Stacioni i arteve pamore, Tirana gjen Shkodrën
Ekspozita e arteve pamore “Salloni i Vjeshtës” ka sjellë në Shkodër piktorë nga Tirana, të cilët së bashku me kolegët e tyre shkodranë kanë ekspozuar punimet në pikturë e skulpturë. Për 10 ditë, Salloni i Vjeshtës në galerinë e arteve figurative të Shkodrës ka ekspozuar 50 punime me temë të lire, nga të cilat 29 i përkasin piktorëve tiranas të grupimit “Nëntori” dhe 21 janë krijues të arteve pamore të cilët e ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shkodër. Sipas drejtorit të galerisë së Shkodrës, piktorit Artan Draçini, ky sallon i cili hapet për të dytin vit, shpresohet të kthehet në një aktivitet të përvitshëm, ku në çdo 28 nëntor piktorë e skulptorë jo vetëm shkodranë të ekspozojnë punimet e tyre, dhe të kenë një stacion ku të takohen, të dialogojnë bashkë dhe të jenë të lirë në zgjedhjen e temave që trajtojnë në punimet e tyre. Punimet e paraqitura në këtë vit janëkrijime të piktorëve të brezave të ndryshëm si Kujtim Buza, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, BuronKaceli, Besim Tula , Brikenda Bërdo etj. Të gjitha punët kanë një të përbashkët, teknikën: penel dhe telajo. Kuratori i edicionit të sivjetshëm, Stefan Taçi, është shprehur për karakterin gjithëpërfshirës të kësaj ekspozite që synon të kthehet në një aktivitet tradicional për Shkodrën.