E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, rreth 80 për qind e vdekjeve ndodhin mbi moshat 65 vjeç



Emanuela Sako

Rreth 80 për qind e vdekjeve nga gripi ndodhin te pacientët me moshë mbi 65 vjeç. Përfaqësuesit e shëndetësisë japin të dhëna për moshat më të prekura dhe mënyrat e mbrojtjes nga përhapja e virusit të gripit, ku më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të moshuarit. Të moshuarit janë më të predispozuar për t’u prekur nga virusi, pasi kanë imunitet të dobët trupor dhe për këtë arsye kërkohet një përkujdesje më e lartë nga stafi shëndetësor. Stafi mjekësor që kujdeset për të moshuarit është i detyruar të kryejë vaksinimin në kohën e duhur, për të mos u bërë objekt i përhapjes së virusit nga mjeku te pacienti. Me ftohjen e motit gjatë ditëve të fundit pritet që spitalet të kenë fluks të prekurish nga gripi. Një pjesë e qytetarëve kanë marrë vaksinën antigrip, e cila gjendet në të gjitha farmacitë e vendit.
Mjekët
Vaksinimi i stafit mjekësor që punon me pacientët e moshuar për një kohë të gjatë redukton vdekshmërinë në masën 7 për qind, pavarësisht nëse pacientët janë të vaksinuar ose jo. Duke qenë se mjekët kanë kontakt të vazhdueshëm me pacientët që janë prekur ose jo nga virusi i gripit, ata kanë më tepër mundësi për ta përcjellë virusin nga një pacient te tjetri. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e menjëhershëm të stafit mjekësor në sezonin e caktuar. Rrezik potencial për prekjen nga virusi i gripit janë edhe fëmijët nën moshën 5 vjeç, tek të cilët komplikacionet janë edhe më të mëdha. Gjatë stinës së dimrit, më shumë se 60 për qind e shtrimeve vijnë nga përhapja e virusit gripal te të vegjlit. Të rriturit janë më pak të predispozuar nga komplikacionet shëndetësore, por ata janë një rrezik për komunitetin që i rrethon.
Masat
Aktualisht, farmacitë në vend janë furnizuar me vaksinën antigrip, e cila ka hyrë në tregun shqiptar që prej datës 1 tetor. Tregu është furnizuar me rreth 70 mijë doza të vaksinës antigrip, të prodhimit anglez dhe francez, të ofruara kundrejt çmimeve përkatësisht 12 mijë lekë dhe 13 mijë lekë. ISHP-ja bën të ditur se problem në marrjen e vaksinës antigrip mbeten zonat e largëta me popullsi të izoluar. Ndërkohë që këtë vit qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe kanë marrë dozat e nevojshme të vaksinës antigrip, të cilat janë importuar nga Franca dhe Anglia. Drejtoria e QSUT-së do të ngrejë një grup pune për çdo rast të përhapjes së ndonjë epidemie në popullatë, siç është rasti i virusit të gripit. Pak kohë më parë, drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, u shpreh se do të tregojë kujdes të veçantë ndaj sëmundjeve që kërcënojnë qytetarët, duke angazhuar specialistët për t’u marrë posaçërisht me këtë çështje. Ky grup pune do të jetë një strukturë brenda Drejtorisë së QSUT-së, e cila do të merret drejtpërdrejt me situatat që mund të krijohen. Gjithçka ka ardhur si rezultat i shtimit të numrit të qytetarëve që rrezikohen të preken nga virusi i gripit. Sipas specialistëve është normale që gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit të ketë përhapje të virusit të gripit, por kjo nuk duhet të lejohet që të arrijë deri në epidemi.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›