Berisha emëron Bylykbashin shef kabineti
Drejtori i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit, Oerd Bylykbashi nga dita e sotme do të jetë shef kabineti i kryeministrit Sali Berisha. Kreu i qeverisë ka firmosur dje vendimin për të emëruar përfaqësuesin e PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në postin që deri në 28 qershor e mbante Arben Imami. Bylykbashi ka qenë përfaqësues i PD-së në negociatat me Partinë Socialiste për hartimin e Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit dhe prej dy vitesh mbante në Kryeministri postin e lënë bosh nga Enkelejd Alibeaj. Në periudhën mars 2001- shkurt 2003, ai ka mbajtur postin e Këshilltar/ Asistentit e Zyrës për qeverisjen vendore në Prezencën e OSBE-së në Tiranë, ndërsa në periudhën shkurt 2003- shtator 2007 ai ka qenë shef i zyrës për reformën zgjedhore në Prezencën e OSBE-së. Ndërkohë një tjetër vendim i djeshëm i kryeministrit Berisha që pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë është emërimi i këshilltarit për Sigurinë dhe Rendin, Avenir Peka në postin e zv.ministrit të Brendshëm. Ky post ka mbetur vakant që pas zgjedhjeve të përgjithshme kur Genti Strazimiri, i cili e mbante prej katër vitesh u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës. Këshilltari i kryeministrit Berisha ka punuar në periudhën prill 2006- mars 2007 në postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe avokat për Arbitrazhin Ndërkombëtar në Avokaturën e Shtetit.