E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spraji që bën rezistent ndaj ujit cdo material

SHBA- Kompania amerikane Ross Nanotechnology ka prodhuar nanomaterialin në spraj dhe ngjyrë, i cili shumë shpejt do të mund të ndryshojë kuptimin e fjalës rezistues ndaj ujit. Produkti i quajtur NeverWet bazohet në silikon, ndërsa refuzon të gjitha llojet e lëngjeve dhe të vajrave, transmeton Koha Ditore.

Por, NeverWet është shumë më shumë se materiali rezistues ndaj ujit. Kur spërkatet në sipërfaqe, thuhet që mbron edhe nga akulli, ndryshku, papastërtitë, pluhuri, balta, madje edhe nga bakteret. Në faqen e vet zyrtare Ross Nanotechnology pohon që materialet e veshura me shtresë të NeverWet do të ruajnë veçoritë e pazakonshme nën presione të fuqishme, në kushte të ndryshme të motit, madje për një kohë të gjatë. Disa objekte të lyera me të kanë mbetur të thata edhe pasi kanë kaluar një vit nën det.

Sipas një video xhirimi të shfaqur në YouTube, iPhone i spërkatur me NeverWet mund të durojë i zhytur në enën me ujë për një gjysmë ore të mirë dhe do të punojë pa problem edhe më tej. Duket që materiali i ri mund të aplikohet si mjet mbrojtës për një mori objektesh të ndryshme– nga këpucët dhe tekstilët, pajisjet elektrike e deri te pajisjet dhe sipërfaqet sanitare dhe spitalore.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›