Zgjidhje për kartat ose shtyrja e zgjedhjeve
Qeveria dhe opozita duhet të shprehen tanimë publikisht rreth mundësisë së standardit të pjesëmarrjes në zgjedhje pa karta identiteti për një numër të konsiderueshëm banorësh, me qëllim që zgjedhjet të mos dështojnë. Siç po shihet nga ritmi me të cilin po përpiqet të instalohet sistemi i printimit të kartave të identitetit, nga numri i lartë i gabimeve në regjistrin elektronik, si dhe nga pamundësia fizike që ka sistemi të printojë së paku rreth 1 milion karta deri në qershor, është e qartë se një numër i madh shtetasish shqiptarë, nga ata që nuk kanë as pasaportë për jashtë shtetit, do të mbeten pa karta identiteti para zgjedhjeve. Qetësia me të cilën artikulohet ministri Nishani për këtë çështje duket se vjen më shumë nga arsye shëndetësore sesa nga kontrolli mbi gjendjen faktike, dhe përsëritja e përditshme e alarmit nga opozita, se ky proces do të dështojë, po ashtu krijon një debat rutinë rreth kësaj çështjeje kryesore për procesin.
Për këtë shkak duhet që medoemos që tani të bisedohet në komisionin parlamentar që është ngritur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor ose në nivel liderësh politikë se ç’do të bëhet me ata qytetarë që nuk do të mund të marrin dot kartat e identitetit. Mospajisja e gjithë qytetarëve me këtë dokument është thuajse një ngjarje e sigurt dhe ajo që është tashmë e pasigurt, është se si do të shkohet në zgjedhje. Nëse opozita i qëndron zotimit të saj për të mos hyrë në zgjedhje pa karta identiteti, natyrisht që jemi para një situate destabilizimi të mundshëm të vendit. Si rrallëherë opozita është në të drejtën e saj ta bëjë këtë, pasi qeveria ka pasur boll kohë dhe shanse ta bëjë këtë proces në kohën e duhur, por e ka vonuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe interesave korruptive të njerëzve që u morën me këtë proces. Por opozita nuk duhet ta zgjedhë këtë rrugë. Që të mos përsëritet situata e neveritshme e dhjetorit të vitit 2006, kur për gati 40 ditë debat kombëtar ishte certifikata speciale, libreza e ujit apo e qirave të shtëpisë, duhet që që tani të ngrihet kjo temë diskutimi në mënyrë përfundimtare dhe të gjendet rrugëzgjidhja për ata qytetarë që s’do të kenë mundësi të marrin kartat. Ky problem do të bëhet i mprehtë, sidomos në fshatra, ku shumë banorë nuk do të kenë mundësi as të aplikojnë, pasi do t’iu duhet të bëjnë orë të tëra rrugë për të shkuar në qendrat e komunave për të aplikuar, çka do ta vështirësojë procesin.
Për t’i dalë para destabilizimit të mundshëm të zgjedhjeve duhet që komisioni parlamentar apo takimi në nivel kryetarësh të partive politike të vendosë që tani me transparencë se cila do të jetë rruga për të dalë nga kriza, kur ajo të pllakosë. Nëse qeveria nuk pranon të debatojë tani për këtë ngjarje të sigurt, atëherë ajo është qartazi e predispozuar të sabotojë zgjedhjet dhe të lërë pa votuar një pjesë të madhe të popullsisë që mund të votojë kundër saj. Opozita duhet t’i kërkojë asaj me urgjencë një plan masash tani, dhe po tani duhet të vendosim si do sillemi me këta votues në qershor. Kjo do ta bënte procesin transparent dhe krizën të tejkalueshme, kur ajo të ndodhë. Fjala vjen mund të gjendet zgjidhja që dy javë para zgjedhjeve, kur të shihet dështimi me qindra- mijëra shtetas pa kartë identiteti, ata mund të grupohen në një listë informative për gjithë qendrat e votimit dhe të autorizohet votimi vetëm i atyre personave me dokumente të tjera speciale, si certifikatë speciale apo diçka tjetër. Jam shumë i pazoti të them tani se ç’duhet bërë me ta, por jam i bindur se duhet biseduar tani se ç’duhet bërë me zgjedhjet. Nëse palët iu qëndrojnë zotimeve të tyre, d.m.th., qeveria zotimit se do bëjë kartat e identitetit dhe opozita se nuk do hyjë në zgjedhje pa kartat e identitetit, e sigurt është se nuk do të kemi zgjedhje. Nuk e di sa e vërejnë këtë përfaqësuesit e misionit të ODIHR, që kanë mbërritur në Shqipëri, por është e sigurt se me këtë ritëm, me këtë përgatitje dhe këtë papërgjegjësi zyrtare, qindra-mijëra qytetarë nuk do të kenë më 28 qershor karta identiteti. Problemi është si të kemi zgjedhje dhe pa ato, ose më thjesht si të marrim masa që sot që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe pse qeveria nuk po tregohet e ndershme me zotimet e saj publike.