Tragjedia e Gjirokastrës, “burg pa afat” edhe për pronarin tjetër
GJIROKASTËR – Mbetet në qeli edhe pronari tjetër i shoqërisë së ndërtimit “Arti Sh.p.k.”, i përfshirë në hetimin për shembjen e pallatit në Gjirokastër një javë më parë, ku gjetën vdekjen tre persona dhe u plagosën tre të tjerë. Burimet zyrtare pohojnë se Gjykata e Gjirokastrës ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg” edhe për shtetasin Aristotel Haxhi, pas vendimeve që dha për shtatë zyrtarët dhe punonjësit e kompanisë së ndërtimit. Vendimi është dhënë dje nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu. Burime zyrtare nga kjo gjykatë thanë se ashtu si 7 personat e tjerë, edhe Haxhi do të dërgohet në Burgun e Bënçës. Trupi gjykues vendosi hetimin në gjendje të lirë për arkitektin dhe ekskavatoristin e firmës. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh, i ngritur në një kodër në qytetin jugor, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij. Dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak shpalli listën e familjeve që do të kompensohen. Menjëherë pas tragjedisë, autoritetet lokale kanë futur në sitë të gjitha ndërtimet e bëra pas viteve ‘90, ku po verifikohet cilësia dhe zbatimi i rregullave teknike për ndërtimin e objekteve të banimit.
Nuk e lanë të merrte makinën në port, denoncon dy doganierët
DURRËS – Dy doganierë nuk kanë lejuar një shtetas që të marrë makinën e tij në sheshin e trageteve, por më pas janë denoncuar dhe ndaj tyre ka nisur hetimi për shpërdorim detyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e shtunë, rreth orës 02.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Ilir Mujani, 47 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë dhe Dashamir Leka, lindur në Elbasan dhe banues në kryeqytet. Sipas tyre, ndalimi i dy doganierëve u bë “për arsye se katër ditë më parë, teksa po kryenin detyrën në Degën e Doganës së Durrësit, nuk lejuan të dalë nga territori doganor një automjet tip Audi, me targë BV399NT. Pronari i makinës, shtetasi R.K., ka bërë denoncimin për dy punonjësit e Doganës së Portit. Burimet policore sqarojnë se janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale i kaluan prokurorisë, pasi Ilir Mujani dhe Dashamir Leka akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
16 Nentor 2008