E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës shpërngul bustin e Ushtarit të Panjohur



Busti i Ushtarit të Panjohur do të vendoset në një vend tjetër të këtij territori. Bashkia e Tiranës po kryen punimet për rikualifikimin urban te sheshi pranë ”Ushtarit të Panjohur”, bustin e të cilit e ka zhvendosur në një pozicion tjetër pranë sheshit. Kryebashkiaku Edi Rama inspektoi punimet dhe deklaroi se gjatë hartimit të projektit të zbatimit është parashikuar spostimi i bustit të Ushtarit të Panjohur, i cili është pjesë e projektit. Kjo zhvendosje do të bëhet për efekte të zbatimit të projektit për këtë pjesë të kryeqytetit, pa e humbur veçantinë dhe rëndësinë e tij të dikurshme. Sipas tij, është menduar që më pas të bëhet riorganizimi i sheshit nga pikëpamja urbanistike duke mbjellë një seri pemësh, do të vendosen stola për çlodhje, të cilët do të jenë me 6 lloje ngjyrash. Gjithashtu, parashikohet edhe shtrimi i zonave të veçanta me pllaka dekorative. Një element i rëndësishëm është edhe ndriçimi, i cili përbëhet nga ndriçues pedonalë dhe ndriçues të lartë. Projekti i rrugës është hartuar duke u bazuar në projektin francez të Qendrës së Tiranës. Trafiku në këtë rrugë do të lëvizë në një sens, në atë antiorar. Sheshi do të jetë funksional, me pemë të reja dhe me kënde çlodhëse për familjarët dhe qytetarët që duan të shoqërizohen së bashku në një mjedis publik. “Kjo është një punë në vazhdim, e cila ka të bëjë me rikualifikimin urban të të gjithë zonës së sheshit dhe rreth sheshit dhe me plotësimin e segmenteve të Unazës së Vogël, duke i dhënë një drejtim përfundimtar edhe problemit të lëvizjes së mjeteve rreth kësaj qendre, një projekt që do të sjellë lehtësira edhe në këtë drejtim”, - u shpreh Rama. Sipas tij, do të ndërtohen sheshe të tjerë të këtij lloji në të gjitha njësitë e kryeqytetit, duke ecur në drejtim të qytetit me shumë qendra dhe edhe me më shumë pika shoqërizimi në mjedisin publik për familjarët.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›