E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Korrupsioni, problem serioz

 

ADI SHKEMBI

Korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze me të cilat përballet Shqipëria. Deklaratën e bëri dje ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhërs gjatë një konference mbi të Drejtat e Njeriut në Tiranë. Në fjalën e tij, kreu i diplomacisë amerikane ka paralajmëruar se fenomenet negative, të cilat janë të pranishme në vend do të jenë pjesë e raportit të Departamentit të Shtetit mbi zbatimin e të drejtave të njeriut. “Më lejoni që t’ju paraqes një listë jo të plotë, por disa shembuj të problemeve që vazhdojnë të na shqetësojnë. Për herë të parë, administrata Obama ka nxitur që raporti i të drejtave të njeriut të adresojë dhe analizojë gjendjen e korrupsionit kudo në botë, në një mënyrë të cilën ne nuk e kemi bërë më parë”, tha Uidhërs. Sipas tij korrupsioni gjendet në çdo nivel të shoqërisë. Ambasadori amerikan theksoi se i duhet kushtuar vëmendje pavarësisë së institucioneve demokratike, teksa shtoi se ndërhyrjet politike për çështjen e Gërdecit nuk duhet të ndodhin më. “Kam thënë në raste të ndryshe, ashtu si kolegët e mi Ambasadorë, që korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze me të cilin Shqipëria ndeshet në çdo nivel të shoqërisë së saj. Një tjetër element, një tjetër çështje të cilës ju mund të doni t’i kushtoni vëmendje, është pavarësia e institucioneve demokratike, veçanërisht e gjyqësorit. Ndërhyrja politike, si ajo në gjykimin e çështjes së Gërdecit, është një lloj ndërhyrjeje që ne shpresojmë të mos bëhet e zakonshme në Shqipëri”, theksoi më tej ambasadori amerikan. Kreu i diplomacisë së Uashingtonit në vendin tonë vuri theksin gjithashtu te liria e medias, ku u ndal sërish te rasti i rrahjes së gazetarit Mero Baze nga biznesmeni Rezart Taçi. “Një tjetër çështje është ajo e lirisë së medias. Së fundmi patëm rastin fatkeq të një gazetari që, mesa duket, u sulmua sepse shprehu pikëpamjet e tij në shtyp. Një incident i tillë nuk mund të tolerohet”, u shpreh Uidhërs. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi në listën e problemeve në Shqipëri edhe dhunën ndaj grave dhe diskriminimin e pakicave kombëtare. Ai vlerësoi se dhuna në familje është një problem serioz në vend, ndërsa kërkoi nga drejtësia hetim mbi diskriminimin e minoritetit rom. “Një nga dhunimet më tragjike të të drejtave të njeriut është trafikimi i qenieve njerëzore, i cili i privon qeniet njerëzore, sidomos gratë, nga dinjiteti dhe liria e tyre. Edhe dhuna në familje është një problem tjetër serioz. Presidenti Obama dhe Sekretarja Klinton kanë nënvizuar faktin që dhuna brenda familjes, përveçse një çështje mbi gratë, është edhe një çështje e të drejtave të njeriut. Në vendin tim ka pasur një histori të gjatë diskriminimi të bazuar në etninë dhe racën. Diskriminimi kundrejt pakicave tuaja etnike, sidomos asaj rome, është diçka që unë shpresoj se do ta hetoni me drejtësi”, tha në fjalën e tij Uidhërs. Në fund ai vlerësoi nismën e kryeministrit Sali Berisha për të miratuar për të miratuar së shpejti në parlament ligjin për të drejtat e homoseksualëve. “Si pjesë të listës sime, unë do të rendis edhe nevojën për të përmirësuar të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri. Kryeministri Berisha është angazhuar në miratimin e ligjit mbi anti  diskriminimin. Ne e përgëzojmë për këtë, pasi ky do të jetë një hap i rëndësishëm në të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri”, tha Uidhërs. “Historia ka treguar se demokracitë, demokracitë e vërteta, ndonëse jo të përsosura, bëjnë një punë më të mirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut se çdo sistem tjetër politik. Dhe kjo ndodh sepse institucionet demokratike dhe proceset demokratike, ofrojnë institucionet dhe mekanizmat, që grupe të ndryshme të kanalizojnë ankesat e tyre, e si rrjedhim, të ndihmojnë në arritjen e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë”, vlerësoi në fjalën e tij ambasadori amerikan.

Thirrja e BE: Partitë, dialog politik konstruktiv në Parlament
Bashkimi Evropian bën thirrje për një dialog konstruktiv politik në Shqipëri, duke përfshirë këtu dhe Parlamentin. Këshilli Evropian për Çështjet e Përgjithshme i BE-së, sipas “Top Channel”, gjatë mbledhjes së djeshme, i drejton thirrje partive politike shqiptare në arritjen e dialogut politike. Në përfundim të mbledhjes, ku u diskutua mbi Strategjinë e Zgjerimit me vendet e Ballkanit, ministrat evropiane dolën me deklaratën e përbashkët përfundimtare, ku për Shqipërinë renditen si sfida urgjente për vendin forcimin e shtetit ligjor, luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, funksionimin e duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësinë e gjyqësorit. Ndërsa pret opinionin e Komisionit mbi dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë, Këshilli vlerëson se Shqipëria duhet të rrisë kapacitetet administrative, të garantojë pavarësinë e administratës dhe të përmirësojë kushtet për lirinë e medias. Në deklaratën e tyre, ministrat evropiane vlerësojnë progresin e arritur në disa fusha, veçanërisht për reformën elektorale, por përsërisin se duhen parë me vëmendje rekomandimet e ODIHR për parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit parlamentare. Opozita shqiptare, PS-ja nuk pranon të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Socialistët prej mëse tre muajsh po bojkotojnë Kuvendin, duke kërkuar miratimin e një ligji të posaçëm për hapjen e kutive të votimit dhe rinunërimin e tyre. Nga ana tjetër, maxhoranca shprehet e vendosur në mos hapjen e kutive të votimit, duke bërë të qartë se kjo do të cenonte shtetin ligjor, pasi nuk mund të dilet mbi vendimet e gjykatave mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo përplasje ka sjellë acarimin e situatës politike ndërmjet maxhorancës dhe opozitën. Në lidhje me këtë situatë pati edhe një reagim nga ana e Ambasadorit Holandez në Tiranë, i cili rekomandon uljen në tryezë të liderëve kryesorë të partive politike. Në një prononcim për “Vizion Plus”, diplomati holandez, Hendrik Van Den Dool thotë se “kërkesa e opozitës për hapjen e kutive, si dhe ajo e maxhorancës për hyrjen në parlament, janë të drejta dhe të ligjshme”. Por ajo çka do t’i jepte fund krizës politike, sipas tij, është vetëm debati i matur dhe larg medias. Edhe protestat e opozitës, ambasadori holandez ne Tirane i cilëson mënyra të ligjshme për zgjidhjen e kërkesave. Por, pas tyre sugjeron diplomati duhet të ketë një dialog që të vendosë demokracinë në vend dhe t’i kushtojë rëndësi sfidave kryesore të Shqipërisë, integrimit të vendit dhe liberalizimit të vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›