E Diel, 1 Nëntor 2026

Stadiumi, peng i bizneseve që rrethojnë "Qemal Stafën"

TIRANE- Duhet të ishte zhvilluar faza e parë, ajo e shembjes, por në të vërtetë, ndërtimi i stadiumit të ri duket se do të nisë shumë më vonë nga ç'ishte parashikuar. Gjithçka është një çështje procedurash, që lidhen sidomos me zhvendosjen e bizneseve që punojnë aktualisht me kontrata qiraje përreth stadiumit "Qemal Stafa". Duke qenë kontraktorë të rregullt, ata nuk pranojnë të largohen që aty, ndërsa prishja në mënyrë të njëanshme e kontratës nga ana e palës shtetërore, sjell pasoja të shumta financiare. Kjo ka bërë që ende të mos ketë një datë të saktë se kur do të bëhet faza e parë e punimeve në terren, pra e shembjes së impiantit aktual dhe e nisjes nga puna për të riun. "Ende nuk kemi një afat nga ana e Ministrisë, se kur do të nisim nga punimet në terren, - tha sekretari i përgjithshëm i Federatës Eduard Prodani.

- Duhet ta pranojmë që këto punë zgjasin, por gjithsesi kjo është punë e Ministrisë dhe jo e jona", shtoi ai. Përpos kësaj, Federata thotë se paralelisht është duke vazhduar me procedurat për pjesën e saj, pra për organizimin e tenderit dhe të plotësimit të pjesës ligjore. Por, të gjitha këto do të bëhen zyrtare, pasi pala shtetërore t'u ketë dhënë fund problemeve kontraktore me bizneset që kanë marrë me qira ambiente të stadiumit aktual "Qemal Stafa". "Ne e duam stadiumin pa asnjë barrë dhe për këtë arsye jemi në pritje, - thotë sekretari Prodani. - Më pas, gjithçka do të jetë gati për nisjen e punimeve, po për momentin nuk kemi një date konkrete". Ndërtimi i stadiumit të ri, që do të ketë mbi 30 mijë vende, është planifikuar për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë, por duke pare ritmin dhe procedurat, duket e vështirë që kjo të ndodhë. Impianti i ri do të jetë supermodern dhe do t'i japë fund krizës infrastrukturore për ndeshjet e kombëtares shqiptare. Në këtë projekt, FSHF do të jetë pronare me 75 % të aksioneve, ndërsa shteti me vetëm 25 %. Një kërkesë e tillë u bë nga vetë presidenti i UEFA-s Mishel Platini, gjatë një takimi me kryeministrin e vendit Sali Berisha pak muaj më parë. Platini premtoi madje edhe ndihmë financiare për këtë projekt.
(A. Latifi/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›