Çfarë mund t’i shtohet reformës në drejtësi
Ndërhyrjet gjatë këtyre tre viteve në përmirësim të legjislacionit penal janë bërë duke akorduar me legjislacionin e vendeve të BE-së. Kjo për sa i përket llojeve të dënimeve, masës së dënimit, por dhe të organizimit të policive kriminale, gjyqësore, si dhe të policisë së burgjeve, të cilat kanë qenë të domosdoshme për të rritur besimin e publikut tek shteti në luftën kundër krimit. Nisur nga parimi se dënimi penal nuk është një shpagim kundër personit, por një masë shtrënguese në raport me pasojën shoqërisht të rrezikshme që ka ardhur ose që mund të vijë. Praktikat tona gjyqësore në çdo rast edhe për vepra në dukje të njëjta, japin dënime të diferencuara. Mjafton të përmendim aspektin ligjor të gjykimit të shkurtuar, dënimet lehtësuese për të miturit, për gratë etj. Nga ana tjetër, për shkak të rrethanave që vijnë nga periudha e tranzicionit dhe nga domosdoshmëria për të luftuar fort çdo krim, realisht në institucionet tona të vuajtjes së dënimit ka një shtim numerik (mbi 5 mijë të burgosur). Theksoj se për shkak të kushteve jospecifike, jo gjithmonë mbahen parasysh veçoritë individuale të të dënuarve. Më konkretisht mund të them se pavarësisht dënimit me heqje lirie për disa kategori personash, kategoritë e llojeve të krimit nuk janë të barabartë me rrezikshmërinë e tyre shoqërore. Për të ilustruar këtë, po shtoj se në të njëjtin burg, madje edhe në të njëjtin ambient të vuajtjes së dënimit, ndodhet një i dënuar për vrasje me dashje dhe një tjetër nga një aksident. Për shkak se që të dy janë vepra penale kundër personit, pavarësisht formës së fajit, ato janë të dënueshme me heqje lirie. Sigurisht masa e dënimit është e ndryshme, sepse edhe rrezikshmëria shoqërore nëpërmjet pasojës nuk është e njëjtë. Nga ana tjetër, ato i nënshtrohen të njëjtit regjimi të vuajtjes së dënimit. Termit heqje lirie ne i japim kuptimin absolutist të të qenit në burg jashtë dhe pavarësisht karakterit individual të autorit të veprës penale, karakterit rehabilitues të të dënuarit dhe raporteve të të dënuarit me familjen e shoqërinë. Jo vetëm në shtetet e tjera, por edhe në praktikën shqiptare njihet përvoja e angazhimit të të dënuarve me punë. Kjo do të thotë se i dënuari nuk mbahet “non stop” në qeli, por ka kohën e tij të punës jashtë vendit të dënimit dhe kohën tjetër të lirë brenda kushteve të heqjes së lirisë. Me fjalë të tjera, një vuajtje dënimi me heqje lirie zor se kuptohet drejt pa bërë diferencimin në mënyrat dhe format e vuajtjes së dënimit në vartësi të llojit të krimit dhe rrezikshmërisë shoqërore të personit të dënuar. Nisur nga numri relativisht të lartë i personave në dhomat e paraburgimit dhe në ato të vuajtjes së dënimit pas gjykimit, por edhe duke konsideruar konceptin e rehabilitimit e të riedukimit, për të mos pasur përsëritës, mendoj se është momenti që të ndërmerren hapa për ndryshime mbi mënyrat e vuajtjes së dënimit. Ministria e Drejtësisë dhe strukturat e saj të specializuara, ndoshta do të duhet të studiojnë përvoja të ndryshme të vendeve të tjera evropiane, që lidhen me politikat e vuajtjes së dënimit. Krahas politikave që ndiqen për dhënien e amnistive nga kuvendi ose procedurat e faljes së dënimit nga Presidenti i Republikës, duhet të gjenden forma më elastike të përdorimit të dënimeve me kusht, jo vetëm në atë mënyrë siç e japin gjykatat, por edhe në mënyra të tjera gjatë vuajtjes së dënimit penal me heqje lirie. Është në të mirën e shoqërisë, që për disa vepra penale siç janë ato të kundërvajtjes penale apo me masë dënimi deri 5 vjet, mendoj se duhet ndërmarr nisma ligjore, që ky dënim të kryhet jo nëpër burgje, por në qendrat e banimit. Kjo praktikë e diferencimit me procedura ligjore do të ndikonte shumë jo vetëm për të mos i pasur në kapacitete tej normave burgjet, por mbi të gjitha për të ulur numrin e të dënuarve me heqje lirie. Kjo nuk bëhet duke skualifikuar cilësimin e veprës në kodin penal, por në radhë të parë duke sanksionuar forma alternative të mënyrës së vuajtjes së heqjes së lirisë. Me këtë nuk synojmë të liberalizojmë goditjen e krimit, por të bëjmë shoqërinë tonë sa më pak të inkriminuar. Rrafshimimi i individualiteteve, karaktereve, qëndrimi pendues dhe premtimi për rehabilitim janë faktorë jo vetëm juridikë, por edhe socialë të moralit shoqëror. Unifikimi i cilësimit të autorëve të ndryshëm të veprave penale nën emërtimin “kriminel”, pa pasur parasysh se në një kuptim përmbajtësor, jo çdo autor krimi është një kriminel, në kuptimin jojuridik, do të na pengonte të realizonim një politik dënimesh të efektshme. Mendoj se për sa fola në formën e një shqetësimi, duhet të merret si konsideratë personale, por që gjithsesi mund të jetë pjesë e reformës në drejtësi.
*Deputet i PD-së