e jona, me gjithë mangësitë e mëdha dhe nevojat për ecje galopante që mund të ketë, a mundet një Ministri Kulture të shkaktojë një kolaps të tillë siç pretendohet në frymën e disa shkrimeve të botuara në rubrikën e sipërpërmendur? Kjo gjë nuk mund të ndodhë as në një shoqëri diktatoriale dhe jo në shoqërinë shqiptare të viteve që jetojmë. Nuk mund të ndodhë sepse kultura i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë të bëjë punën e saj (natyrisht në përmasa të reduktuara) edhe në shoqëritë ku sundon antiligji dhe antilogjika. Dhe këtë e ka provuar jo vetëm përvoja botërore por edhe ajo shqiptare. Kështu pra, duke mirëkuptuar shqetësimin për zhvillimin e kulturës dhe rolin që duhet të luajë shteti në të (konkretisht Ministria e Kulturës) unë nuk mund të mirëkuptoj tendencën e dikujt për të sulmuar politikisht Ministrinë e Kulturës dhe atë që përfaqëson ajo politikisht. apo qoftë edhe marrëdhëniet personale që mund të ketë me ministrat e kulturës apo me mënyrat si ata ballafaqohen në median dhe jetën e përditshme.
Është tepër e thjeshtë të thuash për një ish-ministre se ajo nuk ka lidhje me kulturën, një tjetër ta gjykosh vetëm për faktin se në të folurën e përditshme përdor dialektin e krahinës së vet, ndërsa tjetrin për autoritarizëm apo protagonizëm të tepruar vetëm se është shumë mediatik. Po mirë, çfarë kërkohet atëherë? Që ministri të mos jetë politik? Po atëherë përse zhvillohen zgjedhjet, le të caktojmë një ministër të përjetshëm kulture dhe mbaron puna. Kërkojmë një ministër shurdhmemec, që as të mos flasë as të mos dalë nëpër televizione e gazeta? Atëherë po ata që kritikojnë ministrin e parë për autoritarizëm dhe protagonizëm të theksuar, do të ofendonin po atë model që nënkuptohet që reklamojnë për mefshtësi dhe rëndomësi.
Ajo që duhet të gjykohet është vetëm puna dhe puna nuk mund të shihet nga larg, vetëm duke kaluar nëpër rrugën e Kavajës ku ndodhet Ministria. Por puna mund të shihet edhe ndryshe:duke hapur të paktën internetin. Është e çuditshme se si pothuaj të gjithë shkrimet e sipërpërmendura japin alarmin se Ministria aktuale nuk ka një strategji dhe politikë të përcaktuar kulturore. Në rast se kushdo do të hapë faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës në internet, do të shikojë se atje është afishuar prej kohësh strategjia dhe politikat kulturore që Ministria ka ndër mend të ndjekë dhe që po i ndjek. Madje, sa për dijeni, kjo strategji është hartuar nga një grup pune i përbërë nga personalitete të mirëinformuar dhe të mirëformuar në fushën e kulturës dhe që nuk punojnë fare në Ministri, shumica e të cilëve kanë përvoja të suksesshme edhe jashtë vendit. Atëherë çfarë është kjo kambanë që bie? Është një kambanë në erë. Do të ishte ndryshe sikur kambana të binte për një strategji të dobët apo për një strategji që nuk po zbatohet. Por të thuash që mungon strategjia do të thotë të vësh në dyshim edhe problemet e tjera që mund të jenë të drejta në prononcimin tënd.
Të paktën, në kohën që jetojmë, edhe sikur të dojë ministri e të përpiqet me të gjitha mënyrat, asnjëherë ministria nuk mund të jetë vetëm ministri, kushdo qoftë ky i fundit. Të hedhësh poshtë me një të renë lapsi gjithë punën që ka bërë Ministria do të thotë të fyesh rendë dhe në mënyrë të papërgjegjshme ata dhjetëra vetë që punojnë në Ministri. Jo vetëm kaq. Të fyesh, poshtërosh dhe akuzosh qindra të tjerë që punojnë në institucionet vartëse të Ministrisë. Atëherë kushdo mund të pyesë: çfarë të drejte ke ti të arrish në përmasa të tilla akuze, kush ta jep këtë të drejtë të ngresh një akuzë të rendë kolektive, kur dihet që përgjegjësia është individuale në shoqërinë që jetojmë dhe do të ishte mirë që akuzat t’i bëje konkrete dhe jo të përfshije me një të rënë të lapsit mijëra vetë në to?
Për më tepër, duke hedhur poshtë më një të renë të lapsit punën e Ministrisë dhe të institucioneve vartëse të saj, hedh poshtë dhe denigron edhe forumet e jashtme që punojnë pranë kësaj Ministrie dhe që kanë një rol kyç në punën e saj. Dihet që një nga momentet më të rëndësishme në punën e një ministrie është shpërndarja e financimeve ose përdorimi i parave të taksapaguesve shqiptarë dhe që Kuvendi i akordon Ministrisë për t’i shpërndarë ose për t’i përdorur. Ja që destinacionin e kësaj shume të konsiderueshme nuk e përcakton fare Ministria por një bord i ngritur me personalitete jashtë Ministrisë. Nuk kemi dëgjuar deri tani ankesa se ky fond është shpërdoruar apo keqtrajtuar. Ndërkaq këto ankesa nuk kanë ardhur asnjëherë nga anëtarët e bordit, prej tyre nuk ka pasur asnjë reagim apo asnjë dorëheqje. Atëherë si t’i shpjegojmë kambanat që tundin të tjerët që nuk e njohin fare këtë procedurë pune?
Është komode, ndoshta edhe e justifikuar, të thuash se fondi nga buxheti i shtetit që i akordohet Ministrisë së Kulturës është i pamjaftueshëm dhe ndoshta më i vogli i të gjithë ministrive. Është komode gjithashtu, madje edhe mund të duartrokitesh të pohosh se kultura është zëri i fundit në buxhet. Por, po të njëjtën gjë thonë edhe ata që kërkojnë me të drejtë rrugë të reja, edhe pensionistët që kërkojnë pensione më të larta, edhe të gjithë të tjerët që me të drejtë kërkojnë paga më të larta. Këtë thonë, madje në formë ulërime, edhe minatorët, edhe ish të përndjekurit politikë, edhe mësuesit, edhe mjekët. Dhe ndoshta të gjithë kanë të drejtë në mënyrën e tyre. Problemi, pra, është kompleks. Por, para se të shprehesh për buxhetin në fushën e kulturës, duhet të pohosh se vetëm në vitin 2008 ky u rrit 41 për qind në krahasim me vitin 2005. A mund të rritet edhe më? Natyrisht, të gjithë e kërkojmë, dëshirojmë dhe shpresojmë, madje do të përpiqemi me të gjitha forcat, të realizohet në të ardhmen. Ashtu siç duhet të pohosh, se kanë qenë pikërisht këto vite qeverisjeje dhe ky ekip i Ministrisë së Kulturës, që i rriti investimet në këtë fushë në mënyrë të ndjeshme.
Dhe, me që jemi në fushën e investimeve kulturore, askush nuk e përmend ngritjen e Bibliotekës së Huaj që i ktheu Tiranës një institucion prestigjioz, askush nuk e përmend rikonstruksionin e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, askush nuk e përmend rikonstruksionin e Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, askush nuk kujtohet për fillimin e punimeve në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës dhe që do t’i japë kryeqytetit një Galeri të re të arteve figurative dhe një Teatër të ri Kombëtar. Mos ndoshta këto janë kaq të vogla sa duhen përmendur si dështime dhe si akuza për punën e Ministrisë?
Ishte një kohë, jo fort e largët, pesë gjashtë vjet përpara, kur që nga Presidenti i atëhershëm, Kryeministri apo Ministri i Kulturës, tundnin dhe reklamonin çdo ditë në media premtimin për ngritjen e një teatri të ri kombëtar të mbështetur në një grand të qeverisë greke prej rreth tre milionë eurosh (ky fond i ngrirë llogaritej çdo vit në buxhetin e ministrisë së kulturës duke e rritur atë artificialisht dhe thjesht për nevoja propagandistike). Jo vetëm atëherë, por edhe sot e kësaj dite, nuk kujtohet njeri për këto përralla me sy hapur, ndërsa atyre që po e bëjnë realitet këtë ëndërr me paratë e shqiptarëve, jo të grekëve, po i u tundin në veshë kambanat e kritikave me të gjitha forcat.
Ishte një kohë gjithashtu, kur shtypi i shkruar dhe media televizive gjëmonte në mëngjes, drekë dhe darkë për disa fasada të lyera në Tiranë, duke shfaqur për këtë një habi me të vërtetë prej provinciali. Është një kohë kur Berati dhe Gjirokastra pranohen në UNESKO, pikërisht në sajë të punës së stafeve të Ministrisë aktuale, Për çudi ka një heshtje prej varri. Po aq i parëndësishëm qenka ky fakt, kaq qenka për t’u nënvleftësuar kjo punë e Ministrisë? Përse nuk e bënë ministritë pararendëse?
Është një kohë, gjithashtu, kur në Shkodrën e mrekullueshme është rikthyer një nga perlat e qytetit, rruga e Dugajave duke e bërë Shkodrën të parin qytet shqiptar që rrugën më të bukur e ka vetëm për këmbësorët. Është një kohë, kur ka filluar të restaurohen perlat arkitekturore të Gjirokastrës dhe Beratit, kur Korçës do t’i kthehet pazari mesjetar dhe hani i famshëm në mes të qytetit, kur në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë ka nisur ndërhyrja për të rikthyer vlerat e tyre arkitekturore dhe ndërtimore.
A mund të thuash se të gjitha këto janë investime periferike dhe se taksat e shqiptarëve janë harxhuar në erë? Le ta thotë kush të dojë, por koha për çdo gjë ruan gjykimin e vet.
Mund të akuzosh, jo vetëm Ministrinë e Kulturës, por çdo organizëm që merret me kulturën, për aktivitete periferike, populiste, pllakateske etj. Por duhet ama edhe të pohosh se pikërisht kjo Ministri ka mbështetur aktivitete të tilla elitare si Poeteka. Ishte një kohë kur në aktivitete të huaja poetike shikoja me zili se si vendet e tjera, nganjëherë edhe vende fqinje, organizonin veprimtari të tilla elitare dhe më dukej e largët dita kur ato do të vinin në Shqipëri. Ja që grupi që organizon Poetekën arriti t’i japë Shqipërisë një aktivitet vërtetë elitar dhe që i bën nder çdo vendi evropian. A nuk do të ishte më mirë të organizonim sa më shumë aktivitete të tilla dhe pastaj të arrinim në përfundimin asgjësues se Ministria ndihmon vetëm aktivitete periferike?
Nuk besoj se janë aktivitete periferike edhe shumë aktivitete të tjera që ka mbështetur Ministria si “Muaji i Kulturës Shqipëri-Kosovë”(më vjen keq që intensiteti i kësaj mbështetjeje ka ardhur në rënie), “Dita Ndërkombëtare e Rinisë” në kalanë e Porto-Palermos, ceremoninë e filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Butrint, projekti “Fondi për artistët e rinj” etj. Ashtu siç nuk mund t’i quash periferike veprimtaritë gati të përditshme që zhvillohen në sallën “Tefta Tashko Koço” dhe në galerinë “Ibrahim Kodra”, dy salla të cilat i janë shtuar aktiviteteve javore të kryeqytetit tonë.
Në një shoqëri të hapur, si ajo që po përpiqemi të përsosim, asnjë Ministri, dhe aq më pak ministria e Kulturës, nuk mund të jetë Zeusi i Kulturës. Nga ajo nuk mund të kërkosh riformulimin e hierarkisë së vlerave, as formimin e kritikës letrare, sepse në rast se do të bënim këtë do të ngrinim përsëri një ministri autoritare dhe jashtë kohe, ashtu siç nuk mund ta ngarkosh me përgjegjësi për formimin gjysmak kulturor të disa prej gazetarëve që mbushin të përditshmet tona (kështu shprehej një autor në rubrikën e sipërpërmendur).
Është mirë që kambanat nxitëse në fushën e kulturës të dëgjohen sa më shpesh. Por është mirë që ato të dinë përse bien, ndryshe në vend që të zgjojnë, ato zhurmojnë dhe shurdhojnë.