E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Ndërtimore nis shembjen e pallatit 12-katësh të kunatit të deputetit të PS, Peza

 

Etleva Delia

Policia Ndërtimore zhvilloi dje në orën 15:00 një aksion për prishjen e një godine 12-katëshe, të papërfunduar ende, pranë “15-katëshit në qendër të Tiranës.

Pallati, i cili ishte projektuar që të bëhej një hotel 12-katësh, rezulton në pronësi të biznesmenit Ilir Mata, i cili është kunati i deputetit socialist Dashamir Peza. Një fadromë e Inspektoratit të Policisë Ndërtimore, për rreth 3 orë ka prishur muret e tre kateve të para të ndërtesës, e cila sipas të dhënave do të bëhej hotel, për të vazhduar shembjen e pallatit mëngjesin e sotëm. Policia e Rendit ka mbështetur aksionin e Policisë Ndërtimore, duke siguruar të dyja daljet e rrugës. Gjatë këtij aksioni kanë qenë të pranishëm edhe punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët kanë vëzhguar shembjen e pallatit nga larg. Fillimisht Ndërtimorët u shprehën se aksioni i shembjes së godinës kishte ardhur pas ankesave të banorëve, të cilët nuk kishin rrugë për të kaluar, duke qenë se tuneli i parashikuar se do të ndërtohej në katin e parë të pallatit, nuk ishte bërë. Ndërsa në vendimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, flitet për mungesë të lejes së ndërtimit. “Urdhri i shembjes së 12 kateve të godinës, bazohet edhe në faktin se pallati është ndërtuar në një pronë publike që është një zonë me rëndësi kombëtare”, thuhet në dokument.
SHEMBJA
Pasditen e djeshme Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ka nisur një aksion për shembjen e një pallati në qendër të Tiranës. Pallati, që ndodhet pas “15-katëshit”, është në emër të kunatit të deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, biznesmenit Ilir Mata. Fadromat kanë ndërhyrë në 3 katet e para të ndërtesës 12-katëshe dhe do të vazhdojë me katet e tjera në ditët në vazhdim, pasi ekziston një urdhër për shembjen e të gjithë godinës. Sipas të dhënave, në vendin ku kryhet aksioni i Policisë Ndërtimore mësohet se në pallat nuk ka banorë, pasi godina është e papërfunduar. Në lidhje me këtë pallat ka pasur akuza nga banorët e zonës se është ndërtuar pa leje dhe pengon kalimin e banorëve që jetojnë në pallat e tjera pas tij, ndërsa fillimisht thuhej se do të ndërhyhej vetëm në katet e para për të zhbllokuar rrugën. Në vendngjarje kanë mbërritur përfaqësues të OSBE-së dhe deputetë të Partisë Socialiste. Policia e Rendit ka rrethuar zonën duke lejuar Ndërtimoren që të vazhdonte normalisht shembjen e godinës. Deputeti Dashamir Peza është akuzuar kohët e fundit nga kryeministri Berisha për marrjen e lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive, i favorizuar edhe nga Kryetari i Bashkisë Edi Rama. Ndërkohë që pas akuzave të kryeministrit Berisha, kryebashkiaku Rama është përgjigjur se lejet e ndërtimit jepen nga KRRT-ja, në të cilën gjysma e anëtarëve janë të zgjedhur nga Partia Demokratike.

TIRANE / Destinacioni i godinës, për hotel
 Pallati i shembur nuk kishte banorë dhe as shitje shtëpish

Shembja e godinës 12-katëshe, duket se ka të dëmtuar vetëm ndërtuesin e saj, Ilir Matën, i cili është kunati i deputetit socialist Dashamir Peza. Duke qenë se ky objekt ishte planifikuar dhe projektuar që pas ndërtimit të bëhej hotel, askush nuk kishte prenotuar hyrje, që të kishte dhënë para për të blerë ndonjë apartament në ndërtesë. Por njëkohësisht, as në momentin e nisjes së shembjes së godinës, pasi pallati ishte i papërfunduar. Por duket se shembja e kësaj ndërtesë të lartë, deri diku është pritur mirë nga banorët e pallateve të tjera pas tij, të cilët ishin ankuar vazhdimisht për mungesën e një rruge kalimi që kishte shkaktuar godina që po ndërtohej. Fillimisht ishte planifikuar që godina në katet e para të saj të kishte një tunel që të mundësonte kalimin e banorëve, të cilët pretendonin se janë të izoluar. Madje jo vetëm banorët, por edhe bizneset të cilat ndodhen në pjesën e pasme të pallatit. Kjo është edhe shkelja e vetme që është kryer nga ndërtuesi i kësaj godinë, që pranohet deri diku nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës. Burime nga bashkia e kryeqytetit thanë se objekti ka leje ndërtimi, është ndërtuar në pronë private, por nuk ka zbatuar me përpikmëri projektin për të pasur një tunel lidhës me pjesën tjetër të zonës ku është ndërtuar. Ndërsa mësohet se gjatë aksionit të Policisë Ndërtimore për shembjen e godinës nuk ka pasur asnjë incident apo të dëmtuar.

 Reagon Shoqata e Ndërtuesve
“Klima biznesit e keqe, ndërtuesit në krizë”

Klima e përkeqësuar e biznesit dhe gjendja kritike financiare e kompanive të ndërtimit ka bërë që Shoqata e Ndërtuesve të reagojë dje përmes një deklarate. Kryetari i Bordit Drejtues të kësaj shoqate Luigj Aleksi u shpreh i shqetësuar për deklaratat e vazhdueshme të dy javëve të fundit, lidhur me ekzistencën e “mafies” në ndërtim”. Ai theksoi se Shoqata është një bashkim vullnetar i ndërtuesve të pa-politizuar dhe është themeluar mbi konceptin e respektimit të ligjeve. “Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë duke mos pasur asnjë lidhje me mafien në ndërtim është “pro” luftës pa kompromis ndaj saj, korrupsionit dhe çdo veprimi tjetër të paligjshëm” tha ai. “Pozicionohemi në mbrojtje të lejeve të ndërtimit si i vetmi dokument i patjetërsueshëm që duhet të ketë ndërtuesi për të legjitimuar ndërtimin e tij.” theksoi Luigj Aleksi. Ai u shpreh se gjendja e biznesit në total është përkeqësuar dhe firmat e ndërtimit janë në një krizë likuiditeti financiar dhe është Qeveria ajo që duhet të ndërhyjë për të zbutur efektet e krizës. Nga ana tjetër Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar miratimin e Planit Rregullues të Tiranës, fillimin e mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës dhe zgjidhje për situatën e firmave në krizë financiare.                           n.m

Shalsi: Pallati me hipotekë, shembja është e paligjshme

Etleva Delia

Deputeti Eduart Shalsi, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, tha dje se pallati që po shembej dje nga Policia Ndërtimore, është e hipotekuar dhe me të gjitha dokumentet e rregullta e legjitime.Në një reagim për mediat, pasditen e djeshme, Shalsi ka deklaruar se kryeministri Sali Berisha po cenon biznesin privat, duke goditur një objekt të ligjshëm. “Sot jemi dëshmitarë të një tjetër akti banditesk, të kryeministrit Sali Berisha, që ka marrë përsipër të luftojë mafien duke u sjellë si një mafioz i vërtetë”. Kështu është shprehur dje Shalsi, i cili bashkë me disa deputetë të tjerë të PS, ka qëndruar në vendin e ngjarjes në kohën që Policia Ndërtimore po shembte pjesën e jashtme të tri kateve të para. Shalsi është shprehur se ai vetë si deputet i Tiranës dhe të gjithë deputetët e tjerë, janë të vendosur të mos lejojnë kryeministrin që të cenojë biznesin privat, ashtu siç e dhunoi dje. “Ne jemi të vendosur, unë si deputet i qytetit të Tiranës dhe ne të gjithë deputetët, që të mos lejojmë këtë njeri, të cilin e kemi parë krejtësisht të çekuilibruar dhe të çorientuar, për hir të vërtetës javët e fundit, që të cenojnë biznesin privat, ashtu siç ai e dhunoi atë sot”, është shprehur Shalsi. Më pas ai deklaroi se godina 12-katëshe, për të cilën është marrë vendimi i shembjes nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, është e hipotekuar dhe e ligjshme. “Për ironi të fatit godina që kryeministri goditi, ishte e hipotekuar nga zyra e tij e regjistrimit të pasurisë, ndërkohë që ai derdhi të gjithë vrerin e mllefin kundër një objekti të ligjshëm, imagjinoni se çfarë mund të bëjë ky njeri që nuk njeh as institucionet dhe as ligjin”, ka theksuar Eduart Shalsi.
Kundër shembjes
Pas shpjegimit që ka dhënë për godinën e hipotekuar, sipas tij, Eduart Shalsi është shprehur se ai dhe shumë deputetë të tjerë, do të dalin në mbrojtje të biznesit dhe sipërmarrjes së lirë. “E theksova dhe do ta theksoj vazhdimisht, ne këtu do të jemi dëshmitarë në ditët që do të vijnë, se ne jemi krejtësisht të vendosur për të mos e lejuar këtë njeri, që të cenojnë biznesin dhe sipërmarrjen e lirë, ashtu siç dëshiron ai. Ai nuk po lufton mafien, por ai po sillet si një mafioz i vërtetë”, është shprehur Shalsi. Ndërsa pyetjes nëse me çfarë argumenti ka vepruar Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Shalsi i është përgjigjur duke thënë se vendimi i këtij institucioni nuk ka ndjekur asnjë procedurë ligjore. “Ju ftoj që të kërkonin dokumentacionin e plotë dhe do të shihni që këtu nuk kemi të bëjmë me një procedim normal ligjor, por me një shantazh”.

Kreu i Hipotekës: Pallati nuk është hipotekuar

TIRANE - Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekës, Arben Qirjako, vendimi i Inspektoratit Ndërtimor  Urbanistik Kombëtar, për shembjen e pallatit në qendër të Tiranës, është i drejtë, pasi godina është e pahipotekuar dhe e ndërtuar mbi një pronë publike. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Qirjako ka shpjeguar problemet e konstatuara në dokumentacionin e godinës 12-katëshe, regjistrimin dhe çregjistrimin e saj, madje edhe shkeljet ligjore që e çuan çështjen deri në prokurori. “Godina karabina është regjistruar në vitin 2005, nga regjistruesi Gazmend Zeneli, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, por vetëm dy vite më pas ajo është çregjistruar”, tha dje kreu i Hipotekës, Arben Qirjako. Më pas, ai argumentoi edhe shkakun pse kjo ndërtesë u çregjistrua, duke shpjeguar kështu vlefshmërinë e vendimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Arben Qirjako ka shpjeguar gjithashtu se para se godina të çregjistrohej nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kjo çështje u dërgua në prokurori si rezultat i shkeljeve që u konstatuan gjatë verifikimit të dokumentacionit. “Në vitin 2007 çështja u dërgua në prokurori, sepse rezultuan shkelje në regjistrim, duke qenë se godina ishte ndërtuar në një pronë publike dhe jo në pronë private, ashtu siç ishte pretenduar në vitin 2005, kur u regjistrua në Hipotekë”, është shprehur Qirjako. Pasi përfunduan hetimet në prokurori dhe u provuan shkeljet e kryera gjatë regjistrimit, u vendos çregjistrimi i kësaj ndërtese nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. I pyetur në lidhje me deklaratat që dha për median deputeti Eduart Shalsi, kreu i Hipotekës u shpreh ndryshe nga ai, duke thënë se godina 12-katëshe është e pa hipotekuar dhe trualli mbi të cilin është ngritur pallati është pronë publike.  e.d

Akuzat e Berishës për Dash Pezën
Kryeministri Sali Berisha akuzoi pak ditë më parë deputetin e Partisë Socialiste, Dashamir Peza se ka përfituar leje të paligjshme ndërtimi në Tiranë nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjatë një konference për shtyp ai publikoi një dosje, sipas të cilës, kunati i Dash Pezës, Ilir Mata ka marrë mbi 21 mijë m2 leje ndërtimi. “Po filloj me Ilir Matën apo “kunatin e shokut Xhemal”, kunatin e Dashit, i cili na e pastron edhe qytetin, sepse tenderët e pastrimit të qytetit vetëm Dashi i fiton. Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës  21.350 metër katror leje ndërtimi. Në një vendim 11 mijë metër katror, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha janë në dhunim të pronave e ligjeve”, u shpreh Berisha. Ndërkohë PD-ja ka denoncuar pak ditë më parë pallatin e ndërtuar nga Dash Peza mbi rrugë mbrapa Hotel Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›