E Diel, 1 Nëntor 2026

Sportistja kanadeze Sara Berk ne koma pas stervitjes

Skiatorja kanadeze, Sara Bërk, është në koma në një spital amerikan pas një përplasjeje të rëndë gjatë stërvitjes. Mjekët njoftuan se Bërk u operua në kokë, por nuk japin asnjë parashikim mbi përmirësimin e mundshëm të shëndetit të saj
Një sportiste e nivelit të lartë po lufton në kufirimin mes jetës dhe vdekjes pas një përplasjeje të rëndë në stërvitje. Skiatorja e stilit të lirë, Sara Bërk, u dëmtua rëndë në kokë, ndërsa stërvitej në një pistë pranë Solt Lejk Sitit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Menjëherë pas përplasjes ajo u dërgua në spitalin e Universitetit të Jutahut duke iu operuar një arterie e çarë që i shkaktonte hemoragji.
Mjekët janë shprehur se Bërk mbetet në gjendje të rëndë, ndonëse ndërhyrja kirurgjikale ia shmangu, hë për hë, më të keqen.
Nuk është dhënë asnjë afat lidhur me përmirësimin e mundshëm të shëndetit të sportistes 29-vjeçare, e cila pësoi mjaft dëmtime ndërsa u rrëzua keq pas një kërcimi që ishte pjesë e programit të saj stërvitor.
Gjithsesi, familja e Bërkut shprehu besimin se karakteri i fortë do të bëjë që ajo ta fitojë betejën më të vështirë që ka zhvilluar ndonjëherë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›