E Diel, 1 Nëntor 2026

Roi Hodgson: Penalltitë janë tabu kombëtare!

Përgatiti: DENIS HAKANI

Trajneri i Anglisë po punon edhe për 11-metërshat. Shpeshherë kanë qenë pikërisht penalltitë që i kanë nxjerrë luanët jashtë veprimtarive të mëdha

Trajneri i Anglisë, Roi Hodgson, ka filluar ti përgatisë lojtarët e tij për mundësinë që ndeshja kundër Italisë, e cila do të luhet të dielën në Kiev, të vendoset nga gjuajtja e penalltive me synimin për ti dhënë fund fatit të keq të Tre Luanëve nga pika e bardhë.

Anglia ka humbur pesë ndeshje nga gjashtë në kompeticionet e mëdha pas gjuajtjes së penalltive, duke mundur Spanjën në Uembli gjatë Euro 1996-ës për tu eliminuar më pas nga Gjermania në gjysmëfinale në të njëjtën mënyrë.

Është një histori familjare, por praktikimi nga 11-metrat në stërvitje nuk ka mjaftuar për të zgjidhur problemet në kompeticionet e fundit. Është e pamundur të krijosh në stërvitje presionin që ekziston në ndeshje. Megjithatë, Anglia mund të marrë zemër nga atmosfera e qetë që e rrethon ekipin në Euro 2012-të.

Kompaktësia e grupit dhe optimizmi që është krijuar brenda anglezëve mund ti ndihmojë ata të thyejnë tabunë e penalltive këtë herë. Me mallkimin e 11-metërshave që kërcënon përsëri britanikët pas fazës me grupe, pragmatiku Hodgson ka besim se lojtarët e tij mund të zhdukin fantazmat e të kaluarës.

Kemi humbur shumë ndeshje të rëndësishme pas ekzekutimit të penalltive dhe e dimë se kjo është një fobi kombëtare, ka thënë Hodgson. Kur drejton kombëtaren e Anglisë, e kaluara rëndon shumë dhe çdo gjë që bëjmë sot do të krahasohet me diçka që ka ndodhur në të kaluarën.

Fatkeqësisht, ne kemi humbur dy gjysmëfinale shumë të rëndësishme me penallti. Kështu që kjo hije do të jetë e pranishme gjatë gjithë kohës që unë do të jem trajneri i kombëtares dhe ndoshta do të jetë e pranishme edhe pas 20 vitesh, nëse nuk do ta ndryshojmë këtë situatë. 11-metërshat janë kthyer në një tabu kombëtare.

Në ekipin aktual, Xhon Terri dhe Ashli Kol kanë shënuar kundër Portugalisë në të njëjtën fazë të kompeticionit në 2004-ën, ndërsa mbrojtësi ka shënuar nga pika e bardhë për Çelsin në të dy finalet e Ligës së Kampionëve të 2008-ës dhe atë të këtij viti.

Terri, gjithsesi, mbahet mend për faktin se ka humbur penalltinë vendimtare në finalen e Moskës kundër Mançester Junajtid dhe kapiteni Stiven Xherrard ka gabuar gjithashtu nga 11 metrat në Botërorin e 2006-ës kundër Portugalisë. Kemi përdorur kohën pas seancës stërvitore për të praktikuar ekzekutimin e penalltive, ka shtuar Hodgson.

Natyrisht tani do ta marrim më seriozisht këtë aspekt. Por mund të praktikohesh gjithë ditën dhe në fund të gabosh përsëri në ndeshje. Kur vjen momenti ajo që ka rëndësi në të vërtetë është aspekti psikologjik, besimi që ke në vete dhe aftësia për të mos u ndikuar nga faktorë të jashtëm.

Të gjithë praktikohen dhe shpresojnë që një ditë kjo gjë do të bëjë diferencën, por në bazë të eksperiencës time në momentin e penalltive ka rëndësi vetëm aspekti psikologjik i lojtarit.

Ndonjëherë ne kemi parë futbollistët më të mirë të gabojnë dhe lojtarë që nuk mendon se janë ekzekutues të mirë ta çojnë topin në rrjetë, ka përfunduar Hodgson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›