E Shtunë, 31 Tetor 2026

Srebrenicë, arrestohet një serb i akuzuar për krime

Policia boshnjake arrestoi sot një serbo-boshnjak që dyshohet se ka marrë pjesë në gjenocidin kundër myslimanëve në Srebrenicë në 1995-ën, në masakrën më të madhe në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore, njoftuan sot zyrtarët. Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) arrestoi Zheljko Ivanoviç në Pale, selia e presidentit serbo-boshnjak të kohës së luftës, tha prokurori i shtetit në një deklaratë. Ivanovic iu dorëzua zyrës së prokurorit boshnjak për krimet e luftës, që kishte urdhëruar arrestimin e tij. Forcat serbo-boshnjake, të komanduara nga gjenerali Ratko Mlladiç, masakruan afro 8 000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë, pasi qyteti, një zonë sigurie e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, ra në duart e tyre në 1995-ën. Pjesa më e madhe e tyre u vranë, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin përmes pyjeve, të tjerë u vranë në vend ose u arrestuan dhe u çuan nëpër magazina apo shkolla, nga ku u çuan në vendet e ekzekutimit, përpara se të varroseshin në varre masive. Gjykata ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës ka dënuar shtatë serbo-boshnjakë për masakrën e Srebrenicës. Nëntë të tjerë janë ende në gjykim, ndërsa Mlladiç, që shihet si ideatori i masakrës është ende në kërkim 14 vjet pas padisë kundër tij. Në Bosnje, 26 serbo-boshnjakë kanë dalë në gjyq për masakrën e Srebrenicës. Njëmbëdhjetë janë burgosur, shtatë kanë dalë të pafajshëm dhe tetë janë ende në gjykim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›