E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza bankare botërore, pasoja në shtrenjtimin e kredive të shtëpive në Shqipëri



Ervin Koçi

Efektet e krizës globale ekonomike pas Europës duket se po zbresin ngadalë edhe në Shqipëri, ku fillimisht ato po trokasin në derën e sistemit tonë bankar. Kjo gjë ka nisur që të ndjehet fillimisht në sistemin e kredive, ku nevoja e forcimit të masave të sigurisë nga ana e bankave ka sjellë shtrëngimin e kredimarrjes. Ekspertët e bankave mendojnë nga ana tjetër se kriza nuk do të ketë një shtrirje të menjëhershme në sistemin tonë bankar, për më tepër sepse ky sistem konsiderohet si i mbrojtur dhe jashtë rrjetit që mund të goditet, por në asnjë rast ata nuk përjashtojnë ato që quhen “pasoja indirekte”. Të tilla pasoja kanë nisur që ta prekin sistemin tonë bankar, gjë e cila konfirmohet edhe nga ekspertët e Bankës Qendrore Shqiptare, të cilët po monitorojnë me kujdes sistemin vendas. Sipas ekspertëve të BSH-së, pasoja e para do t’i ndiejnë klientët e bankave që kanë marrë kredi në valutë, pasi çdo efekt që do të prekë euron, do t’i prekë edhe ata.

Shtrenjtohen kreditë

Ekspertët e bankave shprehen se sistemi bankar shqiptar ka nisur të ndiejë një farë ngadalësie në marrjen e kredive nga konsumatorët gjatë kësaj faze të parë të krizës. Kjo gjë, sipas tyre, pritet të çojë drejt një shtrenjtimi të mëtejshëm të përqindjeve të interesave për huat. Përfundimi i epokës së huave për shtëpi me çmime të lira që ofrohej deri tani nga bankat në vend, shihet dhe si elementi i parë i prekjes nga kriza bankare botërore. Të parat që kanë nisur ta vënë në zbatim një gjë të tillë janë degët e bankave të huaja, kryesisht atyre greke që zhvillojnë biznes në Shqipëri. Kjo gjë shpjegohet me mundësinë e pakët që do të kenë tashmë këto filiale bankare për të përfituar fonde me kosto të ulët nga bankat mëmë. Ka mjaftuar vetëm një eksplorim në sitet web të këtyre bankave për të konstatuar menjëherë ndryshimin në normat e interesave për kreditë në valutë. Kështu “NBG Bank”, e cila gjatë viteve të fundit kryesonte tregun e huave për shtëpi me norma të ulëta interesi, ka hequr dorë tashmë nga kjo strategji dhe nuk ofron më hua të llojit “interes fiks 5 për qind për tre vitet e para, apo euribor +2 për qind”. Tashmë interesi për të marrë hua (kredi) për blerje shtëpie nga “NBG” ka shkuar në 8.9 për qind, afërsisht në linjë me normën e tregut për këto lloj huash. Edhe “Tirana Bank” ka rritur normat e interesit në euribor në +3.5 për qind, nga +2.5 për qind që i kishte para disa muajsh. “Emporiki Bank” gjithashtu po bën ndryshime duke u përpjekur që të rinovojë produktin e huas për shtëpi duke bërë një rritje të normës së interesave për valutat. Kjo gjë do t’i japë fund ofertave për periudha të kufizuara me hua nën kosto, ose hua në euro nën vlerën e euriborit.

Problemet e kredisë në Lekë
Pas “publicitetit” të madh për dhënien e kredive në monedhën vendase nga ana e Bankës së Shqipërisë, por edhe pas të gjitha problemeve me kreditë në valuta, bankat private kanë nisur të kthejnë sytë nga Leku. Shumë prej bankave private po orientohen drejt nxitjes së dhënies së kredisë për shtëpi në lekë, gjë e cila ka nisur të aplikohet gjerësisht në muajt e fundit. Por kjo gjë ka hapur tashmë edhe diskutimin, “nëse është me leverdi për konsumatorin huaja në Lekë apo jo”. Por megjithëse bankat po nxiten prej kriterit të dhënies së kredisë në monedhën me të cilin klienti ka të ardhurat mujore, përsëri nga këta të fundit ekziston akoma dëshira për ta marrë kredinë në valutë. Përsa i përket kredisë në euro, interesat e saj janë aktualisht më të ulëta se të lekut (norma mesatare 8-9 për qind), në një kohë që tendenca e interesave është përsëri për një ulje të ndjeshme në të ardhmen. Por ekspertët e bankave i sqarojnë gjithashtu klientët se ekziston dhe rreziku i kursit të këmbimit, prej nga ku zhvlerësimi i mundshëm i euros mund të rrisë këstet që duhen paguar kur të ardhurat i ke në lekë. Ndërsa nga kredia e marrë në lekë shmanget rreziku i kursit të këmbimit. Por ndërkohë edhe monedha vendase ka disfavoret e veta në marrje e një kredie pasi interesat e kredisë në lekë janë më të shtrenjta se euro (norma mesatare 11-12 për qind). Po ashtu interesat e lekut nuk kanë sinjale për një tendencë uljeje.

Shqiptarët të pangopur me kredi edhe gjatë vitit të fundit

Brenda vitit 2007, kredia për shtëpi u rrit me 82 për qind, kundrejt 59 për qind që përllogaritej rritja e të njëjtit tregues për vitin 2006. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë në raportin vjetor të Mbikëqyrjes, në fund të vitit 2007, huaja për blerjen e një banese përbënte rreth 22.4 për qind të portofolit të sistemit bankar nga 20 për qind që zinte në fund të vitit 2006. Norma e rritjes së portofolit të huave për shtëpi evidentohet më e madhe sesa norma e rritjes së totalit të portofolit të huas për vitin 2007; ndërkohë që gjatë vitit 2006 norma e rritjes ka qenë e krahasueshme. Pesha që huaja për pasuri të patundshme zë kundrejt totalit të portofolit të huas për individë për vitin 2007 ishte 62 për qind, nga 60 për qind që ishte në vitin 2006. Gjatë vitit 2007, huaja e re për shtëpi rezulton rreth 35.4 miliardë lekë ose 49 për qind e huas së re për individë, ndaj 21 miliardë lekëve ose 50 për qind e huas për individë që ishte për vitin 2006.

Portofoli i kredisë në Shqipëri, 173 euro për banorë

Megjithëse një vend i vogël, niveli i kredimarrjes dhe i portofolit të kredisë bankare në vendin tonë është mjaft i lartë. Në fund të vitit 2007, niveli i huave për shtëpi përbënte rreth 6.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 173 euro hua për banor; nga 4 për qind dhe 96 euro hua për banor që ishte një vit më parë. Ky tregues rezulton dukshëm më i vogël sesa niveli mesatar i vendeve të BE-së, dhe është larg niveleve të vendeve që kanë hyrë në BE para disa vitesh. Mesatarja e huas për shtëpi, për banor në 25 vendet anëtare të BE-së është mbi 11 mijë euro për banor. Krahasuar me vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Juglindore, shumica e të cilave kanë hyrë në BE, këto dy vitet e fundit, rritja e portofolit të huave në rastin e sistemit bankar në Shqipëri, duket të ketë kapur ritmin e rritjes së Republikave Baltike, të cilat janë të larta. Sipas BSH-së, kjo mund të ketë ndodhur kryesisht për shkak të bazës së ulët të përllogaritjes. Krahasuar me vende me ekonomi të konsoliduar dhe sistem bankar shumë të zhvilluar, kryesisht me vendet e BE-së, rritja e portofolit të huave në sistemin tonë bankar është shumë më e lartë.

Normat bazë të interesit në tregun bankar javët e fundit

Euribor 12-mujor: 4.7%
Libor 12-mujor: 2.29%
Bono Thesari 12-mujore: 7.9%

Kriteret dhe shpenzimet shtesë për përfitimin e huas për shtëpi

1. Noterizimi i kontratave që do të firmosen midis bankës dhe klientit.
2. Pagesa e vlerësimit të objektit të lënë si garanci nga një ekspert i licencuar.
3. Mirëmbajtja e llogarisë (deri në 150 lekë në muaj).
4. Shpenzimet hipotekore (nga 3 mijë-10 mijë lekë, në varësi të shumës së
huas).
5. Mbajtja e një komisioni që lëviz nga 1%-1.5% të vlerës së huas (mbahet nga shumica e bankave në momentin e disbursimit të huas).
6. Sigurimi i jetës së huakërkuesit, i rinovueshëm çdo vit mbi shumën e mbetur të huas dhe sigurimin e kolateralit nga tërmeti dhe zjarri për të gjithë afatin e huas.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›