Maratona e surprizave të Vitit të Ri në ekranin e Vizion Plus
Konak festiv
Një maratonë programore, ndryshe nga ajo e përditshmja, e pasuruar me elementët festivë dhe e ideuar enkas për atë ditë. Personazhe të “Konak”-ut do të jenë personalitete të shoqërisë civile, të cilët në këtë ditë të ndërrimit të viteve do të jenë pjesë e gatimeve speciale që do të përgatiten për mbrëmjen e madhe. Por krahas tyre nuk do të mungojnë surprizat e shumta të përgatitura nga anëtarët e familjes “Konak”, përshëndetjet e personaliteteve të artit shqiptar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, situatat krejt të veçanta që lindin nga një marrëdhënie me të ftuarit vip, gjithçka që do t’ju shoqërojë përgjatë gjithë paradites në ekranin e Vizion Plus. Dhe nëse doni këshilla se si duhet të përgatitet tavolina në këtë mbrëmje speciale, ndiqni “Konak” dhe zbuloni recetat që kuzhinieri ynë ka përgatitur enkas për këtë festë...
(Ora 10:00 – 17:00)
Përrallë me romakë
Radha më pas u vjen fëmijëve, të cilët miku i tyre më i ngushtë ka vendosur të mos i braktisë edhe në ditën e fundit të këtij viti. Një shou ndryshe nga quizi i zakonshëm, ku vendin e pyetjeve do ta zënë lojërat dhe atmosfera festive që Turi dhe miqtë e tij do të përgatisin enkas për këtë ditë. Këngë, lojëra, kërcim, spektakël dhe argëtim pa limit për të gjithë fëmijët në të vetmin program televiziv kushtuar atyre, “Përrallë me Romakë”.
(Ora 18:00 – 19 :30)
Ekskluzive informative
Ngjarjet më të rëndësishme politike, kulturore e sociale të një viti që lamë pas. Eventet që erdhën te ju ekskluzivisht përmes kamerës së Vizion Plus, skandale të denoncuara nga gazetarët tanë, histori të pazakonta që u bënë burim informacioni, gjithçka e përmbledhur në 60 minuta në një ekskluzive të përgatitur nga departamenti i informacionit.
(Ora 19:30 – 20:30)
Oops special
Blobe, gafa politikanësh, situata të pazakonta, karaktere të spikatura që kanë ardhur përmes objektivit të Oops, risillen në një përmbledhje speciale për të ndezur paksa atmosferën në sofrat tuaja.
(Ora 20:30 – 21:00)
Game Over Show
Megashou special i Vitit të Ri. Një shfaqje e përmasave të mëdha televizive. Një spektakël arenë e spektaklit, argëtimit dhe humorit. Kjo është dhe surpriza e radhës që ka rezervuar ekrani i Vizion Plus për ditën e ndërrimit të viteve. Një shou i vërtetë argëtimi dhe spektakli ku protagonistë do të jenë artistët, balerinët, instrumentistët më në zë, si dhe barcoletierët. Elementë të spikatur muzikorë që di t’i përcjellë vetëm mjeshtri Fatos Qerimi, interpretim mjeshtëror i trupës së baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën koreografinë e Arian Sukniqit, por do të jenë edhe ata protagonistët e kamerave të fshehta të Game Over, të cilët dashur pa dashur me reagimet që kanë pasur kanë dhuruar me të vërtetë momente speciale që vlejnë për t’u përjetuar. Të zhveshur tashmë nga petku i jetës skenike apo artistike që i karakterizon gjatë profesionit të tyre, ata do të zbresin krejt natyrshëm ashtu siç janë në të vërtetë, duke zbuluar anën tjetër të karakterit të tyre me të cilën publiku nuk është ndeshur më parë. Do të jetë ky Megashou që do t’ju shoqërojë deri në ditët e para të vitit të ri 2009 në ekranin e Vizion Plus
(Ora 21:00 – 00:30)
Moulin Rouge
Një muzikal i jashtëzakonshëm që rrëfen historinë e dashurisë së një kurtizaneje të bukur dhe një shkrimtari pasionant. Një dashuri që nuk mund të mbijetojë, një pasion që do të shuhet, një jetë që nuk mundi të mposhtë vdekjen, në sajë të xhelozisë dhe urrejtjes së pamëshirshme të një Duke. Nën interpretimin dhe pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Elsa Lilës, si dhe emrave të njohur të skenës, vjen për kënaqësinë tuaj një bashkëprodhim i Kompanisë International Theatër Musical dhe Vizion Plus, Moulin Rouge – Mulliri i Kuq.
(Dt.01 janar ’09, ora 20:30)
Zonë e lirë – The best of
"Zonë e Lirë" është një emision me karakter gjeneralist, i cili mbështetet mbi aktualitete të ndryshme, politike, sociale dhe kulturore, lokale dhe ndërkombëtare, duke i përcjellë ato nëpërmjet personazheve që ideatori dhe drejtuesi i emisionit, Arian Çani fton në studio. Këto personazhe janë protagonistë direkt ose indirekt të këtyre ngjarjeve. Promovimi është në thelb të intervistave që zhvillohen në studio. Politikanë, artistë, shkrimtarë, gazetarë, shkencëtarë janë çdo të premte protagonistë, autorë apo “viktima” të ngjarjeve e ndodhive të ndryshme duke rrëfyer e dëshmuar historitë e tyre e, në këtë mënyrë, duke hedhur më shumë dritë mbi to. Një përmbledhje e pjesëve më të bukura nga situatat e krijuara në studion e Zonë e Lirë.
(Dt. 2 janar, ora 21:00)
Rudina Magjistari – Misioni Vazhdon
Risjellim edhe një herë në kujtesën tuaj momentet më të bukura të një viti që lamë pas. Historitë e pazakonta njerëzore, solidaritetin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme, emocionet e forta të takimeve pas vitesh, gjithçka që kemi përcjellë deri sot, gjatë kryerjes së këtij misioni human, vjen në një speciale të përgatitur enkas për këto ditë festive, ku padyshim vendin e lotëve do ta zënë buzëqeshjet dhe shpresa e rilindur për një jetë të re.
(Dt. 3 janar, ora 21:00)
By Pass - The best of
Një traditë tashmë e hershme e ekranit të Vizion Plus. Një format satirik dhe thumbues mbi dukuritë e fenomenet negative të realitetit shqiptar. Pas 3 vitesh suksesi që pasuan në ekranin e Vizion Plus, duke e shndërruar atë në një ndër programet satirikë më të ndjekur dhe të preferuar për shqiptarët brenda e jashtë kufijve, karizma e hollë e Bajkos dhe stafi i tij premtojnë për një sezon të mbushur me surpriza të këndshme dhe momente argëtuese. Një prodhim i departamentit të informacionit, i cili sjell çdo të diel në mbrëmje realitetin shqiptar të parë nën një tjetër këndvështrim, duke përcjellë jo vetëm buzëqeshjen por edhe ndërgjegjësimin mbi gjithçka që na rrethon ndaj së cilës duhet të reagojmë. Një penë e zgjedhur dhe thumbuese, e cila ka ditur gjithnjë të përcjellë humorin e hollë, larg banaliteteve dhe batutave false, për të qenë në çdo kohë një zgjedhje perfekte për shijet tuaja.
(Dt.4 janar, ora 20:10)
30 Dhjetor 2008