E Shtunë, 31 Tetor 2026

Srebrenica kërkon një ndëshkim shembullor

“Mlladiçi urdhëroi të vriten të gjithë burrat tanë. Dhe tani, ne, nënat, motrat dhe bashkëshortet e këtyre burrave mbetemi me shpresë që ai(Mlladiçi) të mbetet gjallë. E kemi parë se si është plakur gjatë kohës kur e kapën dhe druhemi se do të ndodhë si me Millosheviçin: që vdiq pa marrë dënimin e merituar”.

Duke qëndruar në kopshtin e shtëpisë së saj – më pak se një kilometër larg nga varreza e Srebrenicës ku janë mbledhur eshtrat e thuajse gjysmës së 8.300 të masakruarve burra boshnjakë, të cilët u vranë në korrik të vitit 1995 nga trupat serbe – Sehida Abdurahmanoviç, 56 vjeç, gruaja e njërës prej viktimave, shpreh paradoksin e hidhur që përbën për të arrestimi i Mlladiçit.

“Sigurisht që ky arrestim është një lehtësim për ne, por që gjithsesi u arrit shumë vonë. Kemi humbur njerëzit tanë më të shtrenjtë: të vetmen gjë që na mbetet të kërkojmë është të vihet në vend drejtësia dhe të dalë në pah e vërteta. Të jepen vendime të drejta, të gjenden vendet ku janë varrosur të tjerët, të cilëve ende nuk u dihet varri”, thotë Sehida.

Në familjen e saj nuk kanë mbetur meshkuj qysh nga korriku i vitit 1995. Për me tepër, bashkë me bashkëshortin e saj, janë ekzekutuar edhe dy kunetërit dhe nipi i tyre i vetëm. Trupat e serbe të kryesuara nga Ratko Mlladiçi hynë në territorin e Bosnjës - që pandehej se mbrohej nga kaskat blu holandeze - ndanë burrat nga gratë, si dhe kryen një pastrim të mirëfilltë etnik. Në varrezë janë varrosur edhe fëmijë 12-vjeçarë, si Fharudin Smajloviç, apo 77-vjeçarë si Behar Selimovic. Sehida jeton e vetme në një shtëpi dykatëshe, atje ku fillon e shtrihet lugina e ngushtë dhe e gjelbër e Srebrenicës.

“Gjatë këtyre ditëve po bashkëbisedojmë gjatë mes nesh(grave-shen.red)”, - thotë Sehida, me sy të kaltër të kthjellët, e që bën pjesë në “Shoqatën e Grave të Srebrenicës dhe Zepës”. “Kemi menduar të kërkojmë që të dërgojmë një delegacion në Hagë për të ndjekur procesin, kur të fillojë. Kemi dëgjuar që Mlladiçi ka shprehur dëshirën të shkojë të vizitojë varrin e bijës së tij(Ana, që u vetëvra ne fillimet e viteve nëntëdhjetë). Duhet fillimisht të vizitojë varrezat tona”.

Në krah të saj gjenden edhe shumë gra të tjera që mbeten me shpresë. Përballë tyre ndodhet një grup tjetër grash që mbajnë një pankartë: “Serbia= Agresion=Gjenocid=Dejton=Republika Serbe”. Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës së Bosnjës. Brengat, hidhërimet e mosbesimi zënë ende vend në qenien e tyre./Start/

                                                                                             2011-05-29 09:14
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›